Shumica e mbështetësve të Partisë Demokratike të Shqipërisë u gëzuan dje që dy kryegarditstët e akuzuar për vrasjen e demonstruesve në janar 2011 u shpallën të pafajshëm nga gjykata. Ndryshe nga ata, shumica e mbështetësve të opozitës mbetën të revoltuar.
Mirëpo, në një kontekst tjetër, vendimi është një fitore politike për opozitën e cila tani do të mund të shfrytëzojë këtë rast për të bindur diplomatët dhe analistët e huaj, që mbulojnë Shqipërinë dhe rajonin, se demokratët në qeveri janë duke abuzuar me pushtetin e tyre.
Një nga të metat më problematike që shikon Perëndimi te Shqipëria është problemi i pavarësisë së gjykatave. Gjykatësit duhet të jenë figura të fuqishme që të mos u druhen qeveritarëve, por kjo nuk është përshtypja që kanë qytetarët e Shqipërisë dhe as vëzhguesit e huaj.
Pavarësisht se analizat e diplomatëve perëndimorë për ngjarjet e janarit 2011 kanë kritikuar rolin e kryetarit Rama dhe Partisë Socialiste për degjenerimin në dhunë të mitingut të tyre, vendimi i djeshëm nga gjykata e zhvendos tërësisht vëmendjen kritike për ato ngjarje te qeveria në fuqi. Nuk dihet nëse do të ndikojë ky vendim në zgjedhjet e këtij viti, por në sytë e perëndimorëve ka një dyshim të fortë se vendimi i djeshëm ishte tërësisht politik.
Ndoshta askush nga qeveria nuk ka ndërhyrë te Gjykata e Tiranës dhe ndoshta kjo e fundit e ka marrë vendimin e saj në mënyrë të pavarur, por e vërteta ndikon pak këtu. Politika është art perceptimesh.
Perëndimorët ishin mjaft pozitivë ndaj Berishës pas ngjarjeve të 21 Janarit, pavarësisht prej akuzave të opozitës, por ata u vrenjtën kur gardistët refuzuan marrjen në pyetje nga prokuroria dhe kur kryeministri Berisha akuzoi Prokuroren e Përgjithshme për pjesëmarrje në “grusht shteti”. Në një farë mënyrë u duk sikur qeveria në pushtet ndërlikoi pa nevojë situatën e saj. Perëndimorët e shihnin marrjen në pyetje si një hap normal të procesit hetimor për atë çfarë kishte ndodhur, që nuk fajësonte aspak gardistët. Përkundrazi, ishte refuzimi i tyre për t’u intervistuar që solli lindjen e dyshimeve për abuzim në krye të detyrës.
Vendimet e gjykatës janë të paprekshme në çdo vend të botës dhe perëndimorët do t’i respektojnë ato edhe në këtë rast në Shqipëri, por demokracia shqiptare duhet të provojë veten në të ardhmen e afërt sepse funksionimi i institucioneve dhe i shtetit ligjor me apo pa arsye është vënë në dyshim.
Pa pretenduar të vlerësoj saktësinë e vendimit të gjykatës, që është një debat më vete, në planin politik do të kishte qenë më shumë në favor të imazhit të Shqipërisë dhe vetë qeverisë në fuqi që gardistët të kishin humbur betejën në nivelin e parë të gjykimit dhe të balanconin situatën e tyre në një nivel më të lartë.
Sigurisht, askush nuk mund të sugjerojë dënimin e njerëzve të pafajshëm vetëm për të kënaqur atë çfarë presin vëzhguesit e jashtëm, por çmimi që paguan një qeveri dhe një vend për mosbesim ndaj pushtetit juridik është që edhe në rastet kur vërtet është bërë drejtësi, hija e dyshimit mbetet.
Një numër elementesh, që nga fshirja e të dhënave nga rrjeti kompjuterik i kryeministrisë, te dyshimi për manipulimin e armëve, bashkuar me vonesën në paraqitjen për intervistë nga hetuesia kanë hedhur baltë mbi një proces që ndërlikon edhe më shumë raportet mes dy forcave kryesore politike në Shqipëri.
Ndërsa zgjedhjet e radhës po afrohen mosbesimi në rritje mes dy krahëve të politikës mund të vërë në dyshim procesin zgjedhor, i cili po ndiqet si rrallë ndonjëherë me kujdes nga Perëndimi, së pari sepse Shqipëria është në provë për statusin e kandidatit në BE dhe së dyti për shkak të refuzimit katër vjet të shkuara nga opozita për të njohur rezultatet.
Vetëm pak muaj nga këto zgjedhje asgjë nuk premton se humbësi do ta pranojë rezultatin dhe se do të kemi një vijim normal të funksionimit të shtetit në Shqipëri. Hyrja në garë e të paktën dy forcave të reja politike dhe lëvizjet e partive të tjera të vogla të trimëruara nga paaftësia e dy partive kryesore për të fituar shumica të ngjashme e bëjnë akoma edhe më komplekse situatën.
Katër njerëz u vranë në sy të medias dhe opinionit publik dy vjet më parë dhe ende nuk ka një vrasës të dënuar për ta. Edhe sikur të kishin qenë kriminelë do të nevojitej një proces gjyqësor për ta e Shqipëria nuk ka dënim me vdekje. Kushdo që mori përsipër të bëjë vetëgjyqësi atë ditë qëlloi mbi demokracinë shqiptare dhe mbi imazhin e vendit në botë. Paaftësia e drejtësisë për të dënuar autorët kushdo qofshin ata është një tregues i trishtuar se 22 vite pas rënies së komunizmit, Shqipëria ende është në kërkim të shtetit ligjor.
Votuesit duhet ta mbajnë në mendje kur votojnë në zgjedhjet e ardhshme se në një vend ku ligji nuk funksionon askush nuk e ka të ardhmen e sigurtë.