Beograd, 8 nëntor 2021 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha më 7 nëntor se nuk ka frikë nga ngrirja e pronave dhe llogarive jashtë vendit “sepse nuk i ka”.
Komentet e tij vijnë edhe pas publikimit të një letre nga një grup i kongresistëve amerikanë, të cilët, sipas disa mediave, i kanë bërë thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të shqyrtojë një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara për personat që i kontribuojnë destabilizimit të situatës në Ballkanin Perëndimor.
Në letër, ndër të tjera, thuhet se mediat pro-qeveritare në Serbi po avancojnë “në një marrëdhënie të dobishme reciproke me Qeverinë”, si dhe se punët e kompanisë shtetërore, Telekom Srbija janë “të mbuluara me fshehtësi”.
Po ashtu thuhet se presidenti serb ka thelluar korrupsionin në Serbi, duke përfshirë përdorimin e krizës së pandemisë si arsyetim për të mbuluar shpenzimet shtetërore dhe për të blerë pajisje mjekësore dhe respiratorë mbrojtës.
Vuçiq vlerësoi se blerja e respiratorëve “nuk është dëshmi e ndonjë korrupsioni”, por e luftës së tij për Serbinë.
“Unë gjithmonë do ta përsëris atë në të ardhmen,” tha ai.
Sipas Vuçiqit, teksti i letrës duket sikur “dikush e ka shkruar qëllimisht kundër Telekomit dhe unë isha aty si udhës”.
“I lus që të më ngrijnë pronën jashtë vendit. Nuk mund të gjeni as një, sepse nuk e kam jashtë vendit”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Vuçiq tha se kërkesa është nënshkruar nga disa kongresistë të Partisë Demokratike dhe se (letra) është “njëpartiake”, dhe se do të shihet se sa kongresistë do ta nënshkruajnë “rezolutën” serbe në muajin e ardhshëm.
“Të shohim sa miq ka Serbia në Kongresin amerikan”, tha Vuçiq.
Lidhur me faktin se Serbia nuk është në mesin e vendeve të ftuara në Samitin online për Demokraci, të organizuar nga presidenti Biden, Vuçiq tha se “secili ka të drejtë të vlerësojë demokracinë e dikujt tjetër ashtu siç dëshiron. “
Çfarë thuhet në letër?
Në një letër të botuar fillimisht nga e përditshmja Vijesti në Podgoricë dhe portali rajonal N1, shtatë kongresistë demokratë, më 5 nëntor, shprehën shqetësim për situatën politike në Serbi dhe ndikimin që një situatë e tillë mund ta ketë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
Ky grup kongresistësh i bëri thirrje presidentit të SHBA-së të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të Urdhrit Ekzekutiv 14033 – “Bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për persona të caktuar që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor”, në mënyrë që të avokojë një Qeveri serbe më transparente dhe më të përgjegjshme që respekton demokracitë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
“Siç keni thënë gjatë vizitës suaj në Beograd në gusht 2016, ‘është kryesisht në interesin e vetë Shteteve të Bashkuara që populli i Serbisë të rritet dhe të përparojë’. Kjo është arsyeja pse ne inkurajojmë administratën tuaj që të angazhohet me presidentin Vuçiq në luftë kundër korrupsionit dhe sulmeve ndaj lirisë dhe mediave, dy fusha kyçe për një Serbi përparimtare dhe demokratike dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE”, thuhet në letër.
Letra gjithashtu thekson se liria e medias nuk është vetëm një vlerë kyçe amerikane e përfshirë në Kushtetutën e SHBA-së, por se ajo është gjithashtu e rëndësishme për politikën e jashtme amerikane dhe për të kundërshtuar autoritarizmin në mbarë botën.
Letra vlerëson gjithashtu se aferat e kompanisë shtetërore Telekom Srbija janë “të mbuluara me fshehtësi”, dhe se marrëveshjet ndërmjet qeverisë dhe mediave, siç thuhet, “dëmtojnë normat demokratike, heshtin kritikët dhe fuqizojnë individët e korruptuar”.
“Ne inkurajojmë administratën tuaj që të punojë me presidentin Vuçiq dhe të tjerët për të mundësuar që të gjitha burimet mediale të përparojnë dhe të raportojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme”, thuhet në letrën drejtuar presidentit amerikan.
Administratës amerikane i kërkohet të mbajë Serbinë përgjegjëse në nivelin më të lartë kur bëhet fjalë për standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke përfshirë periudhën e fushatës zgjedhore dhe vetë numërimin e votave.
“Gjatë vizitës suaj në Beograd në vitin 2016, ju folët për të ardhmen e Serbisë, e cila i jep shpresë atij vendi dhe popullit serb. Fatkeqësisht, për të arritur atë të ardhme më optimiste, ne besojmë se veprimet e mëtejshme diplomatike nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht aleatët dhe partnerët tanë evropianë, janë kyçe për ta bërë Serbinë efektive në zbatimin e reformave demokratike. Me këtë do të jetë në gjendje të përmirësojë marrëdhëniet me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën,” përfundon letra.
Letra u nënshkrua nga kongresistët Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern, Mike Quigley dhe Jim Costa.
(REL)