Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për media, në kuadër të dy ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për kampionatin botëror “Katar 2022” kundër Anglisë më 12 nëntor dhe tre ditë më vonë ndaj Andorrës në stadiumin “Air Albania.
Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, tekniku Reja foli edhe për objektivat dhe atë çfarë pret nga skuadra në këto ndeshje si dhe theksoi se skuadra ka pasur rritje dhe është bërë më kompetitive, duke luajtur si e barabartë me këdo. Tekniku kuqezi foli në edhe lidhje me listën e lojtarëve që ka grumbulluar për këto dy sfida, për mungesat e Balliut dhe Manaj si dhe për ecurinë e portierëve të Kombëtares dhe u ndal edhe te rasti i Kumbullës skuadra e Romës si dhe komentoi për herë të fundit çështjen “Xhaka”.
Objektivi për ndeshjet – Do të shkojmë në Wembley për të dhënë dhe marrë maksimumin nga kjo ndeshje. Ky është synimi që ne kemi për këto ndeshje që të bëjmë dy ndeshje dhe dy paraqitje sa më të mira. Humbja me Poloninë komprometoi ndjeshëm shpresat tona, shanset që ne kishim për të arritur play-offin. Megjithatë ne jemi ende në garë, përderisa matematika na e lejon, dhe ne duhet të shpresojmë deri në fund. Na pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Anglisë por ne do të shkojmë me synimin për të marrë maksimumin.
Mungesa e Balliut dhe Manaj? – Sa i përket mungesave të ketyre dy lojtarëve, me Manaj kam folur. Nuk ka qenë në formë shumë të mirë fizike, ka pasur disa probleme shëndetësore dhe menduam të bënte pak pushim dhe të kishte mundesi të punonte me klubin dhe të rikuperohej. E vërteta është se nuk ka pasur shumë minuta te klubi dhe nuk ka qenë në formën e tij më të mirë dhe për këtë arsye vendosëm të mos grumbullohej. Edhe Balliu ka një problem shëndetësor, me muskujt e barkut pavarësisht se ka luajtur me klubin por kam folur me të dhe do t’i nënshtrohet testeve dhe do të bëjë edhe injeksione për të shmangur problemet. Është një mundësi e mirë për t’u rikuperuar. Kisha shumë dëshirë ta shihja nga afër Balliun. Doja ta aktivizoja edhe në ndeshjen ndaj Polonisë por nuk ishte e mundur. Do më duhet ta shtyj për një herë tjetër dhe ndoshta i bie në ndeshjet e vitit të ardhshëm. Më vjen keq sepse doja ta provoja. Kemi edhe mungesa të tjera si Abrashi dhe Gjimshiti, lojtarë shumë të rëndësishëm por do bëjmë më të mirën me këto që kemi.
Pritshmëritë? – Ne do të impenjohemi maksimalisht në dy ndeshjet e mbetura, qoftë me Anglinë apo Andorrën për të shpresuar deri në fund. Shpresojmë që Hungaria të ndalë Poloninë dhe të naa japë një dorë duke ndalur Poloninë. Lojtarëve do tu kërkoj të japin maksimumin si ndaj Anglisë ashtu edhe ndaj Andorrës, pasi duam pikë. Ky është synimi ynë. Pasi të mbarojnë këto dy ndeshje do të bëjmë analizat tona për të parë çfarë kemi bërë mirë apo keq. Këto eliminatore kanë qenë një eksperiencë mjaft pozitive. Zhgënjimi më i madh që kam ishin dy humbjet me Poloninë, pasi nuk e merituam humbjen, në ndeshjen më të rëndësishme që ishte dhe më e rëndësishmja në histori, për menyrën se si erdhën gjërat. Ne patëm shumë probleme, me dëmtimet, me Covidin, më erdhi shumë keq dhe akoma jam i irrituar që nuk kisha lojtarë në stol për të bërë zëvendësime, kishim pak mundësi zgjedhje dhe oikërisht në ndeshjen tonë më të rëndësishme dhe ishte fat i keq që nuk kishim mundësi zgjedhjesh. Skuadra dha maksimumin në Hungari dhe ndaj Polonisë, dhe ne kishim nevojë për lojtarë të freskët por nuk kishim zgjedhje. Nëse do të barazonim me Poloninë do të kishim shumë shanse, por tani bëhet e vështirë. Kisha menduar që nëse do të arrinim në kuotën e 19 pikëve, do të kishim më shumë shanse në Play-off, por meqë matematika na e lejon do ta provojmë deri në fund.
Vendi i tretë – Lojtarët e kanë të qartë sepse e kanë parë që kanë mundësi të bëjnë më shumë. Është kënaqësi e madhe për mua të shoh skuadrën të rritet vazhdimisht, duke iu referuar ndeshjeve në fushë, paraqitjeve. Jemi një skuadër shumë kompetitive. Kemi bërë dy ndeshje shumë të mira ndaj Polonisë që vlerësohet si skuadra më e fortë pas Anglisë, kemi fituar dy ndeshje me Hungarinë që ishte në finalet e europianit. Më parë nuk e kishim menduar. Kemi marrë dy fitore me Hungarinë dhe ishim afër ëndrrës Play-off. Gjithsesi ne jemi rritur, në qoftë se do ta mbyllim me 18 pikë fazën do të isha mjaft i kënaqur, por më vjen keq që nuk arritëm të shkonim në Play-off e Botërorit. U kushtëzuam nga disa episode, sidomos në ndeshjen e parë në Poloni, ku na mungonte një 11-metërsh, apo nga disa gabime individuale, mund të bënim më mirë. Jam i bindur se nëse do të kishim të gjithë lojtarët e gatshëm do të ishte një histori tjetër, nuk po them thjesht një barazim, por dhe do ta fitonim ndeshjen. Ky ishte pengu im më i madh Jemi rritur, jemi kompetitiv, mund të luajmë si të barabartë me këdo, dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në të ardhmen të arrijmë synime të mëdha. Duhet të përmirësohemi.
Porta? – Pres gjithmonë përmirësim nga të gjitha repartet. Në portë i kam parë të dy portierët në formë si Strakoshën dhe Berishën edhe pse nuk luajnë me klubet. Gjithsesi, ata vijnë edhe më të karikuar me Kombëtaren për të treguar vlerat e tyre. Nuk kam pse të jem i shqetësuar për pjesën e portës. Mund të jem më i shqetësuar për reparte të tjera, ku ne duhet të shmangim gabime. Rendimenti i dy portierëve ka qenë shumë i mirë, skuadra po rritet dhe portierët bëjnë paraqitje të mira. Themi gjithmonë që kemi mbrojtje të mirë, por edhe atyre kemi bërë ndonjë gabim dhe duhet ta analizojmë. Skuadra po rritet, portierët po bëjnë mirë, pavarësisht gabimeve të vogla. Ajo që dua të përmirësohet është mesfusha e lart, ndërsa në mbrojtje kemi treguar që kemi qenë solid. Kemi edhe Selmanin, sa herë e kemi thirrur që të zbresë në fushë e të mbrojë portën ka bërë paraqitje shumë të mirë. Kemi zgjidhje të mjaftueshme. Ka treguar edhe në miqësore që është në formë shumë të mirë. Për të mos harruar Alban Hoxhën sa herë që ka qenë në Kombëtare ka treguar vlerat e tij, dhe ka ndihmuar skuadrën siç ndodhi edhe ndaj Kazakistanit që u thirr në portë dhe bëri një paraqitje shumë mirë. Të katër portierët kanë treguar se e duan skuadrën. Edhe kur kanë qenë në tribunë ose në fushë ose në stol kanë treguar profesionalizmin e tyre.
Kumbulla? – Kumbulla duhet të përmirësohet në aspektin karakterial, sepse është një moment i vështirë. Ai nuk po kalon moment të mirë te Roma, por eksperienca do ta rrisë dhe të bëjë paraqitje shumë të mira. Mungon Gjimshiti por po flasim për një nga mbrojtësat më të mirë në qarkullim dhe është një mungesë e madhe , por Kumbulla kur vjen në Kombëtare, e kam parë që është shumë i qetë, ndoshta sepse ka besimin e ambientit. E kam parë shumë në formë dhe ka bërë ndeshje të mira. Ai luan në një klub te Roma në moshën 20-vjeçare, në Romë ka dhe kritika sepse kam qenë vetë në Romë për disa vite edhe e di se çfarë ndodh atje. Është i ri dhe nuk ka eksperiencën e duhur për t’u përballur me kritika. Ai duhet të mendojë vetëm të punojë dhe të rritet. Në ndeshjen ndaj Polonisë ka qenë një nga më të mirët për ne, nuk ka gabuar në thuajse asgjë ndaj një lojtari si Levandovski. Aimeriton më shumë, por te Roma ai nuk ka minuta ende, por duhet të tregojë në vazhdimësi ai do ta tregojë që ai vlen dhe se çfarë di të bëjë më mirë në fushë.
Besimi për lojtarët e rinj – Pres shumë nga të rinjtë që kemi në qarkullim në ekipet Kombëtare të moshave që mund të na shërbejnë për projektin tonë. Siç e dini misioni ime ishte të përgatis një skuadër për të shkuar në finalet e Europianit 2024, të krijoj një ekip kompetitiv, të arrij të gjej lojtarë të rinj dhe t’i integroj në skuadër. Janë vlerësime që duhet t’i bëj më vonë, nuk dua të bëj eksperimente në dy ndeshjet e mbetura. Kemi nisur këtë projekt më herët, kemi afruar lojtarë të rinj për të pasur sa më shumë minuta në fushën e lojës. Kemi afruar Brojën për të cilin tani nuk mund të themi shumë, pasi e dimë të gjithë cfarë potenciali ka, kam marrë Muçin që është i ri gjithashtu dhe po mendoj t’i jap hapësira në këto dy ndeshje, si titullar apo jo nuk e kam vendosur. Kam marrë Dokën para disa kohësh, dhe e kam aktivizuar në disa ndeshje dhe e kam idenë e qartë se çfarë bën, mora dhe Balliun që nuk luajti dot në këto sfida për fat të keq. Sigurisht në këto dy ndeshje listën e kam ngushtuar pak, pasi kush nuk do të donte të luante me Anglinë në Uembli, do të më vinte keq të shikoja shumë lojtarë në tribunë pasi të gjithë duan të luajnë ndaj Anglisë, por nuk do të luajnë të gjithë. Do të vazhdojmë misionin për t’u kualifikuar në Europian. Pikërisht për këtë mendoj vazhdimisht dhe po punoj me të rinjtë, vazhdojmë të shikojmë lojtarë që të kemi potencial dhe vazhdojmë të kemi vëmendjen te të rinjtë për të synuar gjëra të mëdha në të ardhmen.
Rasti i Xhakës – Xhaka nuk është i sinqertë, po gënjen dhe po tallet me ne. Nuk e kam ftuar vetëm një herë sepse nuk po luante me skuadrën dhe kishte probleme fizike e kam thirrur vazhdimisht por më pas na ka refuzuar. Është ndryshe nga Balliu, Balliu ka dëshirë të vijë më Kombëtaren ka dëshirë të luajë por ka pasur probleme shëndetësore. Është lojtar që e ndjen fanellën dhe ka shumëdëshirë të japë kontributin, te Xhaka nuk e shikoj këtë qasje, këtë lloj ndjesie. Nuk mendoj se nuk është sjellë mirë me ne, po e them një herë e mirë, unë e kam ftuar disa herë gjatë këtij viti, zv.trajneri Bulku ka folur me të, dhe i ka thënë që nuk ndihej mirë. Më vjen keq sepse i kam dhënë mundësinë të gjithëve, edhe Xhakës por më vjen keq që e them, por Xhaka e ka braktisur këtë herë Kombëtaren dhe njerëzit duhet ta dinë këtë dhe të mos vazhdojë më kjo histori.