Kremlini tha se Putin dhe kreu i CIA-s kanë diskutuar për “konfliktet rajonale”

Moskë, 8 nëntor 2021 – Zëdhënësi i Kremlinit tha të hënën se se Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kreu i CIA-s, William  Burns, gjatë takimit të tyre në Moskë, javën e kaluar, kanë bisedfuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe për “konfliktet rajonale”. Por, ai nuk dha hollësi të tjera lidhur me takimin.

Ambasada amerikane tha se shefi i CIA-s, William Burns, ishte dy ditë në Rusi, për takime me zyrtarë të lartë rusë, me kërkesë të presidentit Joe Biden.

CNN raportoi javën e kaluar se Burns është dërguar në Moskë për ta paralajmëruar Kremlinin lidhurme grumbullimin e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën. CNN tha se Burns, pas takimeve të tij në Rusi, ka folur në telefon edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Zoti Burns, i cili ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi, prej 2005 deri më 2008, e vizitoi Moskën në kohën që lidhjet midis Moskës dhe Uashingtonit janë në krizë të rëndë.

Biden e ka rritur presionin ndaj Putinit që kur e ka marrë mandatin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, në janar. Në maj, Rusia shpalli Shtetet e Bashkuara si “shtet jomiqësor”.

Javën e kaluar, Pentagoni tha se po e monitoron nga afër situatën në Ukrainë, pas raportimeve për grumbullim të ri të trupave ruse në kufi.

Në pranverë të këtij viti, Rusia grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, duke ngjallur frikë nga një përshkallëzim i madh i dhunës. Por, Moska i tërhoqi trupat e saj, pas presionit të aleatëve perëndimorë të Kievit.

(r.m.)