Nga Keze Kozeta Zylo
Festa e ditëlindjeve është një traditë e bukur ndërkombëtare, për rrjedhojë edhe në vendin tonë. Kur ato janë jubilare ja shtojnë dhe më shumë rëndësinë festimit të saj. Ftesa nga prof.Petrika Melo për të gëzuar në ditëlindjen e nënës së tij znj.Lirika u prit me kenaqësi nga disa miq të tij. Së bashku me Linditën, Andrean, Kristinën, Ornelën udhëtuam drejt Usterit… Ishte një udhëtim i këndshëm në një ditë të ftohtë shkurti me rrezet e vakta të diellit që shndrisnin mbi kristalet e akullta të pemëve në pyllin nudo, ku dëgjoheshin herë pas here cicërimat e ëmbla të zogjve.
Eshtë diçka e magjishme të udhëtosh me këngëtarë, muzikantë dhe rruga të të kalojë nën dëgjimin e melodive të këngëve të ndryshme shqiptare apo botërore. Si për të bërë një pushim të shkurtër rrugës ndaluam në Hartford për të pirë një kafe tek motra e Linditës, Vera, e cila jetonte në një vilë të bukur së bashku me dy djemtë e saj simpatikë dhe bashkëshortin. E gjithë shtëpia qeshte nga mikpritja e saj, humori dhe zhdërvjelltësia e një zonje të bukur shqiptare. Vera dikur ishte marrë me sportin e qitjes dhe ka pasur rezutltate të kënaqshme. Dukej që sporti i kësaj natyre kishte ndikuar në milimetrizimin perfekt të sendeve të vendosura me aq kujdes dhe shije në vendet perkatëse. Pasi kaluam një pushim të këndshëm u larguam me plot energji drejt Usterit ku na prisnin miqtë e familjes korçare Melo.
Mbrëmja u organizua në shtepinë e Gledias e cila kishte hapur shtëpinë e re me festën e ditëlindjes së gjyshes së saj, nënë Lirikës. Ç’bekim merr fëmija kur shtëpinë e porsa blerë e hap për kësi rastesh! Lidhja e tyre gjyshe-mbesë se ç’merrte në sytë e mi një lidhje gati-gati hyjnore.
Pasi ishin mbledhur të gjithë njerëzit në shtëpi, në dhomë hyri Nënë Lirika e kapur prej krahu nga bashkëshorti i saj z.Vaske Melo, i cili pak kohë më parë festoi 85 vjetorin e ditëlindjes së tij. Të gjithë shpërthyen në duartrokitje, ndërsa nga sytë e fëmijëve të saj çurgonin lot të pastër… Kush e kush vraponte më parë, t’i dhuronin lule, përqafime…, Znj.Melo ishte veshur me një shije elegante dhe iu uronte të gjithëve faleminderit, faleminderit që keni ardhur në ditëlindjen e 80 vjetorit tim. Bashkëshorti i saj mes gëzimit dhe haresë ja nisi këngëve të bukura korçare, këngëve qe dikur i kishte kënduar të dashurës së tij Lirikës. Z.Vaskë jo vetëm që këndonte bukur, por dhe interpretonte me shumë ndjenjë dhe emocion. Kishin më shumë se 55 vjet bashkë.
Ndërsa çifti këndonte këngën “Vemi a s’vemi, në mes të pyllit vemi, atje ku dielli dhe bota nuk na sheh…aq bukur dhe harmonishëm, ndjeje nga afër se shpirti i njeriut nuk mplaket kurrë. Ata këndonin me të njejtin ëmbëlsi si në vitet e arta të rinisë…
Në këngë e sipër midis grupit afrohet një burrë i pashëm mbi 80 vjet duke folur me një shqipe të vjetër korçare. Ai thotë se kemi dhe një këngë të zemrës që këndohet në gjithe rruzullin nga shqiptarët dhe filloi: Rreth Flamurit të përbashkuar, për një dëshirë e një qëllim, të gjithe atje duke u bashkuar do japim jetën për shpëtim…ndërkohe ai u shoqërua nga sopranoja e shquar Lindita Mezin Lole e cila e bënte këndimin e Hymnit tepër profesional.
Duke vazhduar të këndonin këngë të ndryshme hera herës të kujtonin Korin “Lira” të formuar në vitet 1917, dhe që sollën aq pranë këngën qytetare korçare…
Më vonë Nënë Lirika së bashku me Linditën dhe artisten e ardhshme të diasporës Kristinën iu afruan mikrofonit dhe kënduan këngën aq të preferuar të saj: “Nëna emër i dashur për mua/ Më je e shtrenjtë, të dua/ Sa jetë e terë për ty unë thur melodi/… Ishte një trio që me kombinimin e zërave ngritën peshë zemrat e pjesëmarrësve duke i duartrokitur dhe pritur me fishkëllima…
Të gjithë u mblodhën rreth tyre ku nuk mungonte dhe humori i hollë shqiptar.
Baba Vaskën e shoqëronte i biri Gjergji me bashkëshorten e tij Kozetën, e cila shkruan dhe poezi, si dhe e bija e tyre dentiste Doloreza së bashku me Agimin dhe dy vajzat Gledian dhe Adelën dhe amerikanë të tjerë…
Në mes të këngëve të bukura z.Vaskë ngriti një dolli të veçantë për Loretën dhe bashkëshortin e saj shqiptar qe ishin lindur dhe rritur në Amerikë 80 vjet më parë nga prindër shqiptarë, por kurrë nuk i harruan traditat e të parëve. Ai tha se e ngre këtë dolli për Loretën e cila ishe familja e parë në vitin 1990-të që kur u përmbys komunizmi menjëherë telefonuan ambasadat amerikane në Greqi, Serbi, Hungari, pasi në Shqipëri akoma nuk ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike.
Znj. Loreta bëri të pamundurën për të na marrë në Amerikë, kështu që pas shumë përpjekjesh shkuam në Hungari për të marrë vizën amerikane. Si familje s’do e harrojmë kurrë gruan me zemër të madhe që hapi shtëpinë për ne dhe na priti me bujari në Amerikë. Gruaja fisnike e bukur, Loreta, dëgjonte me vëmendje dhe me përunjësi thoshte se asgjë nuk kam bërë, por ajo me nje shqipe aq të ëmbël tregonte se mua prindërit më nisën në Shqipëri dhe më lindën në Amerikë…
Mikja ime në krah, mësuesja e matematikës Eleni e cila kishte ardhur me bashkëshortin e saj ish profesorin e kimisë z.Koço Cake më thoshte se ndihej shumë e gëzuar që merrte pjesë në këtë mbrëmje kaq të hareshme kushtuar Nënë Lirikës.
Ndërsa mbrëmja vazhdonte nën trokëllimat e gotave të verës, në sfond dëgjoheshin dhe këngë botërore të kënduara nga Lindita dhe bashkëshorti i saj Andrea, një muzikant i talentuar që i bie mjeshtërisht oboes. Ai këndonte dhe e shoqëronte në kitare, ndërsa prof.Petrika Melos i flutoronin gishtat në tastierën e pianos. Të afërmit familjarët, miqtë këndonin dhe vallëzonin së bashku për të festuar 80 -të vjetorin e ditëlindjes së Nënë Lirikës, një ndër volejbollistet dhe këngëtaret e para në Radio Korça.
Pjesëmarrësit u larguan të gëzuar duke e përqafuar nënë Lirikën dhe duke i uruar festofshim sa më shumë ditëlindje të tilla për ju. Në Uster u takuam dhe me familjen Trebicka, Vjollcën dhe Virgjilin të dy ish mësues, ku djali i tyre Edi ka luajtur me kombëtaren si volejbollisti i talentuar. Të dielën shkuam në kishën shqiptare ortodokse ku takuam plot shqiptarë. Brenda pikturave murale në kishë të ndizte dashuria shqiptare, për gjithë shenjtorët dhe gjithçka e Zotit ishte shkruar në shqip… U larguam nga Usteri me dëshirën e bashkatdhetarëve aq patriotë dhe tonën për t’u takuar përsëri dhe për të biseduar me ta më shtruar…ngase këtë radhë vizitën ja kishim kushtuar festimit të ditëlindjes së 80-të të nënë Lirikës, një ndër këngëtaret e para të radio “Korçës”.
Shkurt, 2013
Uster Massachusetts