Një gazetë ekskluzivisht për luftën e Kosovës e kishte hapur Denion Ndrenika nga Tirana kur forcave serbe në Kosovë po iu kundërvihej UÇK-ja. “Politika +” ia kishin lënë emrin bashkë me shokun e tij, Bledar Kuka. “Ne kishim synim të tregonin çdo gjë dinim dhe mësonim për krimet e përjetshme sllave dhe veçanërisht serbe ndaj trojeve të Shqipërisë”, ka treguar Ndrenika në një intervistë për portalin Online me gazetarin Uran Krasniqi.
Ndrenika dhe shokët e tij e nxirrnin gazetën njëherë në javë dhe nga një punë e tillë as që mendonin për përfitime materiale.
Ai ka thënë se e kishin pasur të parët lajmin se si UÇK-ja po e pranonte Marrëveshjen e Rambujesë. Ndrenika kishte bërë intervista me drejtuesit e UÇK-së, duke përfshirë edhe drejtorin politik, Hashim Thaçin. Ai ka kujtuar se si një editorial që e kishte shkruar lidhur me një qëndrim të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Pandeli Majko, i ishte drejtuar atij me “zotërote” dhe ka thënë se po të mendonte atëherë si sot nuk do t’i drejtohej kështu. Për gazetën kishin shkruar edhe personalitete jashtë skuadrës që e bënte atë dhe Genc Pollo ishte vetëm një nga ta.
“Bashkë me Bledar Kukën jemi të nderuar që botuam gazetën “Politika+” vetëm për luftën e lirisë së Shqipërisë Verilindore, Kosovës. Ne jemi dëshmuar me zemër e shpirt, aspak me fjalë dhe e mbajmë kokën lart për atë që kemi bërë për vendin tonë. Prandaj, theksoj përçmimin për batakçinjtë që nuk mbarojne kurrë si numra, por nuk fillojnë asnjeherë të jenë më shumë se numra batakçinjsh”, ka thënë Ndrenika, i cili edhe studimet i ka ndjekur për Gazetari te Universiteti i Tiranës.
Ai për ditët e sotme ka thënë se e ka një dëshirë: bashkimin e Shqipërisë më Kosovën, në rastin më të keq edhe në Bashkimin Evropian.
Ju jeni njëri nga ata që kur nisi lufta në Kosovë e hapët gazetën “Politika+”, pse?
Denion Ndrenika: “Hapja e gazetës në vetvete nuk përbënte asnjë shqetësim për mua dhe kolegun, bashkëpunëtorin dhe tash e 25 vite mikun tim Bledar Kuka. Ne kishim hapur dy gazeta në vitet 1992-1993 (“Bota e Sportit”) dhe 1996 (“Intermexo”). Pra, përvojën e kishim. Idea ishte e imja dhe e mbështetur që në bisedën e parë nga Bledari. Nuk kishte asnjë shans që të mos pajtoheshim për dy arsye: E para, ne kishim të përbashkët dy gjëra: As bënim hile, as ishim dembelë. E dyta, për ne Kosova ka qenë dhe mbetet kurdoherë Shqipëria Verilindore, pavarësisht emrit apo përpjekjeve mjerane të cilitdo që e sajon qoftë si entitet, qoftë me gjuhë apo dialekt e komb të veçantë. Mbi këtë formim tonin hapja e gazetës “Politika+” apo “Politika Plus” kishte synimin e plotë të dhënies së ndihmesës për luftën çlirimtare të trojeve etnike të Shqipërisë jashtë kufijve. Kjo nuk e vinte në pyetje shpenzimin financiar tërësisht nga puna jonë. Kishte ndodhur masakra e Jasharajve. Kishin ndodhur masakra plot nga serbët, qoftë të vogla apo të mëdha, si Reçaku. Për ne flijimi i Jasharajve, shqiptarëve të tjerë është vetëm dëshmi se sa ndryshe ishin ata nga një sërë njerëzish të sotëm pa mirënjohje, pa respekt, pa formim apo shqip pa burrni që janë në Shqipërinë Verilindore apo në Shqipërinë politike. Më lejoni të bëj një shtesë. Babai im, Dhimitër Ndrenika sot 88-vjeçar ka qenë pjesë e Brigadës së Tretë Sulmuese të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare që luftoi në Kosovë duke ndjekur Gjermaninë Naziste në ish-Jugosllavi. Më pas ai mbajti detyra të larta në ushtri deri në pensionim në 1985 dhe ndihmoi gjithashtu luftën çlirimtare të Kosovës në vitet ‘90, përfshi evidentimin e luftëtarëve duke qenë udhëheqës i Shoqatës së Ushtarakëve të Liruar dhe Pensionistë të Shqipërisë. Unë në fakultet kisha shokë, shumë shokë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe shteti maqedonas. Nga Istogu ishte bashkëstudentë në gazetari Besnik Kadaj, një mik i paçmuar i familjes time sa të kemi jetë! Besniku më dha lajmin e parë të hidhur për vrasjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Më thirri sapo u takuam në fakultet dhe u ulëm në kafe. E mbaj mend atë bisedë dhe duke qenë njeri që harroj fare pak, e tregoj ndoshta fjalë për fjalë: -Nik, çfarë ka bërë vaki? -Deno, e kanë vrarë. -Cilin? Komandantin? -Po Deno, bacën Adem Jashari! E kanë vrarë gjithë familjen, me fëmijë, gra e pleq! 60 vetë Deno! Normal që duke qenë disi larg për shumëkënd biseda jonë nuk do të thoshte asgjë. Për ne jo. Besniku ishte veprimtar i luftës, me uniformë dhe pjesëmarrrës në Betejën e Koshares. Për mua nuk ka rëndësi orientimi politik. Ndaj, nuk i përmend. Me Besnikun shënoj një nga çastet më të rëndësishme të jetës time, angazhimin sado të vogël, sado përsëlargu me luftën e Kosovës. Natyrisht, nuk do të thotë aspak se renditem apo se po renditem te njerëzit që duan të shënohen si veteranë. Duhet ta theksoj fort për çapaçulët që mund të thonë se po hiqem si njeri i luftës, ndonëse mund të jem diçka më shumë se ndokush tjetër”.
Cila ishte politika redaktuese e gazetës?
Denion Ndrenika: “Gazeta “Politika+” botohej një herë në javë, për çdo të hënë, mbështetur në mundësitë që kishim. Politika redaksionale ishte e qartë, siç e theksova që në krye: Ne kishim synim të tregonin çdo gjë dinim dhe mësonim për krimet e përjetshme sllave dhe veçanërisht serbe ndaj trojeve të Shqipërisë. Unë asokohe punoja në radion “Koha”.
Kush shkruante në gazetë pos juve?
Denion Ndrenika: “Në gazetat që kishim, përfshi “Politika Plus”, ka shkruar Genc Pollo, asokohe në opozitë me Partinë Demokratike, Enkel Demi, i cili ishte edhe kryeredaktor, Bledar Kuka, Arian Ndreu, Arben Subashi, Gjergj Koja bashkëstudent me ne, një tiranas që shkonte edhe në Has e Kukës, Genci Çobani, Neritan Alibali deputet i Partisë Republikane, E.Fuga, Koli Gjergji, Sokol Bregu që shkonte deri në Kukës, Dashnim Hebibi nga Presheva, Besnik Kadaj nga Istogu, Naser Pajaziti nga Kumanova, Shemsedin Ibrahimi nga Tetova, Bekim Hasani nga Ferizaji, Sabit Brokaj në atë kohë këshilltar i presidentit Rexhep Meidani, një ndër më të gatshmit në dhënien e shpjegimeve për ne, Ermira Veselini, Gerti Çarçani dhe editorialistë të huaj të marrë nga media ndërkombëtare”.
Kishit bashkëpunëtorë nga terreni?
Denion Ndrenika: “Pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve ishin të gazetës “Bota e Sportit”. Do të veçoja Rezeart Ekmekçiun në tërë rrethin e Elbasanit, një studiues shumë i mirë i kulturës popullore. Në Vlorë hera-herës shkruante gazetari Krenar Bino. Mirëpo, nga terreni i vërtetë ishin djemtë nga trojet jashtë Shqipërisë politike. Gazetat, pra të trija, shpërndaheshin në të gjithë Shqipërinë politike, që nga Kopliku në veri, në Konispol në jug. Nga Tropoja në verilindje, në Ersekë dhe Leskovik në juglindje. Padyshim, që “Politika+” më së shmuti dërgohej në zonat ku qëndronin të deportuarit”.
Intevistonit drejtuesit e UÇK-së?
Denion Ndrenika: “Po. Unë asokohe kisha drejtuesin politik Hashim Thaçi, të cilin e mora edhe për radion “Koha”. Më shumë ata ndihmonin si burime për shkak të angazhimit që pak krijonte hapësirë për biseda të hapura. Nga Shqipëria ka qenë gjithashtu ish-kryeministri Pandeli Majko, këshilltari presidencial Sabit Brokaj, ish-kryetari i Kuvendit, Skënder Gjinushi, ish-Komandanti i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Albert Brojka”.
A paguheshit për punën që e bënit?
Denion Ndrenika: “Fuqitë e gazetës ishin të pakta, andaj pjesa më e madhe e shkrimeve ishte vullnetare. Do të përdor një status që vendosa në profilin tim në rrjetin shoqëror “fejsbuku” (“facebook”) në 17 Shkurt 2015: “Bashkë me Bledar Kukën jemi të nderuar që botuam gazetën “Politika+” vetëm për luftën e lirisë së Shqipërisë Verilindore, Kosovës. Ne jemi dëshmuar me zemër e shpirt, aspak me fjalë dhe e mbajmë kokën lart për atë që kemi bërë për vendin tonë. Prandaj, theksoj përçmimin për batakçinjtë që nuk mbarojne kurrë si numra, por nuk fillojnë asnjeherë të jenë më shumë se numra batakçinjsh”.
A vërehej që kishte ndikim informimi që ju bënit?
Denion Ndrenika: “Po. Do të jap disa raste, që në këndvështrimin analitik të sotëm përgjithësisht qëndrojnë, por ndoshta do t’u ndryshoja mënyrën e publikimit. Një rast ka qenë kur Shaban Sinani, një njeri që kishte shumë lidhje me çlirimtarët më tha ose më bëri të kuptoja se UÇK do ta firmoste Rambujenë. Por, për ta konfirmuar duhej një zë publik, pra jo vetëm burim. Për këtë na ndihmoi intervista me zotin Brokaj. Titulli i gazetës në ballinë ka qenë: “Brokaj, Amerika garanci UÇK-së”. Ky mund të them që na shënoi thuajse-thuajse të parët me dhënien e këtij lajmi. Padyshim, nëse do të ishte në një medium të madh dhe me mbështetje politike, do të bënte më shumë bujë. Mirëpo, na gëzonte besimi që kishin ndaj nesh. Një rast tjetër ka qenë një editorial i shkruaj prej meje pas deklaratës së zotit Majko se duhet të reagonim si një komb i tërë. Unë shkruaja në titull: “Sa pret akoma zotrote të vrasë serbi, që të reagojmë sëbashku”? Natyrisht, ndoshta sot do ta ndryshoja fjalën “zotrote” drejtuar kryeministrit. Por, jo thelbin e editorialit. Zoti Majko ka qenë ndër 2-3 zyrtarët më të afërt që më tregonte mbi zhvillimet, pa përtuar asnjëherë edhe pse ishte kryeministër, madje edhe në orën 2 të natës. Ky editorial nxiti hidhërimin e një zyrtarët e kohës, zotit Kasem Seferi. Me të kisha një komunikim shumë të mirë, por shkëmbyem pak fjalë pasi më tërhoqi vërejtjen pas editorialit. Zoti Seferi ishte instruktor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe instruktor në mbamendjen time edhe i ekipit të ndihmës europiane për doganat “CAM Albania”. Zoti Seferi është një nga ekspertët më të mirë të ekonomisë në Shqipëri. Një rast tjetër ka qenë kur morëm një reagim nga Vatikani mbi një shkrim të Bledar Kukës me titullin “Kisha harron mëshirën për mijëra të vrarë, Vatikani fal mëkatet e serbëve”. Reagimi na erdhi nëpërmjet një letre të ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, të ndjerit Pjetër Pepa (ndërroi jetë në 2014). Letra e zotit Pepa nuk u botua prej nesh, pasi u dërgua edhe në gazeta të tjera, prej të cilave në mbamendjen time nuk e botuan të gjitha. Ka qenë rasti tjetër kur u vunë re lëvizje të ushtrisë greke në jug dhe ne dolëm me titullin “Shqiptarë, të mbrohemi”! Tjetër rast ishte informacioni që ne kishim për ekzekutimin e agjentëve të UDB-së, urdhërin për vrasje pa paralajmërim në Kosovë pas orës 19:00, shqetësimi për varrosjet e të deportuarve që nuk njiheshin cilët ishin apo shtimin e helikopeterëve amerikanë “Apache” me qëndrim në Shqipëri”.
Po me ngjarjet në Shqipëri a merreshit gjatë asaj kohe?
Denion Ndrenika: “Padyshim. Zinte vend zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Socialiste në qeveri atë kohë, pas largimit të zotit Fatos Nano me kandidaturë Arben Malajn apo Pandeli Majkon. Po ashtu Korridori i 8-të që shpjegohej se do të përfshinte Kosovën dhe krijimi i Zonave të Lira Ekonomike, shqetësimi për sëmundjet epidemike, vrasja e avokatit Kleanthi Koçi, ngjarje të tjera që lidheshin me krimin aq më shumë që Shqipëria sapo kishte kaluar krizën e vitit 1997 dhe çarmatosja e popullatës, ndotja me helmet kimike nga mbetjet e vjetra, çështja e parave të humbura në firmat piramidale”.
A është mbyllur gazeta apo është akoma?
Denion Ndrenika: “U mbyll. Qëllimi ynë ishte vetëm për periudhën e luftës. Theksoj pa asnjë cent të dhënë nga ndokush, madje as nga ata që renditen te patriotët. Nuk i kemi rënë pishman. Do ta bënim përsëri”.
Dihet që një kohë keni punuar në Prishtinë dhe keni punuar në radio, në çfarë konkretisht ishit i fokusuar dhe si iu dukej puna?
Denion Ndrenika: “Jetova në Prishtinë 2000-2002 ku veçoj të paharruarin mikun tim të ndjerë Rrahman Dini, një luftëtar i UÇK-së në Gollak në Brigadën 153 të drejtuar nga komandanti Adem Shehu nga Tirana. Ashtu siç ishin në luftë shqiptarët e Shqipërisë “Shpëtim Golemi”-Dilaver Goxhaj dhe Dritan Goxhaj, apo të ndjerët Indrit Cara dhe Tahir Sinani. Isha në pjesën e parë të shqiptarëve të të Shqipërisë që u shpërngulën atje. Në Prishtinë shkova për të marrë pjesë në Panairin e Librit. U ula në kafe me Besnik Kadajn, Migjen Gjonbalajn, gazetar, operator i televizionit “Klan” dhe me disa shokë. Aty pari kalon një djalë i ri asokohe, Valon Syla. Dukej i shqetësuar kur tregonte për radion “Blu Sky”, që u bë pjesë e RTK-së dhe sot është radio “Kosova 2”. “Blue Sky” ishte radio shumetnike, me program serbisht dhe turqisht. Valoni më fton të aplikoj, meqë thuajse tërë kohën kam punuar në radio, që në 1992-1993 në radio “Tirana”. I thashë “mirë” Valonit pasi Besniku më dha shtysë, por edhe duke i theksuar se unë isha me detyrë si zëvendësshef i redaksisë së gazetës “Republika” në Tiranë. U takova një ditë më pas me Refki Morinën, jo zëdhënësin e policisë si dhe me Sputnik Kilambin një vajzë nga India që drejtonte radion. Biseda ishte e thjeshtë dhe u pajtuam menjëherë. Që në fillim nisa me lajmet shqip që ishin në themel të radios, ndërsa redaksia serbe ishte autonome dhe drejtohej nga një vajzë më duket Svetlana quhej. Nuk e mbaj mend shumë, pasi punuam shkurt dhe patëm një përplasje të vogël për shkak se lexonte lajmet nga “Tanjug” që për mua ishte e papranueshme. Pastaj kolegia Anamari Repiç mori drejtimin e redaksisë serbe dhe ka qenë një bashkëpunëtore jashtëzakonisht korrekte. Në ato kohë erdhi Agron Rexha, një djalë nga Tropoja, operacional dhe profesionist në ndërtimin e lajmeve. Në kohën që isha Redaktor Përgjegjës, kujtoj plot respekt një ekip me gazetarë të kudogjendur, të papërtueshëm, pavarësisht mospajtimet që lindin nga puna apo nga mendimet e ndryshme. UNMIK-u “të zinte frymën”, por ne hapëm radion për luftërat e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në shtetin maqedonas. Më duhet të theksoj disa emra të tjerë që u bënë më shumë se kolegë për mua, miq të afërt. Arben Rasit ishte “gazetari i luftërave”, pasi shkonte në zonat e luftës në tërë Luginën e Preshevës dhe shtetin maqedonas. Bashkëpunëtorja e papërtueshme, Afërdita Rushiti, me të cilën transmetonim lajmet pothuajse kurdoherë dhe me energji. Mandej Albert Ademi, për të cilin një e dërguar e OSBE-së apo Komisionerit për Media më tërhoqi vërejtjen se kinse ishte “i Thaçit”, por që padyshim nuk ia pranova dhe ia bëra të qartë se për mua nuk ishte dhe se nuk e hidhja poshtë. Remzi Samakova ishte drejtuesi i teknikës, një djalë i jashtëzakonshëm nga Shkupi, thuajse i pagabueshëm. E kam një rast me Remziun dhe Albertin e Afërditën. Ndodhi një aksident në Therandë ku një kamion nuk ndali dot dhe u ndesh me mjete në Stacionin e Autobusëve. Në Therandë gjetëm korrespondentin Reshat Reshitaj. Alberti ishte në ankth, sepse unë kërkova të hynim në transmetim me lajm të fundit, por ishte pranë me minuta nga fillimi i edicionit qendror të lajmeve në 13:30. Hymë të tre në studio. Remziu në teknikë. U mora vesh vetëm me lëvizje të duarve lart e poshtë me Remziun për të lëshuar xhingllat e lajmit të fundit dhe të edicionit qendror. Pasi bëra lidhjen me Reshatin, u lëshua xhinglla e lajmeve dhe ia kalova fjalën Albertit me Afërditën. Ka qenë një transmetim shumë i mirë. Edhe ai me autobusin që shpërtheu në Merdare. Arben Rasitit i thash të nisje për atje me Ëngjëll Blakajn, shoferin, shumë i rëndësishëm në plotësimin e kuadrit të lajmeve dhe i shndërruar në mik të mirë. Arbeni mbërriti dhe hyri drejtpërdrejtë në lajme me numrin e të viktimave. Natyrisht, që u tha ndoshta 9 apo 10 dhe kjo na krijoi një debat me shefen ndërkombëtare të radios Theresse Obrecht nga Zvicra, një grua që nuk iu shterrën kurrë energjitë dhe angazhimi! U tërhoq vërejtja se përse Arbeni dha numër të lartë viktimash, ndonëse ai e bëri saktësisht duke cituar një ushtarak të KFOR-it në atë zonë. Në debat ishte edhe drejtori Zherka dhe Remziu, i cili na tregoi se ekishte regjistruar lajmin e Arbenit dhe doli siç ishte, pra me burim të vërtetuar nga vendi i ngjarjes. Kolegun Safet Kabashaj e kujtoj gjithashtu veçanërisht për diskutimet me këndvështrime të ndryshme që kishim dhe që në këtë rast kishte evidentuar tërë kohën e paraqitjes në lajme të partive politike, duke vërtetuar se edicionet tona ishin të paanshme. Ka pasur intervista me Ritvan Qazimin, të ndjerin Komandant “Lleshi”, Ali Ahmetin, komandant “Shkupin”, komandant “Shpatin”-Hajrullah Misini dhe shumë të tjerë drejtpërdrejtë nga zonat në luftime ku në shumicën dërrmuese ndodhej kolegu Rasit si dhe Arbër Xhaferrin e ndjerë. Nga Shqipëria në radio janë intervistuar prej meje deri sot e kësaj dite të gjithë presidentët që nga z.Meidani 1 herë, Alfred Moisiu 3 herë, Bamir Topi katër herë, Bujar Nishani ndoshta 3 herë, kryeministrat, kryetar të Kuvendit, ministra dhe kryetarët e partive Sali Berisha, Edi Rama, Sabri Godo, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli, Lulzim Basha, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa, Edmond Haxhinasto, Enver Hoxhaj dhe të tjerë pa vijuar me emra. Mbresa gjithashtu nga Azem Brovina, një gazetar i vjetër, redaktor i lajmeve dhe komentator sporti, me të cilin pavarësisht dallimit në moshë asnjëherë të vetme nuk patëm përplasje. Mandej, kolegët drejtorë Lekë Zherka dhe Sylejman Shaqiri, Arben Fetoshi, Gjylie Rexha edhe pasi u ktheva në Shqipëri ku jam korrespondent i radiove të RTK-së. Të pandashëm jo vetëm profesionalisht, por veçanërisht në kuptimin e problematikave, rëndësisë së lajmit dhe mbi të gjitha të një faktori vendimtar në radio dhe televizion: Punën në ekip, kokëulur dhe pa kapadaillëk”. Ajo që më mërzit është mosmirënjohja. Me jo pak kam edhe zhgënjime, natyrisht ata që besoj se u kam qëndruar pranë me vite. Megjithatë, me cilindo mbaj pjesën e interesimit shoqëror, sepse profesionalisht fatkeqësisht nuk kanë garantuar qëndrueshmëri. Marr shembull edhe nga sporti. Trajnerë qoftë edhe si Zhoze Murinjo, që përgjithësisht janë ngacmues, kudo që shkojnë bazën e skuadrës nuk e ndryshojnë. Marrin lojtarë të rinj për idetë që kanë, pavarësisht nëse dështojnë, por baza mbetet. Unë e kam këtë parim. Punoj me këdo dhe nuk cenojë askënd, veçanërisht kur edhe nëse është kundërshtar, angazhohet dhe përkushtohet. Angazhimi, përkushtimi, paanshmëia dhe mosmungesa e asnjë lajmi të vetëm, për mua përbën pasqyrën e vlerëismit të punës. Për fat të keq, jo gjithnjë funksionon, madje të hynë në hak. Në këtë rast edhe të krishterët edhe myslimanët thonë: “Zoti është i madh dhe i sheh të gjitha”.
Sot si e shihni Kosovën e pavarur dhe perspektivën e kombit shqipëtar?
Denion Ndrenika: “E shoh si shtet në formësim e sipër. Detyrimisht përballë problemeve të vazhdueshme që i kanë edhe shtete të tjera qindravjeçarë. Nuk shqetësohem nga problemet, sepse e di që çdo gjë do kohë të ndreqet. Dëshira ime dhe e çdokujt shqiptari është bashkimi. Qoftë ai edhe në BE. Dëshirat nuk shkojnë përherë me kushtet dhe sëpaku kur nuk i ndryshojmë, të mos i pengojmë”.