Dhënia e shtetësisë shqiptare shqiptarëve jashtë Shqipërisë

Qeveria e Shqipërisë ka nisur shqyrtimin e mundësive ligjore që shtetësinë ta përfitojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe të tjerët, por ende jo ata të Kosovës

 

Denion Ndrenika

Dhënia e shtetësisë së Shqipërisë për shqiptarët jashtë kufijve po shkon drejt “kategorizimit”, për shkak të statuseve të ndryshëm që kanë ata të trevat entike ku jetojnë. Qeveria e Shqipërisë ka nisur shqyrtimin e mundësive ligjore që shtetësinë ta përfitojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe të tjerët, por ende jo ata të Kosovës.
Problemi për Kosovën lidhet me qenien e saj në bisedime me Komisionin Europian për heqjen e vizave, të njohur ndryshe si lehtësimi i regjimit të vizave të udhëtim/qëndrimit afatshkurtër 90-ditor në hapësirën europiane “Shengen”. Kryeministri Sali Berisha ka pohuar se për këtë shkak, nuk do të mund të ketë veprime të afërta me Kosovën, përveçse pas përfundimit të procesit të vizave, që do të duhet të plotësohet me një marrëveshje të përbashkët ndërmjet qeverive në Tiranë dhe në Prishtinë.
Në një takim me të rinjtë e Partisë Popullore Europiane fundjavën e shkuar në Tiranë, Berisha tha se “Kjo për momentin ka një problem ligjor me Kosovën dhe kjo masë nuk mund të adaptohet pa një marrëveshje të veçantë me qeverinë e Kosovës”, pasi siç theksoi “Qeveria e Kosovës po negocion me Bashkimin Evropian procesin e liberalizimit të vizave”: “Në këto kushte, ne nuk duam në asnjë mënyrë të cenohet ky proces shumë i rëndësishëm për Kosovën e pavarur. Pasi të finalizohet ky proces, dy qeveritë do të ulen të negociojnë një marrëveshje për këtë çështje”.
Sakaq, gazeta “Koha Ditore” në versionin online raportoi se sot, e martë 12 shkurt, në Prishtinë do të qëndrojë një delegacion i Komisionit Evropian, për të dorëzuar raportin rreth vlerësimi të punës së institucioneve vendore në përmbushjen kritereve për liberalizim të vizave. Sipas gazetës, “ardhja e zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian për të paraqitur raportin rreth punës që kanë bërë institucionet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, nuk duket të jetë shumë shpresëdhënëse, vlerësojnë analistë të integrimeve evropiane”.
E njejta gazetë citoi Fatmir Currin nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur të kishte thënë se skandalet e fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në veçanti ai për keqpërdorimin e tenderit për pasaportat biometrike, kanë zbehur imazhin e Kosovës, tek institucionet evropiane. “Të gjitha premtimet e thëna do të thyhen sepse nuk është e mundur as teknikisht as politikisht që kosovarëve deri në fund të këtij viti të ju liberalizohen vizat. Viti 2013 do të jetë shumë i rëndësishëm sa i përket zbatimit dhe arritjes së kritereve, derisa diku nga mesi i 2014 duhet të shpresojmë që BE-ja të lëviz makinerinë vendimmarrëse, ne ndryshimin e disa rregulloreve, në mënyrë që Kosova të lëviz nga zona e zezë, në zonë e bardhë të Shengenit”-raportonte gazeta.
Për Luginën e Preshevës, zoti Berisha nuk foli me terma, por duke iu referuar shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, ata janë përftuesit kryesorë. Duke qenë pjesë të një vendi që ka lehtësi në lëvizjen pa viza në “Shengen”, përkatësisht Serbisë, banorët e Luginës së Preshevës nuk përballen me pengesa nga zyrtarët europianë dhe as nga praktikat ligjore. Kryeministri iu përgjigj një funksionari rinor të së djathtës europiane nga Portugali, i cili pyeti se meqë Shqipëria ka një numër shumë të madh të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, cili do të ishte roli i qeverisë për t’i mbajtur këta qytetarë dhe këtë komb bashkë?
Kryeministri e nisi shpjegimin me përmendjen e faktit se “Pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë në vende të tjera”: “Më pak se 1/3 e shqiptarëve jeton në Shqipëri e më pak se gjysma brenda territorit të saj. Në mënyrë proporcionale ne kemi një nga diasporat më të mëdha. Për këtë unë mendoj se është një detyrë thelbësore për atë që qeveris këtë vend për të menduar në mënyrë shumë serioze për këtë fakt. Unë po e mendoj seriozisht këtë gjë. Ne themi se bota është bërë një fshat. Po të marrim parasysh moshën dixhitale është më pak se një fshat. Kështu që e konsideroj të domosdoshme që bashkëkombësve kudo që janë, së pari t’u njihet shtetësia shqiptare. Për të gjithë shqiptarët e tjerë, qeveria shumë shpejtë do t’u njohë atyre shtetësinë shqiptare. Do t’u japë pasaportën shqiptare po ta duan. Në shumicën e vendeve të botës sot qytetarët kanë të drejtë të kenë disa shtetësi”. Sipas kryeministrit, ky veprim është shumë i mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në zonën e “Shengen”-it, që jetojnë në vende që kanë marrëdhënie të njëjta me Shqipërinë me zonën e Shengen-it.
Media në Tiranë raportoi se pavarësisht se në ministrinë e Jashtme nuk ka ndonjë projekt konkret mbi këtë çështje, përkatësisht dhënien e shtetësisë së Shqipërisë shqiptarëve në diasporë, ekspertët janë duke punuar për ta hartuar atë (projekt). Po sipas burimeve mediale, ky projekt do të mbështetet nga drejtoritë përkatëse në ministrinë e Jashtme te ligjshmëria e Bashkimit Europian, vendeve “Shengen” dhe procesit në tërësi.
Nëse procesi për dhënien e shtetësisë do të ecë përpara, atëherë të gjithë shqiptarët përfshi në Luginën e Preshevës do të aplikojnë në ambasadat e Shqipërisë, përkatësisht në Beograd, në konsullatat e Shqipërisë në Europë, në Amerikë dhe gjetkë, si dhe në të gjitha Zyrat e Gjendjes Civile në Komunat dhe Bashkitë e Shqipërisë.
Mirëpo, çështja në Shqipëri lidhet gjithashtu me periudhën parazgjedhore dhe frikën e përgjithshme se mos shtimi i numrit të shtetasve të Shqipërisë jashtë kufijve, mund t’i shndërrojë ata në votues me orientim nga Partia Demokratike e zotit Berisha. Kryeministri pohoi ndonëse jo për herë të parë, se “tani vjen problemi i votimit”. Ai tregoi se ishin bërë përpjekje që shtetësia shqiptare t’u jepej bashkëkombësve me mundësi që ata të jenë edhe votues, por nuk kishte pasur sukses pikërisht për shkaqe sipas tij, të diktuara nga Partia Socialiste opozitare.
“Opozita e kundërshtoi këtë me disa teza të regjimit të vjetër. Por, sidoqoftë, zgjedhjet janë zgjedhje dhe qeveria është e detyruar të bëj gjithçka për të siguruar opozitën në transparencën e këtij procesi. Kështu që në këto zgjedhje nuk qe e mundur që shqiptarët jashtë Shqipërie të mund të votojnë, të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Unë deklarova publikisht se ky vendim nuk nënkupton të drejtën e votës për këto zgjedhje. Jam i bindur se kjo do të arrihet, siç e kanë edhe shumica e vendeve të tjera, e kanë vendet Balltike, e ka Italia, shumica e vendeve. Është jashtëzakonisht e dhimbshme që të mendosh që t’u mohosh votimin bashkëkombësve të tu, në një kohë që ata kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e këtij vendi dhe ata janë aksionerë në vendin e tyre”-tha ai. Kryeministri shtoi gjithashtu se ky problem do të zgjidhet menjëherë me vendimin që do të merret për pak javë për shtetësinë e shqiptarëve jashtë Shqipërisë si dhe me të drejtën e votimit pas këtyre zgjedhjeve.
“Nuk dua që të krijohet përshtypja se po bëhet për të fituar vota”-përfundoi zoti Berisha.