Zbulohet një skemë financiare e pastrimit të parave, pjesë e të cilit janë shtetas italianë, Rezart Taçi dhe një shtetas zviceran
Elton Qyno, Ora News
SPAK njoftoi sot se ka sekuestruar shumën prej 18 milionë euro, ndërsa ka shpallur në kërkim Rezart Taçin dhe ka arrestuar dy njerëzit e tij, Bledar Lilon dhe Artur Balla.
Nga kërkimet e kryera nga policia rezulton se Taçi ndodhet në shtetin e Zvicrës. Në Tiranë është arrestuar ish-truproja personale e Rezart Taçit, Bledar Lilo dhe Artur Balla i cili është kunati i Rezart Taçit.
Mësohet se Artur Balla është djali i gjyqtares së Tiranës, Dhurata Balla.
Në këtë hetim janë përfshirë dhe 3 shtetas italianë banues në Palermo. Të tre përfaqësojnë një seri biznesesh në Palermo dhe qytete të tjera dhe dyshohet se janë të lidhur me rrjetet mafioze të “Cosa Nostra” në këtë qytet.
Ajo që bie në sy të SPAK është mënyra se si janë kryer transaksionet dhe mënyra se si është arritur të pastrohet një shumë kaq e madhe parash në Shqipëri dhe duke hyrë në llogaritë bankare të personave të arrestuar.
Bëhet fjalë për pastrim parash në biznesin e naftës, Rezart Taçi ka qenë një nga personat kryesorë të tregtimit të naftës në Shqipëri.
Rezart Taçi nuk përfaqëson vetëm tregtimin e naftës në Shqipëri, por edhe krijimin e një sërë biznesesh të tjera. Shumica e këtyre bizneseve kanë falimentuar dhe Taçi nga të dhënat dhe verifikimet është pozicionuar në Zvicër prej disa vitesh.
Transaksionet bankare
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera, njofton SPAK.
Në kërkim
– Rezart Taçi
Të arrestuar në Tiranë
-Artur Balla, kunati i Rezart Taçit dhe djali i prokurores së Tiranës Dhurata Balla
-Bledar Lilo, ish-truproja personale e Rezart Taçit
Shtetasit italianë
Në arrest shtëpie
-Francesco Zummo, 90 vjeç
I arrestuar
– Fabio Petruzzella , vëllai i një magjistrati të Palermos
I përfshirë në skemë edhe shtetasi italian Daniele Castagalli