Qeveritë përveç planifikimeve afatgjata si një mjet zhvillimi dhe për të dalë nga krizat kanë buxhetet vjetore të vendit të cilat financojnë politika e masa si për të dalë nga ciklet e ulëta të ekonomisë dhe për të përballuar kriza të mundshme
Shkruan Fatos Fico, ing.i Inovacionit dhe Zhvillimit Rural, Londër
Kërkimi në Google i fjalëve kriza të trefishta jep pothuaj 70 milion rezultate. Në vende të ndryshme, krizat nuk janë njëlloj dhe pse disa kriza jane globale. Në Shqipëri, njihen problemet në ekonomi, shëndetësi si pasojë e Covid, kriza energjitike, si pasojë e një krize që njihet në nivel botëror, ndryshimet klimatike. Një krizë që duket se po shfaqet në horizont për shumë vende e rajone është dhe ajo e rritjes së çmimit të ushqimeve.
Qeveritë përveç planifikimeve afatgjata si një mjet zhvillimi dhe për të dalë nga krizat kanë buxhetet vjetore të vendit të cilat financojnë politika e masa si për të dalë nga ciklet e ulëta të ekonomisë dhe për të përballuar kriza të mundshme.
Buxheti i vitit 2022 duket të jetë një pikë kthese për bujqësinë sepse parashikon ndryshime në masë financiare jo të mëdha, por që ndryshojnë filozofinë, strukturën e financimin publik të bujqësisë në Shqipëri. Hiqet kompensimi i tvsh prej 6% për fermerët, kjo një praktikë ku deri tani tvsh i paguhesh individëve e jo shtetit, si dhe rivendoset një tvsh me vlerë prej 10% për inputet bujqësore, pagesë e cila prej disa vitesh ishte zero. Qeveria thotë se do të heqë të gjitha përjashtimet nga taksat e tatimet e paratë e mbledhura nga tvsh do të j’a rikthejë nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë po fermerëve e bujqësisë.
TVSH dhe niveli i saj për inputet është një diskutim i gjerë e i hapur për shkak të llojshmërisë së fermave e zhvillimit ekonomik të një vendi. Eksternalitetet negative të plehrave kimike e pesticideve janë të njohur. Përdorimi i plehrave kimike në sasi më të mëdha se e duhura sjell varfërim të tokës, kosto të tepërta, e ndotje të ujërave e ajrit. Po ashtu ato që njihen si helme, pesticidet e herbicidet, kanë pasoja të forta, të dëmshme mbi natyrën. Eksternalitet pozitive të farave cilësore janë po ashtu të njohura, përtej rendimentit, përdorim më i pakët i inputeve të tjera, janë më resistente ndaj thatesirës e sëmundjeve të ndryshme.
Por, farat cilesore për t’u krijuar kërkojnë një investim të madh në kohë e kapital.
Farat moderne, inputet si plehrat, pesticidet dhe ujitja janë të ndërlidhura fort me rendimentin e prodhimit bujqësor. Kërkohet gjithmonë e më shumë prodhim për një popullësi në rritje, e më pak tokë bujqësore nën kultivim, për t’i lënë hapësirë edhe natyrës. Në vendet në zhvillim e me popullsi rurale të varfër si Shqipëria investimi në fermë, infrastrukturë bujqësore fizike e njohuri, janë pengesat kryesore për rritjen e prodhimit e për rritje ekonomike. Kjo lidhet me mungesën e kapitalit, por së pari me rriskun që janë gati të marrin përsipër fermerët në rolin e sipërmarrësit. Fermerët e vegjël shqiptarë përgjithesisht, nuk marrin risk të madh, ata më shumë përpiqen të shmangin humbjet se sa të kenë fitim të lartë. Kjo është normale sepse humbjet e mëdha i falimentojnë e nuk kanë mundësi rimëkëmbje, mbijetesa i mban në treg duke shpresuar për një përmirësim. Për të shmangur humbjet ata veprojnë sipas informacionit që kanë, njohurive, traditës, kapitalit e punës që mund të investojnë.
Faktorët e riskut
Inputet dhe faktorët që ndikojnë në prodhim mund t’i ndajmë në ato që rrisin riskun ose ulin riskun për prodhuesit. Farat moderne bëjnë të mundur rendimente të larta, por janë të shoqëruara me nje çmim të lartë e një proçes teknologjik të caktuar. Fermerët shqiptarë e kanë të veshtirë të zgjedhin fara të shtrenjta e cilësore për shkak të investimit fillestar e mungesës së besimit në rikthimin e investimit. Farat moderne e të shtrenjta e rrisin riskun për prodhuesit. Ekuilibri e fitimi ndodh kur rendimenti që merr nga një farë cilësore e kalon shpenzimin më të madh në krahasim me një farë tjetër më të lirë.
Plehëruesit kimik gjithashtu e rrisin riskun për prodhuesit, është një investim jo i vogël, shumë nuk kanë informaçion mbi sasinë e duhur, plehërimi bëhet me sy, shumë herë më shumë se duhet, por ankesa kryesore e fermerëve është se plehrojnë më pak se duhet për shkak të çmimit. Ekuilibri dhe fitimi është kur rendimenti i shtuar dhe paratë që merr për atë sasi prodhimi shtesë janë më shumë se paratë e shpenzuara për plehrimin që e bën të mundur atë. Aplikimi jo i duhur, e mungesa e ujitjes, mungesa e makinerive ulin efektivitetin e plehërimit.
Pesticidet ulin riskun. Përdorimi i tyre me kriteret e duhura garanton prodhimin. Pesticidet nga ana tjetër kane një ekulibër i cili arrihet kur kostoja e përdorimit të tyre e kalon dëmin e shkaktuar nga dëmtuesit. Rritja e kostos se pesticideve e ul shumë sasinë e numrin e herëve që mund të aplikojnë prodhuesit dhe i shtyn ata të përdorin helme të forta me spektër të gjerë per sa me pak aplikime, ose të mos i bëjnë fare ato. Në praktike vreshtat, drurët frutore kane nevojë për dhjetëra aplikime me spërkatje gjate ciklit prodhues. Serrat, po ashtu kanë rritje intensive e kushte potenciale të favorshme për demtues e sëmundje te cilat kërkojnë trajtime të vazhdueshme.
Nqs në një anë do të shikojme inputet që sjellin risk dhe e ulin riskun do të shikojmë se risku rritet me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore. Tvsh në nivel 10 % bazë do të thotë në terma praktike, rritje të çmimit final për prodhuesit shumë më të lartë.
Rritja e riskut do të thotë më pak prodhues, më pak prodhim dhe për ata prodhues që marrin përsipër riskun e investimin, rrjedhimisht çmim më të lartë në shitje.
Në një kohë kur familjet shqiptare shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave për ushqim kjo do të thotë se do të rriten edhe më shumë shpenzimet për atë.
Tregu global dhe Shqipëria
E njëjta situatë është dhe në botë ku kemi rritje të madhe të çmimeve të inputeve sidomos të plehrave kimike ku çmimet janë dyfishuar brenda vitit dhe në disa raste dhe katërfishuar. Shumë prodhues nuk do të mbjellin ose do të kultivojnë kultura që kërkojnë më pak plehrim. Kina ka ndaluar eksportin e plehrave azotike dhe fosfatit deri në qershor 2022. Ajo është prodhues i madh fosfatit dhe i një të tretës së eksportit të plehrave azotike në botë.
Shumë fermerë në vende të ndryshme tani nuk kanë më problem vetëm çmimin por të sigurojnë sasitë e duhura të plehrave.
Çmimet e ushqimeve janë rritur globalisht me rreth 30% përgjatë vitit të fundit si pasojë e pandemisë, inflacionit, kostove të shtuara te transportit, etj., e situata me inputet kimike po e bën rritjen e tyre të mëtejshme një mundësi reale jo shumë të largët.
Shqipëria pikërisht në këto momente nuk mund të rrezikojë rritjen e çmimit të prodhimeve bujqesore të saj duke rritur çmimin e inputeve direkte për fermerët me tvsh.
Aq më tepër që mbështetja me subvencione ka problemet e saj, psh ajo mund të kapet nga elitat ose oligarkët në gjuhë më popullore. 50 milion Euro subvencione nuk mund të shkojnë poshtë e të shpërndahen në 300 mijë ferma në mënyrë të padiskriminuar dhe pse diskriminimi aktual është pozitiv për rritje të prodhimit. Inputet bujqësore pa tvsh janë një masë transversale nga e cila përfitojnë më shumë prodhuesit e vegjël, familjarë, e ata të mbijetesës. Ata duhet të prodhojnë dhe në këtë situate pandemie e krizash, prodhimi i tyre është i domosdoshëm qoftë dhe sikur ata të prodhojnë ushqim sa për vete e të mos varen nga importi.
Ulja e riskut
Masa që ulin riskun janë infrastruktura në gjendje pune, e vaditjes, kullimit. Analizat e tokës për të aplikuar sasinë e duhur të plehrave kimike, besim më i madh te agronomët e fito farmacitë për aplikimin e duhur të pesticidive e plehrave.
Masë tjetër është lehtësimi i tregtimit direkt e tregtimit në përgjithësi që fermeri të përfitojë një pjesë sa më të madhe të çmimit të cilin e paguan konsumatori fundor. Në këtë skemë nuk ngarkohet as ky i fundit, e as fermeri veçmas me të gjitha kostot e shtuara, por i ndajnë, e ku të mund të kenë të dy palët, i pari rikthim të një investimi më të madh, i dyti një margjinalitet si kursim, i cili rikthehet përsëri si investim në ekonomi.
Teknologjia bujqësore përparon shumë shpejt. Sot pothuaj me të njëjtën sasi toke ushqehen dyfishi i popullsisë së mëparshme botërore e do të ushqehen edhe kur popullësia të shkojë në 10 miliardë banorë. Përhapja dhe zbatimi i teknologjive të reja është një masë tjetër mitiguese për riskun, rritjen e prodhimit e mirëqënien. Teknologjia është e kushtueshme, fondet publike mund të shkojnë shumë më mirë në teknologji të reja e infrastrukturë mitiguese, se sa në kompensimin e çmimit të inputeve, kjo e fundit do të na mbajë aty ku ishim. Shqipëria aktualisht duhet të investojë më shumë në masa që ulin riskun, mbajnë të qëndrueshëm e rrisin prodhimin bujqësor, i cili për fat apo për vullnet nuk mungon, e më vonë të kërkojë më shumë formalizim të TVSH.