Moskë, 13 nëntor 2021 – Të premten Rusia dërgoi parashutistë në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë, ku qindra migrantë po përpiqen të kalojnë në Bashkimin Evropian.
Kremlini tha se dërgimi i trupave ka të bëjë me një stërvitje të përshpejtuar. Por kjo lëvizje përkon edhe me shtimin e forcave ushtarake ruse përgjatë kufirit me Ukrainën ndërsa veprimi po shton alarmin tek evropianët dhe Shtetet e Bashkuara.
Moska është akuzuar se ka ndihmuar aleatin e saj, udhëheqësin e Bjellorusisë Alexander Lukashenko, për orkestrimin e kalimit të migrantëve në Poloni, si një formë ‘lufte hibride’ kundër Bashkimit Evropian dhe provokim ndaj bllokut.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë biseduar me aleatët e NATO-s lidhur me mundësitë se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për të gllabëruar pjesë të tjera të Ukrainës, siç bëri në vitin 2014 kur aneksoi Krimenë.
Më herët këtë javë, kryediplomati amerikan Antony Blinken tha se, “Nuk kemi qartësi rreth qëllimeve të Moskës, por e dimë si vepron ajo. Shqetësimi ynë është se Rusia mund të bëjë një gabim serioz duke u përpjekur të përsërisë atë që bëri në vitin 2014, kur grumbulloi forca përgjatë kufirit, u fut në territorin sovran të Ukrainës dhe pretendoi në mënyrë të rremë se ishte provokuar.”
Por nga ana tjetër, zyrtarët rusë mohojnë se shtimi i trupave në kufirin me Ukrainën ose dërgimi i parashutistëve në Bjellorusi është i pazakontë apo agresiv.
“Një njësi e parashutistëve rusë do të praktikojë më 12 nëntor zbarkimin në një territor të panjohur në rajonin Hrodna të Bjellorusisë si pjesë e stërvitjeve për të inspektuar gatishmërinë luftarake të parashutistëve”, tha përmes një deklarate të premten Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
Javën e kaluar, Presidenti Joe Biden dërgoi në Moskë drejtorin e CIA-s William Burns, për të theksuar shqetësimet amerikane mbi lëvizjet ushtarake dhe krizën e migrantëve në rritje, të shoqëruar me një luftë të ashpër fjalësh, akuzash dhe protestash diplomatike mes Bjellorusisë dhe Polonisë.
Polonia, Lituania dhe Latvia kanë forcuar kufijtë e tyre me Bjellorusinë në përpjekje për të ndaluar kalimin e turmave të mëdha të migrantëve.
Këto vende e akuzojnë Lukashenkon për krijimin e krizës së migrantëve si hakmarrje ndaj Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Bjellorusisë lidhur me zgjedhjet e debatuara dhe shtypjen e egër të protestave që sfidonin legjitimitetin e sundimit të Lukashenkos. Zgjedhjet u konsideruan gjerësisht të manipuluara.
Presidenti Lukashenko e ka mohuar me gjysëm zëri se ai po kërkon të shantazhojë Evropën duke u përpjekur të nxisë një krizë migrantësh, por tha se po reagonte ndaj presionit të huaj.
“Ne nuk po shantazhojmë askënd me migracion të paligjshëm”, u tha ai gazetarëve në Pallatin e Pavarësisë në Minsk në muajin gusht. “Ne nuk po kërcënojmë askënd. Por ju na keni vënë në rrethana të tilla që jemi të detyruar të reagojmë. Dhe ne po reagojmë.”
Vetëm në muajin tetor, Polonia regjistroi 15,000 tentativa për kalime të paligjshme të kufirit. Polonia dislokoi javën e kaluar 2,500 trupa të tjera në kufi, duke e çuar në 10,000 numrin e ushtarëve që patrullojnë kufirin.
Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Piotr Wawrzyk, tha: “Veprimet e ndërmarra nga autoritetet bjelloruse në javët e fundit kanë shenja gjithnjë e më të dukshme të një tensionimi të qëllimshëm”.
Të paktën 2,000 migrantë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë bllokuar në kufi në temperatura të acarta. Disa janë ankuar se janë rrahur nga rojet kufitare polake ndërsa i detyruan të kthehen mbrapsht në Bjellorusi. Organizatat humanitare kanë kritikuar si Poloninë ashtu edhe Bjellorusinë.
(Zëri i Amerikës)