Nimanbegu: Eurofondi synonte përfitimin, Mitroviq: Punëtorët u plaçkitën

Në seancën e 11-të të Komisionit parlamentar për Përcjelljen dhe Kontrollin e Privatizimeve, u shqyrtua procedura e privatizimit të Kripores së Ulqinit. Në seancë morën pjesë përfaqësuesja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik – Sekretarja e Shtetit për Turizëm Ivana Gjuroviq, përfaqësuesi i sindikatës së të punësuarve aktual Veselin Mitroviq, ish-punonjësi Dragisha Rosandiq , kryetari i Shoqatës së Aksionarëve të Vegjël Vlladan Gaçeviq, përfaqësuesja e Qendrës për Studimin dhe Mbrojtjen e Zogjve Jana Ikoviq dhe drejtori ekzekutiv i shoqatës ekologjike “OZON” Aleksandar Peroviq.

Deputeti dhe anëtari i këtij komisioni, Genci Nimanbegu, u shpreh i pakënaqur që në seancë marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Eurofondit, i cili ka në pronësi shumicën e aksioneve.

Pse duhet të jetë këtu Eurofondi? Nuk dua të gjykoj për Eurofondin. Politika e tyre ishte – blej një kompani me pak para, fut falimentimin, pushoj punëtorët dhe pastaj shes pronën. Këtë donin të bënin me Kriporen,  “Izbor” nga Tivari, apo  “Bjelasicën”. Ata deshën ta shisnin pronën e Kripores për 275 milionë euro. Imagjinoni si do të ishte nëse do ta realizonin këtë”.

Ish i punësuari në Kripore dhe përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve Veselin Mitroviq, foli për veprime të shumta të dyshimta të administratës së falimentimit, e ndër të tjera për gjoja vjedhjen e tonelatave të kripës dhe shitjen e pronës.

“Punëtorët e Kripores fillimisht u grabitën dhe u hodhën në rrugë. Grabitjen e organizoi dhe e kreu vetë pronari. Me një milion e gjysmë euro që na detyrohen, pesë vite përvojë pune të papaguara,  sot ne në fakt ne jemi një rast social.”

Pas diskutimit, anëtarët e Komisionit ranë dakord për shtyrjen e seancës, me qëllim që t’u dërgojnë ftesa për pjesëmarrje përfaqësuesve të Këshillit të Privatizimit të Mali i Zi dhe Administratës së Falimentimit të Kripores.

teutatv.com