Tabaku citon Linda Ramën: Shpresoj t’ia thotë KM në shtëpi fjalët “Më shumë respekt”

Nënkryetarja e PD-së, deputetja Jorida Tabaku ka cituar sot në parlament bashkëshorten e kryeministrit Edi Rama, znj. Linda Rama në debatin për etikën dhe fjalorin e përdorur në parlament. Duke iu drejtuar deputetëve të maxhorancës, ajo i sugjeroi t’i lexojnë këto fjalë kryeministrit, teksa tha se nuk ka përmenduar asnjë deputet personalisht, por është fyer dhe ofenduar dhe është dërguar në gjyq nga kryeministri.

“Më vjen keq që ky diskutim nisi e përfundoi si burra kundër grave dhe gra kundër burrave. Jam shumë dakord me zonjën Balluku se jemi këtu në politikë për t’i dalë zot çdo gjëje jo se jemi gra, por kemi ardhur këtu dhe besoj se secili i del zot vetes pa përdorur asnjë justifikim. Mua më vjen znj. Balluku që mund të jem i vetmi njeri në parlament në 9 vite që s’kam përmendur asnjë person personalisht. Jam fyer vetëm pse kam folur me shifra e fakte, edhe në gjykatë më ka çuar kryeministri juaj dhe kurrë nuk e kam dëgjuar një fjalë nga një koleg i juaji në mbështetje.

Doja me shumë respekt të citoja një zonjë që besoj për ju është e nderuar dhe që kryeministri e vlerëson që thotë: ‘Për mua kalimi i kufirit etik nuk duhet të ndodhë kurrë. Është përtej gjinisë, është përtej politikës, është përtej profesionit, është përtej gjithçkaje. Do të ketë kritikën time gjithkush që do ta kalonte këtë kufi’. Shpresoj që znj. Linda Rama që i ka thënë këto fjalë t’ia thotë kryeministrit në shtëpi, njëkohësisht t’i lexojnë dhe deputetët e PS. Ky parlament nuk mund të kthehet në një lumë e baltë akuzash dhe na takon ne të parëve ta bëjmë këtë.


Le të flasin për buxhetin se kanë dy ditë qytetarët që presin të dëgjojnë për buxhetin dhe dëgjojnë fyeje dhe akuza. Le ta ngremë standardin dhe nivelin e diskutimit. Të mos bëjmë se jemi të ofenduara pse jemi gra dhe femra. T’i dalim për zot asaj foltores me fakte e shifra. Besoj se kushdo në politikë e jep shembullin se si bën politikë. Nuk duhet ta bëjmë këtë diskutim këtu. Nuk është një debat mes nesh dhe zotërinjve në parlament. Është kthyer parlamenti në një lumë e baltë akuzash dhe qytetarët nuk po marrin vesh asgjë. Lexojani kryeministrit tuaj fjalët që zonja e tij ka thënë dhe unë ia lexova me shumë respekt”, deklaroi Tabaku.

Nga ana tjetër ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, i kujtoi Tabakut deklaratat e kreut të PD-së Lulzim Basha.

 

“Më vjen mirë që ju po përsërisni fjalën që unë thashë dje. S’ka diferencë nëse jemi burra apo gra. Kemi humbur kohën në retorikë, ndërkohë që këtu flitet për buxhetin 2022. Vazhdoj të bëj pyetjen, e dashur Joridë ku ke qenë ditën kur kryetari i partisë tënde i drejtohej një grupi prej 12 grash, se ju jeni kukulla dhe secila prej jush ka një kriminel dhe një oligark nga pas. Të biem dakord bashkë këtu që këtu ta kursejmë njeri-tjetrin, nga sulmet personale, nga etiketimet. Kemi vendosur të bëjmë këtë lloj pune dhe kjo nuk duhet të ketë kosto as për fëmijët e as për prindërit që kemi në shtëpi”, tha Balluku.