Tiranë, 18 nëntor 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një mesazhi në Facebook, ka bërë thirrje edhe një here për vetting në politikë.
Sipas Bashës, kapja e shtetit nga pushtetaret e lidhur me oligarkët e ka arritur nivelin më të lartë në rajon.
Ai ka thënë se edhe projekti i buxhetit të shtetit për vitin 2022 oligarkëve u siguron “thela” ndërsa qytetarëve u ofron “thërrime”.
Basha e ka publikuar edhe tabelën e një hulumtimi që e nxjerr Shqipërinë vendin më të kapur në rajon,madje shumë mbi vendet tjera.
Postimi i plotë i Bashës:
Kapja e shtetit nga pushtetarët e lidhur me oligarkët ka arritur nivelin më të lartë në rajon, duke dëmtuar tregun, duke rritur çmimet e vrarë vende pune. Prandaj, edhe këtë vit, projekt-buxheti po miratohet për t’u dhënë thelat oligarkëve dhe thërrimet qytetarëve. Që shteti të mos jetë në duart e një pakice të vogël njerëzish, që ekonomia të jetë konkurruese dhe sipërmarrësit e ndershëm të jenë të lirë të krijojnë mirëqenie, na nevojitet vettingu në politikë. Për pastrimin e institucioneve nga të gjithë ata që, duke abuzuar me pushtetin, kanë paralizuar demokracinë dhe kanë shkatërruar ekonominë e familjeve shqiptare.
(r.m.)