2 miliardë USD investime dhe 20 mijë vende pune vetëm në Shqipëri
Me këtë projekt, Shqipëria bëhet pikë kyçe në përfundimin e “unazës” ballkanike të gazit lidhur me projektin “Jonian Adriatik Pipeline” (“IAP”) dhe ndërthurrjen me Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Kroacinë
Denion Ndrenika
Shqipëria, Greqia dhe Italia firmosën marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit “Trans Adriatika Pipeline”, i njohur si “TAP”.
Marrëveshja u nënshkrua të mërkurën, 13 shkurt 2013, në orën 12:00 lokale në kryeqytetin e Greqisë, Athinë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Avramopulos (Dimitris L.Avramopulos) dhe ministri për Zhvillim Ekonomik i Italisë, Korrado Pasera (Corrado Passera).
Ministri theksoi se me këtë marrëveshje, Shqipëria ka mundësi furnizmi me gaz të lirë në një projekt me vlerë “mbi 2 miliardë dollarë amerikanë (USD) investime vetëm në territorin e saj” si dhe “do të krijojë në mënyrë direkte dhe të tërthortë, gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij 20 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar”.
Marrëveshja forcon mbështetjen dhe përgjegjësitë politike dhe ligjore të të tri vendeve dhe më gjerë për projektin “TAP”. Gazsjellësi ka rëndësi strategjike për Shqipërinë për përdorim të brendshëm duke mundësuar rritjen e burimeve energjetike dhe veçanërisht për rëndësinë nevralgjike me shumëfishimin e fuqisë energjetike që e shndërron vendin në epiqendër të shpërndarjes së gazit në rajon. Projekti “’TAP” në këndvështrimin strategjik, ofron rrugën më pak të kushtueshme dhe më të shkurtër gjithashtu për gazifikimin e vendeve fqinje Kosovë dhe Mal i Zi. Me këtë projekt, Shqipëria bëhet pikë kyçe në përfundimin e të quajturës “unazë” ballkanike të gazit lidhur me projektin “Jonian Adriatik Pipeline” (“IAP”) dhe ndërthurrjen me vendet e Ballkanit Perëndimor: Mal i Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.
Sipas ministrit Haxhinasto, “nëpërmjet realizimit të gazsjellësit TAP dhe disa termocentraleve për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike me gazin e siguruar nga ky gazsjellës, si dhe shtrirjes së rrjetit shpërndarës të gazit në të gjithë territorin e Shqipërisë, do të sigurohet një shkallë e lartë punësimi jo vetëm në vendet ku kalon traseja e gazsjellësit, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë që do të përfshihen në këtë rrjet shpërndarës dhe në ofrimin e shërbimeve të ndërlidhura në funksion të tij”.
“Kjo marrëveshje eshtë rezultat i një pune disavjeçare, intensifikuar ndjeshëm 2 vitet e fundit, duke bindur edhe organizmat dhe partneret ndërkombëtarë për rëndësinë strategjike dhe ekonomike të këtij gazsjellësi jo vetëm për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Jugor, por edhe për vetë Evropën”-komentonte zoti Haxhinasto.
Gazsjellësi “TAP” ka vlerë 41 miliardë euro, ndërsa vetëm në territorin e Shqipërisë shkon në 2 miliardë euro dhe thuajse 20 mijë vende pune. Gazi do të vijë nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik në Azerbajxhan për në Europën Perëndimore. Sasia e gazit që do të kalojë nëpër tubacione fillimisht do të jetë 10 miliardë metër kub për të arritur nivelin më të lartë në 20 miliardë metër kub në vit. Projekti “TAP” parashihet të ndërtohet ndërmjet viteve 2015-2018. Por, përzgjedhja mes projektit “TAP” dhe projektit konkurrent “Nabuko” do të bëhet në mars, ndërsa vendimi përfundimtar në qershor 2013.
Në kuadrin e Traktateve të Komunitetit dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë, kjo marrëveshje do të sigurojë bashkëpunimin e shteteve lidhur me dorëzimin në kohë dhe funksionimin efikas të gazsjellësit TAP. Kjetil Tungland, Drejtori Menaxhues i TAP-it, deklaroi: “Dëshiroj të falënderoj të gjithë qeveritë për mbështetjen dhe përkushtimin që solli sot nënshkrimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme. Kjo marrëveshje midis vendeve pritëse të TAP-it hap themele të forta dhe vendos sigurinë afat gjatë që nevojitet për të çuar projektin përpara drejt përzgjedhjes dhe ndërtimit. Tani ne shohim përpara që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të frytshëm dhe të bëjmë Projektin TAP një realitet”.
Sipas ministrit Haxhinasto, “përdorimi i gazit natyror në biznese dhe banesa, jo vetëm do të garantojë komoditet dhe siguri në furnizimin me lëndë energjetike të qytetarëve, por do të mundësojë eficiencë më të lartë dhe kosto qenësisht më të ulët për ngrohje, gatim dhe përdorim industrial”.
“Me pjesëmarrjen në gazsjellësin TAP, Shqipëria është vend përfitues i drejtpërdrejtë dhe për herë të parë siguron një lidhje të qëndrueshme dhe të aftë për të përballuar furnizim të plotë dhe cilësor për kërkesat në rritje të ekonomisë për energji. Përfshirja në këtë rrjet i siguron vendit mundësinë e përdorimit të gazit në prodhimin e energjisë elektrike me kosto më të ulët për qytetarët, duke ndikuar kështu pozitivisht dhe ndjeshëm në rritjen e mirëqenies së tyre. Njëkohësisht, TAP siguron edhe diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë me ndotje minimale në mjedis”-vijonte z.Haxhinasto.
Ministri vlerësoi gjithashtu punën e palodhur profesionale e ekipeve të METE-s, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, për të cilat tha se gjente rastin t’i falenderonte “thellësisht për kontributin në suksesin e kësaj marrëveshjeje”.
Kurse, Majkëll Hofmann, Drejtori i Punëve me Jashtë të TAP-it, deklaroi: “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje përforcon më tej mbështetjen e vendeve pritëse për TAP-in nga pikëpamja ligjore dhe rregullatore. Për TAP-in, kjo përmbyll marrëveshjen e fundit në rang të lartë politik ndërkombëtar, që është e rëndësishme për procesin e ardhshëm të përzgjedhjes nga Konsorciumi i Shah Deniz”.
Kryeministri Sali Berisha nisi mbledhjen e qeverisë në Tiranë me përshëndetjen e marrëveshjes së projektit strategjik ekonomik e zhvillimor për të tre vendet, rajonin e më gjerë: “Pas konkretizimit të projektit Shqipëria përfiton si dhe shumë qytetarë shqiptarë në procesin e gazifikimit të vendit. Potenciali energjetik i vendit shumëfishohet dhe rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë të jetë epiqendër e shpërndarjes së gazit në Ballkan”.
BOX
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt i tubacionit të gazit natyror. Tubacioni planifikon të transportojë gaz nga rajoni Kaspik nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë përmes detit Adriatik në Italinë jugore dhe më tej në Evropën Perëndimore. Projekti synon të përmirësojë sigurinë e furnizimit si dhe zgjerimin e furnizimit me gaz për tregjet Evropiane. TAP do të hapë të ashtuquajturin Korridor Jugor të Gazit për në Evropë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga deti Kaspik. Projekti është hartuar të zgjerojë kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 bcm në vit. TAP ka planifikuar edhe rrjedhjen e kundërt fizike deri në 80 përqind dhe opsionin për të zhvilluar mjedise për të ruajtur gazin natyror në Shqipëri për të siguruar më tej sigurinë e furnizimit gjatë çdo ndërprerjeje operacionale të furnizimit me gaz. Aksionerët e TAP-it janë Axpo i Zvicrës (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON Ruhrgas i Gjermanisë (15%).