Prishtinë, 22 nëntor 2021 – Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se Kosova nuk është duke u përfaqësuar ashtu siç duhet në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).
Hajdari duke folur në Komisionin për Ekonomi me temën “Barrierat tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”, tha se janë marr disa masa anti-dumping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë.
“Nga marrja e mandatit, e kam gjetur Kosovën në një situatë jo të barabartë që duhet përfituar nga CEFTA. Instrumenti CEFTA nuk i ka adresuar barrierat e Kosovës me Serbinë. Kosova nuk është e përfaqësuar ashtu siç duhet aty. Si është mundur që asnjëherë Kosova nuk ka dërguar letër në Sekretariatit për ta larguar termin UNMIK? Tash kemi dërguar letër [21 shtator] ku e kemi kërkuar këtë, jemi duke pritur mbledhjen e Sekretariatit për ta marr një përgjigje. Serbia është e njëjtë karshi Kosovës, kurse ne dëshirojmë që të jemi të barabartë. Nëse nuk jemi të barabartë, atëherë nuk mund t’i shtyjmë proceset”, tha Hajdari.
Ajo është shprehur se në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC) është duke ndërhyrë CEFTA.
“Kemi problemin rajonal me RCC, ku është problem njohja e diplomave. Edhe aty është CEFTA prezent. Kjo është një keqardhje se si CEFTA ka depërtuar aty. Sa kemi ne llogari të marrim në Sekretariatin e CEFTA-së, kur nuk ecin vendimet? Ne vazhdojmë zbatimin e ligjeve që janë të bazuara në procesin e reciprocitetin”, është shprehur ajo.
“Kemi marrë disa vendime anti-dumping. Masa e parë është për importin e miellit, ndjekur nga ajo e importimit të bllokave të kuq, ajo e importimit të drurit, ushqimit të koncentruar për kafshë dhe nisja e hetimit të importit të produkteve konditorike nga Serbia. Serbia çdoherë kërkon pajisjen e eksportuesve tonë me certifikatën fitosanitare të tyre. Kjo është një diskriminim”, ka përfunduar ajo.
(Telegrafi)