Basha: “Koha e Sali Berishës ka mbaruar”

Tiranë, 22 nëntor 2021 – Kryetari i Partisë Dmokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se liderit historik të kësaj partie, Sali Berisha, “i ka mbaruar koha”

“Sali Berisha ka demonstruar dy muajt e fundit se është një njeri dhe një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe. Është jashtë kohe me mënyrën se si është sjellë”, ka thënë Basha, në një intervistë për televizionin Vizion Plus.

Ai ka thënë se gjuha që po e përdor Berisha ia kalon edhe Edi Ramës.

“Me një gjuhë të poshtër, denigruese, e cila i ngjan, madje mund të them në disa aspekte edhe ia kalon, sulmeve që Edi Rama bën ndaj të njëjtëve persona”, është shprehur Basha.

Kryetari i PD-së, i cili e ka marrë përsipër largimin e Berishës nga grupi e deoytetëve të kësaj partie, e ka vënë partinë përpara interest të tij personal. Ai ka theksuar se një gjë të tillë nuk do të lejojë. 

“Rruga që Sali Berisha ka zgjedhur nuk ka asnjë lidhje më me vlerat dhe parimet për të cilat qëndron kjo parti, e ka bërë këtë sepse dëshiron, ka zgjedhur, të bëjë gjithçka për ta përdorur Partinë Demokratike edhe demokratët si mish për top për hallet e veta. Këtë nuk mund t’ia lejoj dhe t’ia fal asnjë demokrati të ndershëm”, ka thënë Basha, në një intervistë për televizionin Vizion Plus.

“Përpjekja për të tërhequr njerëz që kanë sakrifikuar për këtë parti në një betejë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e pafalshme, madje, do të thoja kriminale. Sepse është një betejë që çon në dobësimin dhe asgjësimin e Partisë Demokratike, si e vetmja alternativë, si e vetmja shpresë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo gjendje”, ka theksuar Basha.

Kryetari i PD-së, i kontestuar nga Berisha, Kuvendi i PD-së, i ftuar nga mbështetësit e Berishës më 11 dhjetor, nuk bazohet në statutin e partisë, prandaj është jolegjitim. Ai ka thënë se Kuvendi i PD-së do të mbahet më 18 dhjetor.

“Nuk ka Kuvend përjashtimi, ka Kuvend bashkimi”, ka thënë Basha.

“Statuti është i qartë. Ka një Kuvend, një Parti Demokratike, e cila do të marrë vendime, jo për hallet personale të askujt po për hallet e shqiptarëve, dhe, në raport me Platformën Qytetare për Demokraci, do t’i japë formë, do t’i japë substancë një lëvizjeje popullore e cila ngërthen interesat e shumicës, sepse ajo që kemi sot në Shqipëri është një pakicë e vogël njerëzish, pushtetarësh, politikanësh, oligarkësh, faktorësh të krimit të organizuar që e mbajnë gjithë Shqipërinë në duart e tyre, duke u pasuruar, duke u bërë gjithnjë e më të pushtetshëm përballë një shumice e cila po varfërohet ditë për ditë dhe, si rezultat, një pjesë e madhe po shikon largimin si të vetmin shpëtim. Pra, janë hallet e shqiptarëve problemi dhe agjenda jonë, jo hallet personale të askujt, qoftë ky dhe Sali Berisha”, është shprehur ai.

(r.m.)