Shkolla shqipe me një përvojë 14 vjecare, tashmë festimin e festës së 28-29 Nëntorit e ka përvetësuar si një traditë të shënuar në planin e saj vjetor
Nga Sonilda Kadria, mësuese
Nëntori mbart datat më të shënuara për kombin tonë. Diaspora feston kuq e zi. Shkolla shqipe “Alba Life” në Nju Jork këtë fundjavë festoi 109 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në çdo degë të saj (Bronx, Brooklyn,Queens dhe State Island) , si edhe në online. Shkolla shqipe me një përvojë 14 vjecare, tashmë festimin e festës së 28-29 Nëntorit e ka përvetësuar si një traditë të shënuar në planin e saj vjetor duke organizuar evenimente e programe të mëdha artistike . Klasa jonë me grupin e më të vegjëlve të titulluar si Filizat e Alba Life shkëlqenin si flamuri ynë me veshjet e tyre e gumëzhinin me këngët e vjershat kushtuar atdheut, gjuhës dhe flamurit. Pjesë e atmosferës festive ishte dhe vajza ime e vogël Amla, që akoma nuk ka mbushur dy vjec, e cila po valëviste një flamur kuq e zi me dorë.
Nuk di si të përshkruaj ndjesinë që të japin këta fëmijë tek recitojnë vargjet e Asdrenit “Sa te dua o Shqipëri” apo vjershën “Flamuri” të cilën e recitoi Arabella. Po nuk mund të lë pa përmendur sa bukur Keiti, një vajzë e re që nuk ka shumë që i është bashkuar klasës sonë këndoi këngën “Ty flamur të duam shumë” . Këto ndjesi janë të tilla , si ato që të rrënqethin mishin kokrriza -kokrriza! I tillë ishte dhe momenti tek po dëgjonim “Himnin e flamurit “ dhe nxenësit u ngritën në këmbë dhe vunë dorën në zemër në shenjë nderi.
Nxënësit kishin pikturuar flamurin më të bukur në botë me dockat e tyre te vogla.
Gjithashtu përveç recitimeve, këndimeve e vizatimeve nxënësit mësuan më shumë rreth këtyre datave dhe ngjarjeve. Mësuan për Ismail Qemalin, mësuan për Nëntorin e dytë, mësuan për Skënderbeun, mësuan për Marigonë,mësuan për Çlirimin e vendit etj.
Mësimdhënia online ka bërë që prindërit të përfshihen akoma më shumë në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe gjithmonë e më shumë ata po bëhen bashkëpunues për të çuar përpara këtë mision kombëtar. Edhe prindërit festuan së bashku me ne, madje disa prej tyre kishin veshur bluzë me flamurin kombëtar. Të gjithë uruam njëri-tjetrin për Pavarësinë e Shqipërisë.
Trekëndëshi prind – mësues – nxënës është mjaft i rëndësishëm. Prindërit shprehen se janë falenderues e janë shumë të kënaqur me punën e shkolles shqipe “Alba Life” . Janë shumë krenarë me fëmijët e tyre që po mësojnë shqip. Edhe unë kam mësuar shumë prej tyre, kam mësuar shumë fjalë dialektore prej tyre gjatë orëve mësimore. Ajo çka pata mësuar gjatë studimeve të mia për shqiptarët në diasporë, arbëreshët, arvanitasit, shqiptarët e Amerikës kudo gjetkë po e shoh tashmë konkretisht te shqiptarët e ardhur herët në Amerikë se si e kanë ruajtur gjuhën shqipe, ata flasin një shqipe të vjetër , flasin shqipen të cilën e kanë marrë dekada më parë dhe e kanë ruajtur të tillë, ndërkohë që gjuha shqipe brenda kufirit , në shtetin amë ka pësuar ndyshimet e kohës nën trysninë e standardit e zhvillimeve historike , politike dhe zhvillimit teknologjik. Shumë prej fjalëve nuk ua dija kuptimin.
Te bëhet zemra mal kur kaq larg oqeanit në një komunitet shqiptar me numër jo të vogël bukës i thonë bukë e ujit ujë.
Jam shumë krenare dhe e lumtur që po festojmë në këtë mënyrë 109 vjet pavarësi, që së bashku me këta nxënës të vegjël, me zemrën flakë për Shqipërinë, ne po çojmë përpara amanetin e të parëve , të rilindasve e të atyre që luftuan fort për gjuhën e kombin.
Gëzuar Pavarësinë Shqipëri! Gëzuar Festën e Flamurit dhe të Çlirimit!
Gëzuar Shkolla Shqipe “Alba Life” ! Gëzuar themeluesit e shkollës shqipe, çifti Zylo!
Gëzuar të gjithë ju kolegë , nxënës e prindër!
Gëzuar festën kombëtare të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës! Gëzuar për jetë e mot!
New York , Nëntor 2021