Miratimi i marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim ndërkufitar në kuadër të Ballkanit të Hapur solli debate në Kuvend.
Deputeti Tritan Shehu akuzoi qeverinë se e ka futur në qorrsokak politikën e jashtme duke u kthyer në tellall të projekteve të Vuçiç.
Ndaj ai e ftoi të fokusohet vetëm te projektet e financuara nga BE.
Shehu: Fatkeqësisht kjo qeveria në problemet dhe marrëdhëniet rajonale është orientuar kokëposhtë, duke hyrë në aventura të rrezikshme, aspak të përputhshme me interesat tona si shtet, ato kombëtare dhe ato rajonale dhe integruese. Kjo bëhet shkak për konfuzion dhe te parnerët tanë duke i çorientuar me konfuzionet tona. Nuk duhet të degdisim veten tonë në lindje. Kjo ndodh duke u bërë pjesë e tellalit të Ballkanit të Hapur, projekt i iniciuar, kontrolluar dhe garantuar nga Vuçiç pa asnjë kontribut të BE si IPA që votojmë sot.
Nuk duhet të harrojmë ngjarjet e fundit në kufirin Serbi-Kosovë ku u vendosën armatime të rënda ruse, provokacionet e fundit në Mal të Zi nën maskimin fetar.Ballkani i Hapur po mbyllet gjithmonë e më shumë, nga 3 shtete u bënë 2.5. Maqedonasit votuan kundër tij. Kosova nuk mund të jetë në një tryezë të drejtuar nga Vuçiç që nuk e njeh, është vetëm një karikaturë imagjinare.Vetëm nisma e BE aktualisht mund ti vendosin të gjitha vendet tona si të barabarta, në tejkalimin e problemeve reale të Ballkanit Perëndimor.
Nuk kemi dëgjuar asnjë mbështetje nga Brukseli dhe vendet anëtare. Nuk ka mbështetje nga Gjermania, Austria, Italia, Greqia, përkundrazi ka një heshtje mohuese dhe vetëm kujtesa për projektet reale të Brukselit.Të koncentrohemi në projektet rajonale të BE, të përgatitemi secili vend për integrimin europian ndryshe mbi Shqipërinë dhe rajonin do përsëritën tragjeditë e të kaluarës. Procesi i integrimit europian nuk është kolektiv por individual sipas arritjeve të secilit vend. Teoria e kondicionimit nga Maqedonia e Veriut nuk është e vërtetë, duhet të plotësojmë standardet tona dhe të ballafaqohemi me Brukselin. Serbia një këmbë e gjysëm e ka në Moskë dhe vetëm gjysmën në BE.
Në replikë me të, ministrja e Jashtme Xhaçka e ftoi të ruajë traditën e mospërdorimit të politikës së jashtme për politikë të brendshme.
Xhaçka: Në Shqipëri ka pasur një traditë të konsoliduar ndër vite, mospërdorimi i politikës së jashtme për përfitime të politikës së brendshme. Është e prapranueshme dhe e pakuptueshme të dëgjosh histori me komplote, po i shitet Ballkani Serbisë, në mos Serbisë Rusisë dhe Kinës. Po tradhëtohet Kosova. Janë akuza të pavërteta dhe të panevojshme. I fryn zjarrit që i ka kushtuar aq shumë Ballkanit në shekuj dhe jemi duke u përpjekur të gjithë bashkë për të punuar që ta fikim, patjetër me mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë.
Nuk është nismë e PS por një proces i konsolidimit të linjave të politikës së jashtme të Shqipërisë ku edhe PD ka dhënë kontributin e saj. Ballkani i Hapur është nismë shumë e guximshme dhe ka potencialin të transformojë rajonin nga arenë sherresh shekullore në një hapësirë bashkëpunimi dhe zhvillimi. Kjo është arsyeja pse gëzon mbështetjen e aleatëve. Nuk e kemi harruar Kosovën me Ballkanin e Hapur. Kosova është çështja jonë kombëtare dhe interesi jonë kombëtar.
Shehu: Jam dakord, Ballkani i hapur nuk është nismë e përgatitur në zyrat e PS por në zyrat e Vuçiç. Keni shmë të drejtë dhe ju jeni bërë tellall i këtij projekti që bie ndesh me interesat e Shqipërisë dhe Kosovës. Pse e sulmoni kaq egër Kosovën në çdo sekondë. Po e futni në impakt negativ gjithë Ballkanin, po çorientoni partnerët.OraNews