Ipeshkvia e Kosovës e vlerëson mbështetjen e shqiptarëve të Amerikës

Prishtinë, 29 nëntor 2021 – Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, në vigjile të Festës së Flamurit, bëri një vizitë të shkurtër në Kosovë. Ai vizitoi Kompelsin Memorial në Prekaz dhe disa monumente e objekte të trashëgimisë kulturore e historike të Kosovës.

Gjatë vizitës në Prishtinë, z.Bajrami bëri edhe një vizitë në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë, ku u prit nga Don Lush Gjergji, këshilltar i Ipeshkvit të Kosovës.

Don Lush Gjergji, biograf i Nënës Terezë dhe veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, e vlerësoi mbështetjen e madhe të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen shqiptare, veçanërisht për çështjen e Kosovës.

Ai tha se shqiptarët e Amerikës e kanë dëshmuar lidhjen e fuqishme shpitërore me atdheun e tyre të parë, me kontribute të pakursyeshme për afirmimin e çështjes shqiptare, sidomos të çështjes së Kosovës, në institucionet shtetërore e përfaqësuese amerikane në Uashington, me mbështetjen e rezistencës politike e të rezistencës së armatosur deri në çlirimin e Kosovës dhe me përkrahjen e procesit të shtetndërtimit, zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë.

Don Lush Gjergji tha se komuniteti shqiptar në Amerikë, krahas ndihmës financiare për veprimtari të ndryshme shoqërore, kulturore e të tjera në Kosovë, ka dhënë ndihmë shumë të çmueshme edhe për rindërtimin e objekteve të kultit, të shkatërruara e të djegura gjatë luftës, si edhe për ndërtimin e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Ai tha se shqiptaro-amerikanët, të krishterë dhe muslimanë, kanë siguruar një pjesë të madhe të fondeve për ndërtimin e Katedrales, duke e vlerësuar atë jo thjesht si një objekt të kultit, por si një objekt të shpërfaqjes së historisë e të identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve.  

Don Lush Gjergji e vlerësoi lart edhe rolin e gazetës “Illyria” në bashkimin e shqiptarëve të Amerikës rreth kauzës kombëtare kryesore të fundshekullit të kaluar, lirisë e pavarësisë së Kosovës, si edhe në afirmimin e kësaj kauze në qarqet me ndikim në administratë dhe në jetën politike të Amerikës.

Ai e falënderoi z. Bajrami edhe për mbështetjen personale të tij për veprimtari të ndryshme me interes për çështjen kombëtare.   

Botuesi i gazetës “Illyria”, i cili konsiderohet si njëri ndër njohësit më të mirë të komunitetit shqiptar në Amerikë, tha se ky komunitet ka qenë gjithmonë i bashkuar rreth kauzave kombëtare, pavarësisht prej përkatësive fetare e krahinore dhe pikëpamjeve të tyre politike. Ai tha se ky unitet është shprehur në të gjitha fazat e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për demokratizimin e Shqipërisë dhe për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve të të gjitha trojet etnike.

Z. Bajrami tha se shqiptaro-amerikanët i kanë mbështetur pa rezervë projektet që janë vlerësuar me interes edhe për afirmimin e trashëgimisë kulturore e shqiptërore, si dhe veprimtaritë botuese e kulturore, kudo në hapësirat shqiptare. Ai tha se në të gjitha tubimet fond-mbledhëse, përfshirë edhe ato për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, është dëshmuar jo vetëm lidhja e fuqishme shpirtërore me atdheun e me kombin, por edhe ndjenja e forcimit të bashkëjetesës fetare në trojet etnike shqiptare.

Gjatë vizitës në Katedrale, z. Bajrami u impresionua kur pa emrat e miqve të tij dhe të gazetës, të skalitur poshtë ikonave të shenjëtorëve dhe dishepujve të krishterimit, në vitrazhet prej qelqi. Ai tha se ndjehej veçanërisht mirë që në këtë mënyrë u shprehej mirënjohje shqiptaro-amerikanëve atdhetarë e zemërgjerë.

Gjatë vizitës në Kosovë, Vehbi Bajrami, ishte bashkë me vëllain e tij, Shaipin, i cili kishte ardhur nga Kroacia.

 

 

Don Lush Gjergji dhe Vehbi Bajrami
Don Lush Gjergji me vëllezërit Vehbi e Shaip Bajramin

(Ramadan Muçolli)