Shkolla Shqipe “Alba Life”Ambasador i Kombit në mjediset universitare të St. Francis College në Brooklyn

Nga Keze Kozeta Zylo                                    

Dita e shenjtë e Flamurit Kombëtar festohet me madhështi nga e gjithë Diaspora anë e mbanë globit.  Doemos kjo festë duket sikur bashkon gjithë shqiptarët, veç ziliqarët dhe politikanët s’ka arritur akoma t’i bashkojë…

Ndonëse është përsëri kohë pandemie, por me kushte më të zbutura përsëri aktivitetet shumë të rëndësishme nga Diaspora Shqiptare në Amerikë nuk kanë munguar.  Shkolla Shqipe Alba Life çdo vit e feston Ditën e Shenjtë të Flamurit dhe e ka në programin e saj.  Javën e kaluar mori pjesë me krenari të ligjshme me një program artistik në Akademinë përkujtimore kushtuar 66 vjetorit të ditëlindjes së Heroit legjendar Adem Jasharit si dhe të 109 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë që u zhvillua në Qendrën “Illyria” siguruar nga z.Mark Gjonaj këshilltar i Bashkisë së Nju jorkut dhe që kemi pasur nderin të parët si shkollë për t’i përdorur këto mjedise tejet komode. 

Sot Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx të shoqëruar nga koordinatorët znj.Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, anëtar i Stafit të TV “Alba Life” z.Elton Xhaferri si dhe nga mësueset Fatbardha Shiqerukaj dhe Majlinda Tafaj shkuan pranë kolegjit St.Francis dhe festuan 109 Vjetorin e Pavarësisë me një grup studentësh eksellent shqiptarësh nga St.Francis College Brooklyn, kolegj i krijuar që nga viti 1859.

Ftesa dërguar z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” nga z. Arkelino Hila president i Klubit Rrënjët Shqiptare në St.Francis College u mirëprit me plot dashuri dhe përkushtim. 

Kjo natë festive në kolegj në Ditën e Flamurit nderonte gjithashtu sportistët e dalluar në atletikë dhe studentët që kanë dhënë kontribute të dukshme në shumë fusha.

Ajo që të bën përshtypje është se ky klub është me studentë të shkëlqyer dhe inkurajojnë fuqimisht çdo student të kolegjit që të përfshihen dhe të kontribuojë sa më shumë në jetën studentore.

Më duhet të shtoj se ishin këta studentë të klubit  që erdhën si ekip si pranë shkollës në Bronx si: Albion Veliu, Adjola Rrashi, Kleid Saraci, Emiljan Bodini, Sarah Shurdha, Herta Hada, Xhessika Hasankolli dhe Alkida Koleci të cilët vlerësuan me pllakën e mirënjohjes dhënë nga zonjusha Megi Rama me motivacionin: “Certifikatë mirënjohje Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit për kontribut të jashtëzakonshëm në Komunitetin shqiptar në mësimin e Gjuhës Shqipe, kulturës dhe traditave, fëmijëve me origjinë shqiptare.”.  Ata premtuan para nxënësve se do të kenë lidhje të vazhdueshme dhe ja erdhi Dita e Flamurit dhe u bënë bashkë në këto mjedise me studentë elitarë. 

Koordinatorja e Shkolles Shqipe “Alba Life” ne Bronx znj. Arta Xhaferri pershëndeti të gjithë studentët në emër të Bordit dhe mësuesëve si:  Mirëmbrëma të dashur studentë dhe pjesëmarrës në këtë aktivitet,

Është kënaqësi si koordinatore të jem me ju dhe të festojmë së bashku Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar. Ne kemi ardhur sot këtu si Shkollë Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në emër të mësuesve dhe stafit të saj ju përshëndesim dhe ju përgëzojmë që mbani gjallë traditat shqiptare. Sot jam këtu me Blerim Gjocaj koordinator si dhe mësueset Fatbardhën dhe Majlindën dhe disa nxënës për të performuar dy valle të bukura shqiptare si vallen e Tropojës dhe të Kosovës udhëhequr nga këto mësuese të përkushtuara. Jemi krenarë me ju dhe le të valëvitet lart Flamuri  Shqiptar.

Ne jetojmë në këtë vend ku të gjithë amerikanët kanë mundësinë e mahnitshme për të shfaqur patriotizmin e tyre duke mbajtur me krenari flamurin Amerikan.

“Le të valëviten të dy flamujtë përgjithmonë në paqe!

Duajeni Amerikën, vendin më demokratik në botë dhe i mundësive më të mëdha.

Zoti e bekoftë Amerikën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Në këtë aktivitet kishte miq të ftuar si tenori Isli Ademi, Kledi Roda president i parë i klubit dhe Fatime Dukova ish presidente e klubit.

Pjesëmarrësit u argëtuan me ushqime të shijshme tradicionale shqiptare si dhe vazhduan me aktivitete dhe ceremoni të tjera sportive.

Të gjithë të rinjtë kudo ku janë, nxënësit e Alba Life dhe studentët shqiptarë nëpër Kolegje janë e ardhmja e diasporës, ata janë dritë kombëtare që duhen mbështetur për të fluturuar të lirë si shqiponja në hapësirat pafund. 

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar te gjithëbashkëkombasve tanë!

 

30 Nëntor, 2021

New York