Vdiq ish-senatori amerikan, Bob Dole

Uashington, 5 dhjetor 2021 – Ish-senatori amerikan, Bob Dole, vdiq të dielën në moshën 98-vjeçare.

“Senatori Robert Joseph Dole vdiq në gjumë, mëngjesin e sotëm”, njoftoi familja e tij, përmes një deklarate.

“Ai u ka shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës për 79 vjet”, tha familja.

Në muajin shkurt të këtij viti, senatori Dole kishte njoftuar se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.

“Kam disa vështirësi përpara, por gjithashtu e di se iu bashkohem miliona amerikanëve që përballen me sfida të konsiderueshme shëndetësore”, kishte thënë Dole.

Bob Dole ka shërbyer shumë vjet si udhëheqës i shumicës në Senat. Ai ka qenë një autoritet shumë i respektuar ndër republikanë. Ka qenë edhe kandidat i Partisë Republikane për President të SHBA-së në vitin 1996.

Bob Dole ka qenë një prej personaliteteve amerikane më të dashura për shqiptarët, sidomos në Kosovë. Në vitin 1990, Dole e kishte udhëhequr një delegacion të SHBA-së që e kishte vizituar Kosovën dhe kishte parë nga afër persekutimin e shqiptarëve nga policia serbe.

Prej atëherë ai është angazhuar fuqishëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës, duke u bërë zë i fuqishëm i aspiratës së popullit të Kosovës në Uashington.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e kishte dekoruar Senatorin Dole për kontributin e tij shumë të madh për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Rugova e kishte emëruar Senatorin Dole edhe Ambasador Nderi të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në gusht të vitit 2020, në Rrugën Bob Dole, në pjesën qendrore të Prishtinës, është ngritur busti i Senatorit Dole, në shenjë mirënjhjeje për mbështetjen e Kosovës.

Në atë kohë, përmes një video-mesazhi, Dole kishte shprehur mirënjohje për nderin që i bëhej nga populli i Kosovës.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën e para 30 vjetëve. Tridhjetë vjet kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, kishte thënë Dole.

(r.m.)