Tiranë, 5 dhjetor 2021 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se ai është shpallur person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për shkak se ka dalë në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës.
Nga “Fltorja” virtuale me shqiptarë të Amerikës, Berisha u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve që të mobilizohen për mbojtjen e Kosovës nga projekti për ndarjen e Kosovës.
Ai theksoi se ka vendosur të rikthehet në politikë “për të mbrojtur Kosovën, interesin publik”.
“Më datë 20 maj, pasi mendoja pothuajse gjithë natën përse ma bënë këtë, çfarë kam bërë? Kam punuar për 30 vite për atdheun dhe arrita në përfundimin se nuk kishte qëllim tjetër veçse mbrojta që i kam bërë Kosovës. Menjëherë vendosa, nga një njeri që isha betuar të mos kthehesha në politikë, të kthehem fuqishëm për të mbrojtur Kosovën, interesin publik, deri në fund të jetës time. Ju bëj thirrje, duke e ditur rolin tuaj të jashtëzakonshëm, që të mobilizoni forcat për të mbrojtur Kosovën nga projektit e Vuçiqit dhe veglës së tij Ramës në Tiranë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh kritike edhe për ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, të cilën e quajti “sekretare ideologjike të Partisë Socialiste”
“Dy fjalë për zonjën ambasadore që shpesh i lejon vetes të bëjë sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste. Dy momente për mua janë të papranueshme: përgëzimi që i bëri zgjedhjeve dhe, së dyti, thirrja që u bën gazetarëve për të vendosur censurë ndaj ‘Foltores’ dhe Sali Berishës. Për mua përbën shkelje të Kushtetutës amerikane që garanton më mirë se të gjithë lirinë e shprehjes dhe fjalës”, u shpreh Berisha.
Berisha garantoi se Partia Demokratike, kur të vijë në pushtet, do të krijojë “marrëdhëniet miqësore më të shkëlqyera” me SHBA-të.
“Asgjë nuk e humb respektin tonë për vendin e madh të lirisë. Jam i bindur që Partia Demokratike në pushtet do ndërtojë marrëdhënie të shkëlqyera me vendin ku ju jetoni”, theksoi ai.
(r.m.)