Tiranë, 7 dhjetor 2021 – Dy operatorë të sektorit energjetik kërkojnë rritje të tarifave të energjisë elektrike. Shkresat do të shqyrtohen nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili do të vendosë brenda vitit për ndryshim të çmimit ose jo.
Enti Rregullator i Energjisë po shqyrton mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë. Dy operatorë të sektorit energjetik OSSH dhe OST, kanë kërkuar që tarifat të rriten nga viti ardhshëm, duke dhënë edhe propozimet konkrete.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kërkon rritje të tarifës mesatare të shpërndarjes së energjisë me 34%. Nga 4.79 lekë për kilovat orë që është sot, të bëhet 6.42 lekë për kilovat orë.
Operatori i Sistemit të Transmetimit propozon gjithashtu rritje të tarifës mesatare të transmetimit të energjisë me 96%. Nga 0.75 lekë, në 1.54 lekë për kilovat orë.
Ky nuk është çmimi për kilovat që paguan qytetari apo biznesi në faturën e energjisë, por pranimi i kërkesës nga ERE, mund të diktojë rritje edhe për to. Qeveria nga ana tjetër është zotuar se çmimi për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël nuk do të rritet.
Shkresa të ngjashme në adresë të ERE-s, janë bërë edhe vitet e shkuara, ku rritja e çmimit është kërkuar për rregullim të tarifave në treg.
Fjalën e fundit për ndryshimin e çmimit pritet ta japë bordi drejtues i ERE-s brenda muajit dhjetor.
(Euronews.al)