Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të martën në mbrëmje një projektligj, falë të cilit do të sigurohen 768 miliardë dollarë për ushtrinë amerikane për vitin fiskal 2022.
Miratimi i tij, me 363 vota pro dhe 70 kundër, erdhi pas disa javësh mosmarrveshjeje mbi çështje të ndryshme mbi buxhetin vjetor të mbrojtjes. Varianti përfundimtar i ligjit, i cili u hartua gjatë seancash me dyer të mbyllura me pjesmarrjen e drejtuesve të të dyja dhomave të Kongresit, parashikon krijimin e një komisioni të pavarur për të hetuar luftën 20-vjeçare të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, si dhe 300 milionë dollarë ndihmë për forcat e armatosura të Ukrainës.
Po kështu në të përfshihet një deklaratë që ofron mbështetje për Tajvanin, në kushtet kur Kina po përpiqet ta aneksojë, qoftë edhe duke përdorur forcën. Projektligji ndalon Departamentin e Mbrojtjes të blejë çdo lloj pajisjeje të prodhuar nga ujgurët myslimanë, të cilët mbahen të ndaluar në rajonin Xinjiang të Kinës.
Falë kësaj mase legjislative një prokuror i posaçëm, do të hetojë akuzat për ngacmim seksual, përdhunim e krime të tjera të rënda në ushtri, dhe nuk do të jetë në varësi të autoritetit të komandantëve të ushtrisë.
Por përpara votimit përfundimtar nga projektligji u hoqën disa pika të tjera, sikurse kërkesa për të shfuqizuar një nen të miratuar në vitin 2002, që autorizonte forcën ushtarake kundër Irakut, si dhe një masë sipas së cilës gratë duhet të regjistrohen në ushtri në kohë lufte. Një gjë e tillë u kundërshtua ashpër nga konservatorët që janë kundër detyrimit të grave për të luftuar.
Kostoja përfundimtare e projektligjit arriti në 24 miliardë dollarë më shumë sesa ajo që kishte kërkuar Presidenti Joe Biden në propozimin e tij fillestar. Tashmë ai shkon për votim në Senat, gjë që pritet të ndodhë brenda kësaj jave. (VOA)