Nga Zëri i Amerikës
Në Tiranë, opozita festoi sot e përçarë Ditën e Rinisë, një festë zyrtare, që lindi prej Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 90, e cila kulmoi me krijimin e Partisë Demokratike.
Kryetari i saj, Lulzim Basha, dhe ish-Presidenti Sali Berisha përkujtuan këto ngjarje në dy tubime të ndryshme, ku folën për nevojën e forcimit të demokracisë.
Pas disa ditësh të dy politikanët e opozitës pritet të drejtojnë dy kongrese, duke sfiduar njëri tjetrin për të kontrolluar kreun e Partisë Demokratike.
8 dhjetori 1990 është data kur nisi lëvizja studentore antikomuniste pas 45 vjet diktaturë dhe në këto 3 dekadat e fundit ajo festohet si Dita e Rinisë.
Pak ditë më pas u krijua Partia Demokratike, partia e parë e opozitës pas gjysmë shekulli regjimi komunist njëpartiak.
Sot, pas më shumë se 30 vitesh nga themelimi Partia Demokratike përkujtoi e ndarë në dy tubime Ditën e Rinisë.
“Është pasojë e këtij regjimi, që Shqipëria po zbrazet si asnjëherë në historinë e saj me ritme të barabarta, e ndoshta po i kalon ritmet edhe ritmet e zbrazjes së fillimviteve 90. Përgjegjësi kryesor për këtë është regjimi, që ka vrarë zgjedhjet, votën e lirë dhe ka çua në vdekje klinike demokracinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi sot një falje publike që nuk u arrit gjatë viteve të tranzicionit të shkulej mendësia komuniste bashkë me regjimin diktatorial, por ai tha se ky mision vazhdon si një premtim i bërë në dhjetor 90
“Ju garantoj se PD është në këmbë, PD është e fortë, PD ka ditur dhe do të dijë të qëndrojë në këmbë, e fortë, e bashkuar, sepse ne kemi një mision: lirinë, demokracinë, Shqipërinë si gjithë Europa. E kemi marrë nga dhjetoristët dhe nuk e dorëzojmë, derisa ta bëjmë realitet” – tha zoti Basha.
Por riangazhimi politik i ish-presidentit Sali Berisha me një seri tubimesh kundër zotit Basha, ka provokuar një ndarje të anëtarësisë në pro njërit dhe kundër tjetrit.
Sapo u shpall si person i papërshtatshëm për të vizituar SHBA-të për shkak të korrupsionit dhe dëmtimit të demokracisë, dhe pas përjashtimit nga grupi i deputetëve, zoti Berisha ndërmori një fushatë për të mbrojtur veten dhe për të larguar nga drejtimi i PD kryetarin e sapozgjedhur Lulzim Basha.
“Do të përmbysim narko-shtetin e Edvin Kristaq Ramës dhe pengun e tij, Lulzim Basha. Ky meriton të quhet Lulzim Boshi, ose peng-kryetari. Rama është armiku më i egër i pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, ndërsa Lulzim Basha është tradhtari më i madh i tyre” – tha zoti Berisha në një tjetër tubim.
Pas disa ditësh të dy politikanët e opozitës pritet të drejtojnë dy kongrese, duke sfiduar njëri tjetrin për kreun e Partisë Demokratike.
Pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme në muajin prill, pas shpalljes non grata të zotit Berisha nga SHBA-të, zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike po luhaten plot pasiguri dhe të panjohura midis dy datave, 11 – 18 dhjetor, ku secila palë ka thirrur nga një kongres, duke premtuar njëlloj të njëjtat objektiva: Një parti të bashkuar, të fortë dhe fituese në garat e ardhshme zgjedhore.