Rreth një vit më parë studiuesja e njohur e arteve pamore, Suzana Varvarica Kuka më dhuroi një libër të saj më të hershëm. Ishte monografia mbi jetën dhe krijimtarinë e skulptores së parë shqiptare, Kristina Koljaka Hoshi (1915-2005) dhe që ishte botuar në vitin, disi të largët, 2002. Nisa ta lexoj me vëmendje të shtuar edhe për të vërejtur nivelin e asaj kohe, e për ta krahsuar me nivelin e librave autores të botuara kohëve të fundit, të cilat shquhen për thellësi e shumanshmëri analize e studimi. E nuk janë pak e, nuk janë as për figura të rëndomta të artit dhe kulturës shqiptare. Bëhet fjalë për monografi të personaliteteve të tilla si “Andrea Mano”,”Kristaq Rama”, “Alush Shima”, “Gjelosh Gjoka”, “Vangjush Mio” e “51 piktorë shqiptarë“, të cilëve mendoj se vështirë se mund t’u shtojë diçka ndonjë studim tjetër.
Gjatë leximit të monografisë për Koljakën, ishte disi befasues niveli i mirë i trajtimit të figurës së saj në rrafshin estetik, dokumentar, historik dhe shoqëror, se tek e findit ishte botimi i parë i Varvaricës. Vet kjo ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve për skulpturë, ka krijuar dhe ekspozuar punime të saj edhe në këtë gjini arti. Për disa vite ajo punoi si piktore pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”, përvojë që e ka ndihmuar si studiuese që të kishte tashmë në backgraund-in e saj botimin e 5-6 monografive, si edhe për botimin në shtyp të më se 300 artikujve studimor dhe analitikë mbi artet pamore shqiptare.
Autorësinë e saj e ka një bazorelief i muzikanit mesjetar Jan Kukuzeli dhe një medaljon i poetit Ndre Mjeda, që ruhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Po ashtu, një bust Flamurtarit të Shtetit Shqiptar, Ismail Qemali i krijuar nga Varvarica ndodhet në Presidencën e Republikës, si dhe një skulpturë në bronx,”Pranvera” e vendosur në qytetin e Lushnjes. Kësisoj, trajtimi i opus-it të një kolegeje, duhet të shpërfaqte edhe shkallën e njohurive profesionale në këtë art. Pas leximit të librit për Koljakën, e kupton shpejtë se autorja është njohëse shumë e mirë e fushës. Prej atëherë, siç u cek më sipër, Varvarica ka botuar edhe monografi të tjera, gjithmonë e me kërkesa më të mëdha ndaj vetes, e rrjedhimisht me punime të arrira.
Kohët e fundit, studiuesja hodhi në qarkullim monografinë “Simon Rrota” mbi jetën dhe, sidomos veprimtarinë e këtij piktori të njohur nga Shkodra. Ky studim vjen pas botimit (2018) të librit-ditar të piktorit “Po shkruej për vedi e për Shkodrën” të përgatitur nga studiuesi Pjetër Logoreci. Ky libër ngjalli interes te lexuesit, por megjithë nivelin e tij, ai mbetet në fushën e memuaristikës. Natyrisht, tjetër gjë do të ishte monografia e Varvaricës. Ajo duhet të bënte të njohur shumicën e punëve, stilin e piktorit, të dhëna të tjera për kohën para dhe pas studimeve, periudhën historike të vendit, marrëdhëniet familjare etj.
Botimi “Simon Rrota” vuri përpara studiueses mjaft vështirësi, edhe nga ana praktike, të cilat ajo i kaloi me sukses. Për të trajtuar veprën e një piktori, së pari duhet të shikohen, të paktën pjesa më e madhe e saj. Në rastin tonë, shumë punë të piktorit Rrota ndodheshin në Itali tek një pjesë e familjarëve të tij, kështu që një rrugë e Varvaricës në Itali ishte e domosdoshme. Këtë udhëtim, studiuesja e përdori jo vetëm për të njohur më në tërësi veprën e piktorit, por edhe për të vizituar Akademinë “Brera”, ku në fillim të shekullit XX, kishte studiuar Simon Rrota. E, me bagazhin e mbledhur në shtetin fqinjë, si foto të pikturave, informacione, dokumenta zyrtare, shtuar me çka kishte gjetur edhe në Shqipëri, pra brumin e opusit të Rrotës, Varvaricës i duhej të gatuante një bukë të mirë, pra monografinë mbi jetën dhe pikturën e tij. Dhe ajo, mendoj se e ka arritur këtë më së miri.
Në botimin në fjalë, pasqyrohet krijimtaria e Rrotës qysh prej vizatimeve të para e, këto të fundit me një mësues të tillë si poeti dhe poliedriku, at Gjergj Fishta. Pa harruar të përmendim se Simoni ishte lindur në një familje tradicionale qytetare shkodrane me tendenca të dukshme për arsimimin e fëmijëve, të cilat i kishte arritur duke i dhënë Botës Shqiptare një diplomat (Nikolla), një piktor (Simoni), një erudit (Justini) dhe një fotograf (Gjoni). Të katër kanë pjesën e tyre të pamohueshme në historinë dhe kulturën e Shqipërisë.
Nga këndvështrimi estetik, studiuesja ka analizuar disa tablo të Rrotës, duke përdorur edhe metodën e krahasimit. Kështu, ajo merr si subjekt të studimit të saj, piktura të autorëve të ndryshëm bëtëror, shumë të njohur (si Courbet, Millet, Daumier, Riepin etj.). Po ashtu këtë mënyrë analitike Varvarica ka përdorur edhe me fotografinë (Marubi, Pici e të huaj). Kjo e dyta, historikisht ka ndihmuar shumë piktorë për krijimet e tyre. Në rastin tonë, edhe fotografia futet në lojë për të nxjerrë sa më në pah vlerat e vërtetea dhe shpesh të padukshme të tablove të Rrotës. E për të pasur fryte të mbara, studiuesen e ka ndihmuar edhe intuita e saj si artiste dhe krijuese e mirëfilltë..
Një vlerë tjetër e botimit përbën vektori historik, për të cilin studjuesja ka punuar fortë, madje do thoshim edhe me sensin e një historiani të vërtetë. Përveç gjetjes së të dhënave, si arkeologe stofi, të pazbuluara më herët, mbi jetën dhe punimet e tij, ajo shquhet edhe për trajtimin e analizën e tyre. Kështu, Varvarica tregon se kur flitet për një artist me veprimtari të vjetër, rreth një shekull më parë, ky vektor merr një rëndësi të dorës së parë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet nënvleftësuar.
Së fundmi, duhet venë në dukje edhe paraqitja grafike dhe estetike mjaft e goditur e studimit, e cila, ashtu si edhe e 5-6 monografive të tjera, mund të zbukurojë edhe vizualisht çdo rraft librash. Po ashtu mjaft i kënaqshëm është në libër edhe riprodhimi teknik i pikturave dhe fotografive.
Gjithashtu, kjo monografi mund të shikohet edhe si një vepër studimore që vlen për t’u marrë si shembull për figura të tjera të kulturës kombëtare, të cilët ende nuk njihen si duhet. Kështu, për të njohur veprën e piktorit Simon Rrota, mendoj se tani mjafton të lexosh monografinë e arrirë mbi të të studiueses Suzana Varvarica Kuka. Thënë ndryshe, ta shikosh piktorin e shquar nga Shkodra nën lupën e Suzana Varvarica Kukës, të cilës i urojmë sa më shumë vepra të këtij niveli për mbrodhësinë e kulturës shqiptare.
Qerim Vrioni