Nga Keze Kozeta Zylo
Shenjtorët e Gjuhes Shqipe
Sa e dua dhjetorin e festave,
Kur ajri mbushet me zëra shqip,
Ne skenë dëgjoj simfoninë e bilbilave,
Dhe fëshfërimën e Flamurit që përndrit.
Bota e fëmijëve është magjepsëse, sepse ata japin vetëm mirësi dhe pastërti kristalore si ujërat e pastra të maleve tona. Ata ndezin zemrat e shqiptarëve me palët e flamurit kuqezi që valëviten në hapësirat e Qendrës “Illyria” si dhe në mjedise të ndryshme në shkollat publike amerikane në Nju Jork. Shkolla shqipe “Alba Life” dha të shtunën koncertin e madh tradicional të fundvitit në zemrën e shqiptarëve të Nju Jorkut në Qendrën “Illyria” dhuruar për Diasporën nga Z. Mark Gjonaj, Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.
Që në hyrje të Amfiteatrit ndihmuan në pritje të njerëzve dhe të organizimit dy koordinatorët e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx si Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj dhe Dr.Manjola Duli.
Amfiteatri u skuq nga kostumet dhe flamujt si dhe u ndriçua nga veshjet kombëtare të studentëve. Në amfiteatër ishte një Shqipëri e vërtetë, një Shqipëri etnike e të gjitha trojeve, kishte Marigot që qëndisnin flamujt, Is Boletini nga Mitrovica,aty ishte një dishepull i Ismail Qemal Vlorës, Mark Gjonaj dhe studentët që e rrethuan me aq dashuri. Ia njohin mirë zemrën z.Gjonaj, e kanë ndjerë nga afër mbështetjen e tij. Dhe kur fëmijët ju duan, ata nuk do ta harrojnë kurrë atë që u keni dhënë. Mark Gjonaj erdhi me Mr.Grinch i cili është një personazh imagjinar i krijuar nga Dr. Seuss. Ai njihet më së miri si personazhi kryesor i librit për fëmijë në vitin 1957 dhe shpërndau dhurata jo vetëm për fëmijët, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit. Z. Gjonaj i uroi nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” që të mos rrinë kurrë pa mësuar Gjuhën Shqipe, gjuhën amtare, por të ulen dhe ta mësojnë mirë.
Juve ju është krijuar një mundësi e madhe e jashtëzakonshme, ndaj vlerësojeni për të mësuar mirë historinë e Kombit tone tha z.Gjonaj.
Z. Qemal Zylo themelues dhe drejtor i TV dhe Shkolles Shqipe “Alba Life” e vlerësoi me çmimin e lartë me motivacionin:
“Çmim për arritje të jashtëzakonshme, për kontributin e tij të shquar në çështjen kombëtare si dhe për misionin e tij si një mbështetës i madh i madh i Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit që vepron në të gjitha lagjet e Nju Jorkut. Ju jeni një shembull për t’u ndjekur në të ardhmen dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë ne që patëm fatin t’ju shikonim dhe dëgjonim.
Ju keni sjellë ndryshimin”!
Koncerti u mbajt për herë të parë në Amfiteatrin e Qendrës “Illyria”, megjithëse patëm nderin të parët të praktikonim mësimin e gjuhës shqipe në këtë qendër të madhe kulturore dhe të shfaqnim një program artistik në përurimin e saj.
Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit me një përvojë 14-vjeçare e nisi me shumë sukses vitin e ri akademik 2021-2022. Ne kemi mësim kudo në Nju Jork, megjithëse vazhdojmë të jemi në kushte pandemie.
Shkolla Shqipe Alba Life na mbledh në folenë e saj si dhe për të qenë bashkë me përkushtim të plotë në këtë mision kombëtar.
Shkolla shqipe “Alba Life” që funksionon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut u ka ofruar nxënësve mjedise shumë të përshtatshme si dhe një mësimdhënie me metodat më moderne të kohës.
Të gjithë mësuesit ndihmojnë në përshtatje me format pedagogjike, psikologjike dhe intelektuale, sipas moshës dhe niveleve të tyre gjuhësore.
Nxënësit janë thuajse shenjtorë të Gjuhës Shqipe, e mbrojnë duke mësuar dhe jo duke u asimiluar.
Programi
Mësues dhe nxënës kishin përgatitur një program artistik për festat e fundvitit të cilët interpretuan në mënyrë madhështore në skenë.
Mësuesja Entela Muda dhe nxënësi brilant Arelt Xhaferri e moderuan koncertin artistik me dinjitet, profesionalizëm dhe plot kulturë. Ata ishin moderatorët e këtij programi kaq të pasur, plot histori dhe art brenda tij.
Koncerti u hap me këngët: “Ty Flamur të duam shumë” si dhe me Himnin e Shkollës Shqipe “Alba Life” Gjuha Shqipe-Gjuha jonë!
Të pranishmit ndoqën një “Slide Show” për punën e Shkollave Shqipe “Alba Life” në Nju Jork dhe Online.
Studentët në Staten Island u përgatitën nën kujdesin e mësueseve Elona Alikaj, Anxhela Alushaj dhe Ariana Topallaj. Ata debutuan si: “Erdhi Babagjyshi i Vitit te Ri”
dhe “Kuq e Zi”.
Në Brooklyn u përgatitën nga mësueset Adelina Lacaj dhe Gela Bulku të cilët sollën histori të ndryshme nga Viti i Ri dhe intepretuan këngë për festat.
Në Queens u drejtuan në skenë nga mësuesja Enriketa Beluli të cilët ishin përgatitur nën kujdesin e mësuese Ariana Civilit dhe Eriola Shehaj. Debutuan disa talente në violinë, piano dhe këngë si Morina, Delia dhe Salihu.
Në Bronx u përgatitën nga mësueset Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Krasnisqi Veselaj, Majlinda Tafaj dhe Jetona Reka. Në këtë shkollë u dramatizuan në skenë pjesë nga “Legjenda e Rozafës”, si dhe nga filmi “Nëntori i dytë”. Nxënësi Jozef Juncaj këndoi plot pathos:
“Jam Ilira Jam Teuta”.
Kërcimet si “Vallja eTropojes” etj e bënë koncertin edhe më të hareshëm.
Vlen të falenderohen asistentet si Adelina Halimi Shahu, Davida Hasanaj etj.
Në këtë festë madhështore nderoi z.David Tubiolo Ligjvënës në Westchester County dhe një mik i madh i shqiptarëve. Ishte krenari ta kishim mes nesh.
Z. Qemal Zylo në emër të Bordit i ndau çmimin e mirënjohjes me motivacionin:
Çmim per arritje te jashtëzakonshme ne Amerike, një mbështetës i madh i komunitetit shqiptar si dhe i Shkollës Shqipe “Alba”, Nju Jork.
Çmimi u dorëzua nga studentja ekselente Saranda Halsted nga Long Island.
Në këtë koncert ishin dhe filizat e Shkollës Shqipe “Alba Life” me mësuese Sonilda Koci. Ata ishin të vecantë pasi zhvillojnë mësime në Online dhe janë nga shtete të ndryshme në Amerikë.
Shkolla shqipe “Alba Life” e ka sfiduar me kohë pandeminë.
Në këtë koncert nderuan dhe debutuan mjeshtërisht artistë të njohur si Lindita Mezini Lole, me këngët: “Valsi i Lumturisë” dhe Kënga Arbëreshe”Marcelo”. Valbona Peraj interpretoi: “Më prit të vij”, Sopranoja Anila Hoxha Gjermeni e cila jeton dhe punon në Itali përshëndeti me këngën: “Malli matanë detit”, Dionis Delia interpretoi; “Më sillni pak Shqipëri”.
Koncerti ishte një festival i vërtetë realizuar me plot profesionalizëm, art nga të gjitha shkollat Shqipe “Alba Life” në New York.
Në fund sipas traditës z.Qemal Zylo ndau dhurata modeste në shenjë mirënjohje për të gjithë mësuesit, koordinatorët dhe anëtarët e stafit të TV “Alba Life”.
Pas kurorëzimit me sukses të koncertit tradicional me mësuesit dhe stafin e Shkollës Shqipe “Alba Life” darkuam dhe vallëzuam në restorantin “Ciao Joe Albanese” në Eastchester.
Koncerti u filmua nga Bujar Sadikaj, Valon Gërbeshi, Elton Xhaferri të cilët janë anëtarë të stafit të TV “Alba Life” me themelues dhe producent z.Qemal Zylo.
19 dhjetor, 2021
Qendra “Illyria” Bronx, NY