Libri i ri: Kostë Çekrezi: “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, botimet “Naimi”, Tiranë 2013.
Libri i Kostë Çekrezit “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, i sapobotuar në Shqipëri nga shtëpia botuese “Naimi”, do të gjendej në tavolinën e punës të çdo diplomat amerikan që ishte i interesuar për çështjen shqiptare dhe për Ballkanin në tërësi, sidomos deri në rënien e regjimit komunist. Kështu ka vërejtur një studiues shqiptar, njohës i mirë i kësaj figure të lënë në harresë kryesisht për arsye politike dhe ideologjike. Ky libër vlerësohet si një histori e jashtëzakonshme e raporteve të Shqipërisë me Perëndimin dhe sidomos me SHBA. Ngjarje të panjohura mes tre të mëdhenjve të historisë e kulturës shqiptare: Fan Nolit, Faik Konicës dhe vetë autorit, Kostë Çekrezit, konfliktet mes tyre, kryesisht për shkak të interferencës së qëndrimeve politike të Tiranës në organizatat e diasporës në SHBA në vitet ’30-’50 të shekullit të kaluar. Mbretëria e Ahmet Zogut, përkatësisht politika filo-italiane që rezultoi me pushtimin e vendit, antifashizmi dhe lufta çlirimtare që rezultoi me triumfin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri: metamorfoza e qëndrimeve të Fan Nolit dhe Faik Konicës ndaj mbretit Zog dhe diktatorit Hoxha. Kostë Çekrezi rrëfen diplomacinë dhe luftën mes Tiranës dhe Washingtonit, duke sjellë personazhet dhe emisarët e secilës palë, deri në vendosjen e “perdes së hekurt” midis Lindjes dhe Perëndimit. Në libër zbulohen cilat ishin kërkesat amerikane për të njohur pas Luftës së Dytë Botërore qeverinë e re të Tiranës.
Libri “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë” mund të konsiderohet vazhdim i librit të mëparshëm të Çekrezit: “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”, botuar për herë të parë në anglisht në SHBA, në vitin 1919, dhe botuar për herë të parë në shqip vetëm disa muaj më parë. Sipas botuesit Naim Zoto, ndryshe nga libri i parë, që është konceptuar nga autori si një libër historie, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë” kombinon historinë me dokumentet dhe kujtimet e autorit vetë, një protagonist dhe dëshmitar në shumë ngjarje politike që lidhen me veprimtarinë e A. Zogut gjatë mbretërimit dhe më pas në mërgim si edhe politikën E. Hoxhës ndaj Perëndimit dhe SHBA.
Disa të dhëna për autorin
Kostë Çekrezi u lind në fshatin Ziçisht të Devollit të Sipërm, në 31 mars 1892. Pasi kreu shkollën 5-vjeçare në fshatin e lindjes, përfundoi gjimnazin në Korçë. Emigroi në SHBA dhe u bë kryeredaktor i gazetës “Dielli” (1915-1919), ndërkohë botoi edhe revistën e përmuajshme “Illyria”. Në këto vite studioi për ekonomi, administratë shtetërore dhe gjuhën angleze në Universitetin e Harvardit, ku u diplomua në 17 Qershor 1918.
Ka përkthyer në shqip historinë e shkurtër të Shqipërisë shkruar nga Frederik Gibert të cilën e botoi në Boston. Më vonë hartoi e botoi vetë studimin me vlerë historike “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja”, 1919, e cila ishte mbrojtur si temë doktorature në Universitetin prestigjioz Columbia, SHBA.
Kosta ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe përfaqësues i Shqipërisë në SHBA në vitet 1920-1922. Në vitet 1922-1932 ka qenë anëtar i Këshillit të Shtetit në Shqipëri, njëkohësisht edhe anëtar i Klubit Kombëtar të Shtypit në SHBA.
Në korrik të vitit 1925 u kthye në Atdhe. Shërbeu si publicist dhe ishte botues i gazetave “Telegraf” dhe “Ora”. Menjëherë pas shpalljes së monarkisë nga Zogu, Kosta Çekrezi u arrestua dhe u dënua me një vit burg politik; dy gazetat e krijuara prej tij u mbyllën njëherë e përgjithmonë. Pas kësaj u rikthye në SHBA. Në 28 Dhjetor 1941 themeloi në Boston organizatën “Shqipëria e Lirë”.
Në vitin 1946 ishte Çekrezi që priti delegacionin e kryesuar nga Tuk Jakova dhe disa delegacione të tjera, duke sugjeruar që qeveria e re shqiptare të gjente patjetër rrugën për tu lidhur me fuqitë e Perëndimit, sidomos me SHBA. Në vitin 1951 Kosta Çekrezi botoi në Washington analizën politike “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”.
Kostë Çekrezi, ky njeri zemërmadh, patriot dhe intelektual i dorës së parë, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga veprat që botoi apo la në dorëshkrim, mbylli sytë nё Virxhinia, pranё Bostonit, në datën 10 Janar 1959, në moshën 67 vjeçare. Në ceremoninë e varrimit, Fan S. Noli e quajti Kosta Çekrezin “burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë vdiq fukara”.
Skeda e librit:
Autori: Kostë A. Çekrezi
Titulli: Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë
(Botimi i parë: Washington D. C., 1951).
Gjinia: Politologji
Redaktor: Naim Zoto
Botues: “Naimi”
ISBN: 978-9928-109-49-1
Copyright: “Naimi”
Çmimi: 500 lekë/5 euro.