Prishtinë, 28 dhjetor 2021 – Parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë të martën vendimin e qeverisë për të shpallur gjendjen emergjente të furnizimit me energji elektrike.
Vendimi, i cili nuk u mbështet nga partitë opozitare, lejon që qeveria të marrë masa për vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji elektrike për konsumatorët dhe vendosjen e detyrimeve për ndërmarrjet e energjisë.
Opozita tha se me këtë vendim qeveria po synon të legalizojë ndërprerjen e energjisë elektrike për qytetarët dhe e kritikoi atë për mosveprim me kohë për përballimin e krizës energjetike të paralajmëruar që në fillim të vjeshtës.
“Pavarësisht asaj që për krizën e sotshme energjetike po përpiqeni t’ua leni edhe brezave dhe qeverive të mëparshme ka një fakt që nuk e ndryshoni dotë, para se të vini ju në pushtet qytetarët e Kosovës kanë pas dritë ndërsa ju i rikthyet sërish në terr, jeni ju që pas më shumë se 13 viteve e kthyet në Kosovë formulën e reduktimeve edhe të restrikcioneve të rrymës elektrike. Qytetarët e dinë dhe po e shohin për keqardhje këtë qeveri jo vetëm se po dëshmohet e paaftë përballë krizës por edhe pse po janë të papërgjegjshëm përballë përgjegjësisë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Një kryeministër ani pse me profesion inxhinier ka zgjedhur popullizmin si mjet, po u flet masave militante të tij, kjo tash është më shumë se padituri, është krizë e tij, e qeverisë së tij e së këndejmi e gjithë vendit që ai e drejton. Sepse jam i bindur se ai duhet ta dijë e nëse nuk e dinë si inxhinier ta kthej diplomën menjëherë në universitet se çmimi i rrymës kontraktohet e rezervohet, çmimet fiksohen”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Deri më sot nuk po shohim asnjë veprim, ndonjë strategji konkrete e cila do të zgjidhte këtë problem dhe kjo në fakt po del që është shumë e natyrshme për këtë qeveri sepse e njëjta që nga krijimi i saj asnjëherë nuk ka pasur në qendër të vëmendjes qytetarin dhe nuk e ka as sot kur qytetarët po mbesin pa rrymë në këto temperature të ulta”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Por, zyrtarët e qeverisë thanë se situata është rrjedhojë e shtimit të konsumit të energjisë, pamjaftueshmërisë së prodhimit të brendshëm dhe krizës energjetike globale.
“Gjendja emergjente në rajon thatë është shpallur më herët, shtetet tjera e kanë shpallur gjendjen më herët sepse janë prekur nga kriza më herët, Shqipëria nuk është ekspozuar nga importi më herët, kriza nuk ka lind në Kosovë dhe e ka prekur të fundit Kosovën për arsye se deri vonë ne kemi arritur që konsumin tonë ta mbulojmë me kapacitete vendore. Nuk kemi mundur ne ta shpallim krizën para tre muajsh edhe kemi mundur por asgjë nuk kishim bërë me atë punë sepse në atë kohë kemi qenë duke mbuluar konsumin tonë me prodhimin tonë”, tha ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kosova po përballet me përkeqësim të situatës me energji elektrike dhe temperaturat e ultë kanë shtuar nevojë për importim të sasive shtesë të energjisë që Kosova nuk i përballon dot me prodhimin e saj.
Qeveria ka ndarë mjete financiare për të mbështetur Korporatën Energjetike të Kosovës për të importuar energji elektrike ndërsa ka arsyetuar ndërprerjen e energjisë me kushtin që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët.
Kosova përmbush shumicën e nevojave të saja me energji elektrike nga dy termocentrale të cilat shpesh edhe dalin jashtë punës për shkak të vjetërsisë së tyre.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)