Biden e Putin do të bisedojnë me telefon të enjten

Uashington, 29 dhjetor 2021 – Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin do të zhvillojnë një bisedë telefonike të enjten, më 30 dhjetor, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Ky njoftim vjen në kohën e rritjes së tensioneve për shkak të grumbullimit të trupave ruse në kufi të Ukrainës dhe kërkesave të Rusisë për garanci të sigurisë.

Të dy liderët do të “diskutojnë për një sërë temash, përfshirë edhe për angazhimet e ardhshme diplomatike me Rusinë”, tha zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare, Emily Horne.

“Administrata Biden vazhdon të angazhohet në diplomaci të gjerë me aleatët dhe partnerët tanë evropianë, duke u konsultuar dhe koordinuar për një qasje të përbashkët në përgjigje të grumbullimit të ushtrisë ruse në kufi me Ukrainën”, tha Horne përmes një deklarate.

Presidenti Biden ka biseduar me liderët evropianë dhe zyrtarët e administratës së tij janë konsultuar me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u tha në deklaratë.

Bisedimet kanë përfshirë edhe konsultat me qeveritë në Evropën Lindore, përfshirë edhe Ukrainën, si dhe formatit të Nëntë të Bukureshtit (B9).

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më 29 dhjetor zhvilloi një bisedë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit.

Gjatë kësaj bisede, Blinken përsëriti “mbështetjen e Uashingtonit për pavarësinë e Ukrainës, sovranitetin dhe integritetin territorial në dritë të grumbullimit të ushtrisë ruse në kufijtë e Ukrainës”, tha zëdhënësi Ned Price përmes një deklarate.

Blinken dhe Zelenskiy “diskutuan për përpjekjet për një zgjidhje paqësore të konfliktit në lindje të Ukrainës dhe për angazhimet e ardhshme diplomatike me Rusinë”, shtoi Price.

Gjatë konferencës vjetore me gazetarë, të mbajtur javën e kaluar, Putin i bëri thirrje Perëndimit që të plotësojë “menjëherë” garancitë e sigurisë së Rusisë.

Më 26 dhjetor, gjatë një interviste për televizionin shtetëror rus, Putin tha se nëse Perëndimi nuk i plotëson këto kërkesa, ai do të shqyrtojë një sërë opsionesh.

Ndër kërkesat e Rusisë është ndalimi i zgjerimit të NATO-s nga lindja.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë të gatshme të përfshihen në bisedime për kërkesat ruse, por zyrtarët amerikanë kanë thënë se disa prej tyre janë të pamundshme që të realizohen, pasi kanë argumentuar se janë në kundërshtim me vlerat perëndimore.

(REL)