(Një reflektim mbi terrin që projektohet si faj jetim dhe mbi përvojat e hidhura me investitorë të huaj, të cilat mund të përsëriten edhe tani)
Nëse do të donim të bëjmë një rekapitulim të zhvillimeve në Kosovë brenda viti 2021, është e pashmangshme të mos përmendet gjendja aktuale e krizës energjetike që po mbretëron edhe në vendin tonë. Për shkak të kësaj krize, që nga 22 dhjetori konsumatorët po përballen me reduktime të energjisë elektrike prej 2 orësh, ndonëse disa qytetarë kanë raportuar se po kanë reduktime më shumë se 2 orë. Ky ka qenë edhe shkaku që grupe qytetarësh të mllefosur dolën në protestë më 27 dhjetor në Prishtinë pranë ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe para Qeverisë së Kosovës, kurse pankartat e tyre që mbanin në duar: “Duam rrymë e jo arsyetime”, “Asnjë cent më shumë”, “Lëshoje rrymën, largoje KEDS-in”, e shpjegonin më së miri krizën aktuale energjetike.
Megjithatë kjo gjendje nuk përmirësohet as me protesta, as me arsyetime dhe justifikime të Qeverisë, duke e hedhur komplet fajin te qeveritë e kaluara. Zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit iu dhanë përgjigje adekuate qeverive të kaluara, kështu që kritika ndaj tyre ka marrë formën e një verdikti popullor. Pikërisht edhe për shkak të dobësive në sistemin e furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrtike, qeveritë e kaluara u ndëshkuan në zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërkohë që Qeveria e dalë nga këto zgjedhje do të duhej ta kishte gati strategjinë e daljes nga kjo gjendje.
Në anën tjetër, të gjithë ata që kërkojnë që brenda një kohe të shkurtër të riparohen gabimet dhe lëshimet e bëra në njëzet vitet e fundit, sigurisht që, përveç retorikës opozitare, nuk kanë ndonjë mbështetje të fuqishme argumentuese, ndonëse vend për kritika edhe në adresë të Qeverisë aktuale ka gjithsesi. Në radhë të parë nuk do të guxonte të ndodhte që Qeveria të mos krijonte një mekanizëm mbrojtës ndaj të gjitha keqpërdorimeve që bëhen në sistemin e furnizimit dhe sidomos distribuimit të energjisë elektrike. Me fjalë të tjera, Qeveria nuk guxon të sillet si opozitë por duhet të merr masa adekuate ndaj të gjithë atyre që, siç raportojnë edhe qytetarët dhe mediat, vjedhin ose e sabotojnë furnizimin dhe distribuimin e energjisë elektrike. Qeveria gjithashtu duhet të ngrejë një task force me ekspert më të dëshmuar të fushës që do të ofronte zgjidhje në pajtim me situatën e krijuar.
Se do të ketë krizë energjetike globale, këtë e ka ditur gjithkush, kurse Qeveria jonë mbase ka qenë më e informuara, prandaj na duket e pajustifikueshme që në muajt paraprak (shtator, tetor, nëntor) nuk është arritur një marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë për një bashkëpunim më emergjent në fushën energjetike, duke e ditur faktin se muajt e vjeshtës dhe të dimrit janë mjaft produktiv në furnizimin me energje elektrike në hidrocentralet shqiptare. Na duken të vonuara disa masa që po ndërmerren tani nga ana e Qeverisë sonë, kur ato kanë mundur të ndërmerren para tre muajve.
Në një shkrim si ky që ka për qëllim rekapitulimin e vitit 2021, është e pamundur të kapërthehen të gjitha dështimet dhe të arriturat, për arsye se ka qëndrime diametralisht të kundërt sa i përket sukseve dhe mosukseve të arritura, si në kohën e kësaj qeverie, ashtu edhe në vitet e mëhershme kur kanë udhëhequr qeveritë e mëparshme. Tani ka akter politik nga opozita që çdo mossukses të qeverive të kaluara t’ia faturojë Qeverisë aktuale, ndërkohë që ka prirje që edhe Qeveria aktuale për dështimet e veta të justifikohet duke kritikuar qeveritë e kaluara. Megjithatë, do të duhej të klasifikohen dhe kristalizohen disa gjëra që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e qeverive. Në njërën anë, nuk mundet Qeveria aktuale të fajësohet për mosangazhim në tejkalimin e disa problemeve të grumbulluara këtu e njëzetë vite më parë, por në anën tjetër Qeveria aktuale duhet të lirohet nga disa eksponent të saj që ia nxijnë imazhin me veprimet e tyre abuzive, sidom os ndaj bizneseve, duke favorizuar klientelizmin në dëm të projekteve serioze që arrihen me mund të madh dhe duke favorizuar monopolet e reja në dëm të qasjes së lirë të bizneseve në tregun ekonomik vendor. Nëse vazhdon ky trend i sjelljeve abuzive të eksponentëve të caktuar të kësaj Qeverie, atëherë do të vijë momenti që njerëzve do t’iu kujtohet një kohë e mëhershme kur kompanitë dhe korporatat e fuqishme botërore vinin këtu dhe iknin si pasojë e sjelljeve dhe veprimeve korruptive e abuzuese të qeverive të kaluara.
Madje edhe vet kam qenë dëshmitar i gjallë i sjelljeve të tilla abuzive të ish qeveritarëve. Në shtator të vitit 2008, tregut bankar të Kosovës iu pat shtuar edhe një subjekt i ri financiar. Pronari i CVMR (Chemical Vapour Metal Refining), Kamran M. Khozan kishte shprehur interesim për të hapur një bankë të re në Kosovë, me 635 Mio USD kapital themeltar, dhe të bëjë rafinimin e nikelit. Për këtë ai kishte biseduar edhe me kryeministrin e atëhershëm Hashim Thaçi si dhe me drejtorin e Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, ndërsa kishte bërë kërkesë për licencë.
Kamran M. Khozan, përfaqësues i tri korporatave do të financonte këto projekte, dhe i kishte njoftuar mediat se kishte bieduar me përfaqësues të qeverisë për investimet në miniera dhe për rafinimin e nikelit, kurse banka që do të hapej, do të lehtësonte këto investime. Sipas tij, fokusimi primar i bankës ishte investimi në projektet e korporatave në kuadër të CVMR, me 12 mijë e 300 punëtorë, e cila përveç nikelit, ishte në gjendje të rafinojë edhe 16 metale të tjera. Të gjitha këto Khozan premtonte se do t’i bëjë me teknologji moderne dhe garantonte sistem me zero ndotje.Vetëm me realizimin e projektit për rafinimin e nikelit do të punësoheshin rreth 2.000 punëtorë, një ndihmesë kjo mjaft domethënëse në zbutjen epapunësisë në Kosovës, ndërkohë që banka e re që duhej të hapej, shihej si aset mjaft atraktiv financiar në tregun Kosovar, përfshi edhe uljen e kamatave në kredi.
Fatkeqësisht CVMR iku nga korrupsioni dhe mashtrimet e eksponentëve të atëhershëm qeveritar dhe e di se porosia e fundit e miqëve të mi nga kjo korporatë gjikante ka qenë: “Pa u konsoliduar një qeveri e pa korruptuar, mos na fto më asnjëherë në Kosovë!”
Tani çka të themi? Ose, ata që do ta lexojnë këtë shkrim, ndonjëri prej tyre a do ta gjej veten këtu, sidomos ndonjë eksponent aktual qeveritar?! A do të mundem t’i ftoj sërish këta miqë të mi investiture dhe miqë të tjerë, dhe kush mund të më garantoj se skena të tilla të turpshme do të reprizohen edhe tani, sidomos me disa eksponent qeveritar të cilët ditën punojnë për Qeverinë e Albin Kurtit, kurse natën – për grupe klienteliste të biznesit që nxisin konkurrencën jolojale. Nëse Kryeministri Kurti është i interesuar t’i dijë emrat e këtyre legenave që fshihen pas imazhit të Qeverisë aktuale, unë jam i gatshëm t’ia jap ata emra, me kusht që gjërat të ecin në drejtim të duhur dhe klimën e biznesit ta lirojmë nga matrapazët që ndryshe prezantohen para Kryeministrit, e krejt ndryshe veprojnë kur largohen nga ai. Ky është një kusht shumë i lehtë, vetëm mjafton një vullnet pozitiv nga ana e Kryeministrit Kurti, në mënyrë që Kosovës t’i rikthehen investitorët e zhgënjyer, por edhe disa investiture të tjerë të cilët janë të gatshëm për ngritjen e kapaciteteve për logjistikë portuale në Shëngjin, Durrës apo Vlorë, që do të ishte në shërbim jo vetëm të Kosovës, por të mbarë rajonit dhe për ndërtimin e korridorit hekurudhor Prishtinë – Durrës.
Por, para se të ndodhin këto, duhet ta stabilizojmë sistemin e furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrike dhe ta lirojmë klimën e biznesit nga karikaturat e reformave qeveritare, që si qëllim primar kanë zhavtjen dhe matrapazllëkun.
Prishtinë, 30 dhjetor 2021