Harry Bajraktari dhe familja e tij i dhurojnë 75,000 dollarë organizatës “Gift of Life International” për një mision që do të shpëtojë jetën e 25 fëmijëve të Kosovës, që kanë lindur me defekt në zemër
Nga Albana Krasniqi
Fundi i vitit është shpesh një moment reflektimi. Na vijnë në mend arritjet, sfidat, humbjet, mirësitë, të gjithë ato gjëra që na bëjnë njerëzorë. Është gjithashtu kohë dhuratash e bujarie.
Shembullin më të mirë edhe këtë fund viti na e dha Harry Bajraktari që me bujari u bëri një dhuratë të çmuar shumë familjeve në Kosovë fëmijët e të cilëve kanë lindur me defekte në zemër por nuk kanë mundësi të kenë në vendin e tyre operacionin kirurgjik që do t;u shpetonte jetën.
Fondet që dhuroi ai dhe familja e tij do të shpëtojnë jo një apo dy, por të paktën 25 fëmijë të Kosovës.
Kjo dhuratë për organizatën “Gift of Life International” (Dhurata e Jetës – Ndërkombëtare) do të financojë udhëtimin e një ekipi të plotë mjekësor që do të shkojë në Kosovë për të operuar njëzetepesë fëmijë të cilët pa këtë ndihmë besohet se do të vdesin në moshë fare të re nga defekte të shërueshme zemre.
Sipas statistikave, rreth 400 fëmijë lindin çdo vit në Kosovë me defekte në zemër. Për shkak të mungesës së kushteve mjekësore e ekonomike, në Kosovë ende nuk mund të kryen operacione, shpesh rutinë, shpëtimtare për jetën e tyre. Këtu hyn roli i organizatës “Gift of Life” (Dhurata e Jetës – filiali ndërkombëtar) për të cilën kam nderin që të punoj prej shumë vitesh, e cila siguron ndihmën e nevojshme për të shpëtuar jetën e fëmijëve në mbarë botën, përfshi edhe në Kosovë.
Në 28 dhjetor, Harry dhe Lisa Bajraktari ftuan udhëqësit e organizatës “Gift of Life International”, në shtëpinë e tyre në Neë York. Në prani të familjes së tij të gjerë, ai njoftoi dhuratën bujare prej 75,000 dollarësh për të ndihmuar punën e organizatës në Kosovë.
Ne emër të familjes Bajraktari, Ne emër të familjes, ishte nipi i Harry-t, Alexander Bajraktari që ua dorëzoi çekun udhëheqësve të organizatës. Ishte një moment i bukur dhe emocionues (i kapur në fotografinë lart).
Kjo nuki është hera e parë që Harry Bajraktari mbështet organizatën “Gift of Life”, në punën tonë për të shpëtuar qindra fëmijë në Kosovë. Në fakt, Harry është donatori më i madh në komunitetin shqiptaro-amerikan për “Gift of Life International”.
Me këtë dhurim të fundit, qëllimi i tij kryesor ishte shpëtimi i sa më shumë fëmijëve në Kosovë, por ai u shpreh se një dëshirë e dytë ishte që ky gjest të shërbente për të edukuar nipat dhe mbesat, të gjithë të rinjtë e familjes së gjerë Bajraktari me traditën e bukur të bamirësisë dhe dhurimit, pikërisht ashtu si ia mësoi dikur atij vetë, babai i tij, Metë Bajraktari.
Kjo është mënyra sesi traditat tona më të mira trashëgohen nga brezi në brez.
Në emër të organizatës sonë, e falenderova për dhuratën dhe i konfirmova se me fondet e dhuruara prej tij një ekip i plotë mjekësor do të mund të udhëtojë në Kosovë për të kryer operacionet e domosdoshme shpëtimtare në 25 zemra të vogla fëmijësh.
Gjatë takimit, themeluesi i organizatës, Robbie Donno, i shprehu mirënjohjen e tij familjes Bajraktari, dhe tha se këto fonde kanë shumë rëndësi se janë shpresa e vetme për shumë e shumë familje që presin me dëshpërim shpëtimin e fëmijëve të tyre. Fatmirësisht, për disa prej tyre viti i ri po vjen bashkë me dhuratën e jetës.