Tiranë, 1 janar 2021 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë uruar Shqipërinë me rastin e nisnjes së mandatit dyvjeçar si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ambasada amerikane në Tiranë, në një postim në rrjetet sociale, e vlerëson këtë si një arritje të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë për adresimin e sfidave me të cilat përballet sot bota.
“🇦🇱 | Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori. Shtetet e Bashkuara mirëpresin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Duke filluar nga dita e sotme, Shqipëria është anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me mandat dy-vjeçar.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale gjatë ditës, ka thënë se anëtarësimi i Shqipërisë këtë këshill është rezultat i një lobimi të gjatë të diplomacisë shqiptare dhe mbështetjes së vendeve aleate dhe mike.
Ajo ka thënë gjithashtu se Shqipëria do ta shfrytëzojë këtë mundësi për ta mbështetur procesin e njohjeve dhe të anëtarësimit të Kosovësnë organizata ndërkombëtare.
“… pa dyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë”, ka thënë Xhaçka.
(r.m.)