OKB: Kosova nuk mund të shpallë “non grata” pjesëtarë të UNMIK-ut

Nju Jork / Prishtinë, 2 janar 2022 – Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, nuk është informuar zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës për shpalljen “persona non grata” të një pjesëtari rus të këtij misioni.

Kështu tha Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi më 31 dhjetor se e kishte shpallur “persona non grata” (person të padëshirueshëm) një zyrtar rus të UNMIK-ut, për shkak të, siç thuhej “veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës”.

Por, Dujarric tha se sipas ligjeve me të cilat funksionon UNMIK-u, doktrina “persona non grata” nuk mund të aplikohet ndaj personelit të këtij misioni.

“Jemi në dijeni që autoritetet në Kosovë kanë shpallur ‘persona non grata’ një pjesëtar të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Nuk kemi pranuar asnjë komunikim zyrtar në mision nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara, nuk parashihet në rregulloren e UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në deklaratën e Dujarric.

Sharr Jakupi, shefi i stafit i ministres së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se më 31 dhjetor se kjo ministri e kishte informuar UNMIK-un se njëri prej zyrtare të tyre është shpallur non grata.

“UNMIK-u është njoftuar nga MPJD-ja të premten, më 31 dhjetor 2021 se një prej zyrtarëve të këtij misioni është shpallur persona non grata”, shkroi Jakupi në rrjetin social Twitter.

https://twitter.com/sharrjakupi/status/1477641738760110080?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1477641738760110080%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.evropaelire.org%2Fa%2Fokb-person-i-padeshirueshem-%2F31636361.html

OKB-ja tha se çdo shqetësim për ndonjë pjesëtar të personelit të UNMIK-ut duhet të adresohet te udhëheqja e misionit, në mënyrë që UNMIK-u të mund ta adresojë çështjen “bazuar në status, privilegje dhe imunitete të UNMIK-ut dhe personelit të tij”.

MPJD-ja nuk ka dhënë detaje lidhur me zyrtarin e shpallur non grata.

Kosova edhe në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, teksa ka akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte thënë se diplomatët janë urdhëruar që të largohen nga vendi.

(REL)