Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Statusi joemigrues U u jepet atyre viktimave të veprimtarive të caktuara kriminale, që janë abuzuar fizikisht dhe mendërisht dhe që mund t’iu japin ndihmesën e tyre forcave të rendit, zyrtarëve të qeverisë që merren me hetimin dhe ndjekjen penale të veprimtarive kriminale. Aplikimi për këtë status mund të bëhet nga viktima të dhunës në familje, të sulmeve seksuale, sulmeve kriminale, trafikimit të qenieve njerëzore si dhe llojeve të tjera të krimit që kualifikohen për këtë qëllim. Krimi duhet të ketë ndodhur në SHBA ose të përbëjë shkelje të ligjeve të SHBA-së. Aplikanti mund të jetë në SHBA ose jashtë saj kur të paraqesë aplikimin në fjalë. Aplikimi duhet të përmbajë dhe një vërtetim/çertifikatë të lëshuar nga forcat e rendit.
Në qershor të vitit 2021, për shkak të grumbullimit të çështjeve të prapambetura, Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i) paraqiti në vija të trasha procesin që do të përcaktojë nëse një peticion për vizë U është ose jo bona fide, pra i vlefshëm, apo me baza reale. Procesi që vendos nëse aplikimi është ose jo bona fide (bona fide determination – BFD) përdoret për t’u dhënë personave, aplikimet e të cilëve për vizë U janë cilësuar bona fide, një status që nuk lejon deportimin e menjëhershëm të tyre si dhe leje për të punuar në mënyrë të ligjshme në SHBA.
Procesi BFD u krijua me synimin për të kryer në mënyrë sa më efikase fazën fillestare të shqyrtimit të peticioneve për status joemigrues U si dhe për t’u dhënë viktimave që kualifikohen mundësinë për të qëndruar në SHBA si dhe lejen e punësimit aty për sa kohë që pritet të merret një vendim përfundimtar për peticionin që kanë paraqitur për vizë U, kjo brenda tavanit të sasisë vjetore të vizave të vëna në dispozicion për këtë qëllim.
USCIS-i deklaroi që për të përcaktuar nëse një peticion është ose jo bona fide duhet parë se sa i kompletuar është aplikimi, me prova dhe dokumenta të së kaluarës penale sikurse dhe nëse egzistojnë rreziqe të sigurisë kombëtare dhe asaj publike. Kini parasysh që vendimi në fjalë është i një natyre diskrecionale. Në momentin që USCIS-i vendos që aplikimi për vizë U është bona fide, aplikantit i jepet mundësia për të mos u deportuat menjëherë si dhe leja për të punuar në mënyrë të ligjshme në SHBA për 4 vjet. Kualifikohen dhe ata familjarë që përmbushin kriteret. Nëse formulari I-765 per leje pune nuk ishte paraqitur në aplikimin fillestar për vizë U, aplikantit do t’i jepet njoftimi Bona Fide Determination Notice përmes të cilit do t’i kërkohet të paraqese formularin I-765.
Kini parasysh që BFD-ja nuk përbën garanci që USCIS-i do t’jua aprovojë peticionin për vizë U. Mos bëni asgjë definitive sa kohë që aplikimi për vizë U që keni paraqitur mbetet në pritje të një vendimi. USCIS-i do t’i shqyrtojë të gjitha rastet dhe do të marrë vendim. Fatkeqësisht nuk ka afate të përcaktuara lidhur me kohën që do t’i duhet USCIS-it të shqyrtojë një peticion që është në pritje të vendimit.
Një aplikim i plotë për vizë U përmban:
Peticionin për status joemigrues U (Formulari I-918) të plotësuar siç duhet;
Një vërtetim/çertifikatë të statusit joemigrues U (Formulari I-918, Shtojca B), të plotësuar siç duhet dhe të paraqitur brenda gjashtë muajve nga data kur personi që ka lëshuar vërtetimin ka vënë firmën;
Një deklaratë vetjake e peticionerit e cila përmban faktet që lidhen me çështjen në fjalë; dhe të dhënat biometrike (kontrolli i të kaluarës penale).
Nëse ju aprovohet kërkesa për vizë U, të mirat që vijnë prej saj janë: statusi joemigrues i përkohshëm për një periudhë 4-vjeçare, leja për të punuar në SHBA, mundësia për të kërkuar banim të përhershëm si dhe mundësia për t’u dhënë indirekt familjarëve që kualifikohen status të ligjshëm joemigrues në SHBA, madje dhe kur ata nuk gjenden aktualisht aty.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]