Philadelphia, qyteti ku banoj, ngadalë e pa bujë po bëhet kryeqyteti i botës perëndimore përsa i përket shfrytëzimit të veshjeve femërore islamike si aksesorë krimi.
Së pari, po fillojmë me një shpjegues të mbulojave islamike, të cilat në anglisht tentohet të quhen të gjitha vello, por në fakt ndahen në tri kategori kryesore. Disa (abaja, hixhabi, shadori, xhilbabi apo khimari) mbulojnë pjesë të veçanta të trupit, kryesisht flokët, qafën dhe shpatullat, por lënë zbuluar fytyrën dhe identitetin e gruas; disa mbulojnë fytyrën (jashmaku), por jo formën e trupit; dhe disa fshehin të gjithë trupin, përfshirë këtu dhe identitetin e gjininë e atyre që i veshin. Këto të fundit – të cilat përbëjnë dhe temën e e këtij artikulli – do të ishte më e saktë të përshkruheshin si mbuloja të të gjithë trupit e jo si vello dhe ndahen në dy lloje, ato që mbulojnë krejtësisht personin që i mban (shadori ose burka) si dhe ato që kanë një të çarë për sytë (haiku ose nixhabi).
Sipas llogarisë sime, në gjashtë vitet e fundit, rajoni i Philadelphias ka qënë dëshmitar i 14 grabitjeve (apo tentativave për grabitje) të institucioneve financiare ku hajdutët kanë shfrytëzuar mbulojat islamike që fshehin krejt trupin. Këto grabitje kanë ndodhur në janar 2007, qershor 2007, maj 2008, nëntor 2009, tetor 2010 (dy), shkurt 2011, qershor 2011, dhjetor 2011, janar 2012, mars 2012 (dy) dhe prill 2012 (dy). Sulmi më i dhunshëm ka ndodhur më 3 mars, 2008, kur u vra rreshteri i policisë Stephen Liczbinski me një armë të tipit AK-47 gjatë një shkëmbimi zjarri që pasoi një grabitje të sukseshme ku ishin përdorur burkat; policia atëherë vrau njërin prej kriminelëve.
Siç e vë në dukje David J. Rusin i Forumit për Lindjen e Mesme në analizën që i bën krimeve në Philadelphia ku janë përdorur burkat, kjo veshje musulmane ofron dy avantazhe të mëdha në krahasim me llojet e tjera të maskimit: së pari, shumë gra të mbuluara nga koka tek këmbët ecin rrugëve pa patur ndonjë qëllim kriminal, duke u ofruar kështu pa dashje hajdutëve mundësinë për t’u fshehur mes tyre; sa më të shumta rastet e mbulimeve nga koka tek këmbët aq më të mëdha gjasat që ato ta bëjnë më të lehtë veprimtarinë kriminale. Së dyti, ndjesia e veçimit dhe e të pazakontës që ngjallin këto veshje i siguron atyre që i veshin, përfshirë këtu dhe kriminelëve, një shkallë të lartë mbrojtjeje. Ashtu siç ka ndodhur dhe në raste të tjera (si tri blerje pijesh alkoolike në një dyqan pijesh në shtetin e Torontos nga një djalë 14 vjeçar i veshur me burkë; apo gra musulmane që nuk kontrollohen në aeroportin kanadez), nëpunës e shitës nga frika se mos akuzohen për racizëm apo “islamofobi” anashkalojnë proçedura të vendosura nga shteti, siç është ajo sipas të cilës mbajtësve të nixhabit duhet t’u kërkohet të tregojnë fytyrën dhe identitetin e tyre.
Është meritë e disa bankave që nuk lejojnë më asnjë lloj aksesori për mbulimin e kokave. Për shembull, një zyrë e bankës PNC në Philadelphia ka vënë një tabelë në hyrje ku thuhet: “Siguria e punonjësve dhe e klientëve tanë është shqetësimi ynë kryesor. Ju kërkojmë të hiqni kapelet, syzet e diellit, kapuçat, gjatë kohës së qëndrimit tuaj në këtë institucion financiar.” Politika të tilla mund të ulin numrin e grabitjeve me burka të bankave. Por ndërkohë që bankat po bëhen subjekte gjithnjë e më të vështira për t’u vjedhur, veshja islamike paraqet një rrezik më të përgjithshëm për subjektet më të kollajta. Për shembull, në zonën e Philadelphias, grabitësit kishin veshur një rrobë islamike për të vjedhur një zyrë të pronave të patundshme në vitin 2008 dhe për të kryer vrasje në një floktore në vitin 2012.
Jo me pasoja fatale, por gjithsesi jo më pak e tmerrshme ishte grabitja dhe përdhunimi i një fëmije 5 vjeçar në Philadelphia. Një grua e veshur me nixhab duke u hequr si nëna e Nailla Robinsonit firmosi për ta marrë këtë të fundit nga Shkolla Fillore “Bryant” për të ngrënë mëngjez bashkë. Hetuesit e çështjes besojnë se ato të dyja përshkruan disa blloqe rrugësh së bashku deri në vendin ku i priste një burrë. Pas kësaj Nailla u zhduk për gati një ditë dhe u gjet nga një kalimtar në mëngjezin e ditës së nesërme në një park duke u dridhur. Javën e kaluar, policia arrestoi Christina Regustersin, 19 vjeç, punonjëse e një kopshti për fëmijë e cila kishte patur kontakt më parë me Nailla-n. Katërmbëdhjetë akuzat kundër saj përfshijnë mes të tjerave rrëmbim, përdhunim, sulm i rëndë, vënie në rrezik e jetës së një personi për shkak të pakujdesisë së plotë si dhe bashkëpunim në krim.
Dy faktorët e zakonshëm për të cilët folëm më lart ishin kyç për komisionin që po merret me shqyrtimin e krimit: përhapja e veshjeve të tilla që mbulojnë gjithë trupin (nëna e Nailla-s, Latifah Rashid, mban rrobë islamike gjë që i dha mundësi rrëmbyeses që në mënyrë të besueshme të hiqej si ajo) si dhe sjellja me përunjësi përpara një gruaje të veshur me nixhab nga ana e trupit punonjës të Shkollës “Bryant” (duke injoruar krejtësisht rregullat e shumta që kanë të bëjnë me përcjelljen e fëmijës nga shkolla).
Kjo analizë e krizës në Philadelphia na shtyn të reflektojmë për disa gjëra: Së pari, thuajse çdo qytet në Perëndim në çdo kohë mund të përballet me problemet e Philadelphias. Së dyti, kjo është një çështje që duhet marrë shumë seriozisht, sepse kemi të bëjmë me grabitje me dhunë, përdhunime dhe vrasje. Së treti, kriminelët gjithnjë e më shumë po shfrytëzojnë përhapjen në masë të veshjeve islamike që mbulojnë gjithë trupin. Së katërti, ata që janë të punësuar në shtet duhet ta mposhtin ndrojtjen dhe të zbatojnë proçedurat e zakonshme edhe tek ata që janë të mbuluar nga koka tek këmbët, madje dhe në dyqane pijesh, aeroporte dhe shkolla fillore. Së fundi ky problem e ka një zgjidhje mëse të qartë: ndaloni nixhabin dhe burkën në vendet publike, ashtu siç kanë bërë kohët e fundit qeveritë e Francës dhe të Belgjikës.