Dreqi fshihet pas detajeve
Dreqi fshihet pas detajeve, Ky është çelësi i suksesit në negociata- të dish se pas cilit detaj fshihet dreqi i tjetrit dhe në cilin detaj ta paketosh dreqin tënd.
Ndonjëherë në negociata kanë rëndësi emërtimet dhe format se ato me vete bartin edhe substancën e ndonjëherë forma bëhet vetëm për t’i mbushur mendjen budallait e substanca mbetet për të mençurin.
Është e qartë se Plani i Ahtisaarit u siguron serbëve të Kosovës autonomi kulturore dhe u përcakton Mitrovicën Veriore si kryeqytet të tyre, por bisedimet në Bruksel mund të çojnë edhe përtej kësaj.
Me sa po shihet në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit në Bruksel çështja më kyçe është ajo e Fondit për Veriun. Detajet përcaktojnë nëse Fondi për Veriun është fond zhvillimor apo buxhet entiteti i fshehur pas emrit fond zhvillimor.
Menaxhimi i Fondit
Fakti se ky fond do të menaxhohet nga tre përfaqësues: një ndërkombëtar një serb e një shqiptar nuk çon shumë peshë. Ata do të mund të vendosin nëse një shkollë do të ndërtohet në Zveçan apo në Leposaviq, por jo edhe që ajo të ndërtohet, ta zëmë, në Rahovec.
Rroli i ndërkombëtarit dhe shqiptarit në këtë fond mund të jetë që, ta zëmë, nëse organet komunale të Leposaviqit të jenë më kooperative me Prishtinën se sa ato të Zveçanit, atëherë Leposaviqi të marrë më shumë fonde. Në praktikë kjo funksionon ndryshe: ai kryetar komune që është më i shkathtë t’i korruptojë anëtarët e fondit, komuna e tij do të përfitojë më tepër fonde.
Kështu, në realitet fakti që këtë fond do ta drejtojnë një serb, një ndërkombëtar dhe një shqiptar nuk dallon asgjë në thelb sikur ketë fond ta udhëheqin 3 serbë.
Mbushja e fondit: direkte apo indirekte
Ajo çfarë është me rëndësi lidhur me këtë fond është procedura e mbushjes së tij. Nëse fondi do të krijohet duke u derdhur mjetet nga doganat direkt në këtë fond apo ato do të derdhën në buxhetin e Kosovës dhe pastaj qeveria do t’i derdhë në fondin në fjalë.
Po thuhet se paratë e fondit do të jenë në një bankë të Kosovës. Por kjo bankë e Kosovës mund të jetë edhe ne Zveçan. Kështu, nëse paratë nga pikat doganore derdhën direkt në fond, dhe fondi është i deponuar në një bankë me seli në veri të Kosovës, atëherë ky do të quhet fond por de fakto do të jetë buxhet entiteti shtetëror.
Duke qenë se ky fond do të ketë të ardhura të mëdha sepse Serbia, në praktikë do t’i bëjë jo funksionale pikat më Merdare dhe Dheu i Bardhë. Kjo nuk është problem për një shtet të organizuar, siç është Sebia, u nxjerr probleme atyre që shfrytëzojnë pikat doganore në Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe u krijon lehtësira procedurale atyre që shfrytëzojnë pikat doganore në portat 1 dhe 31.
Për të mos u lëshuar në shifra që mund ta lodhin lexuesin duhet të tregoj faktin se gati gjysma, në mos shumica, e buxhetit të Kosovës mbushet nga doganat, dhe se pika tjera të grumbullimit të doganës janë edhe Hani i Elezit që e lidh me Maqedoninë , Qafë Morini që e lidhë me Shqipërinë dhe Kulla që e lidhë me Malin e Zi si dhe aeroporti. Kjo i bien që më shumë se çereku i buxhetit të Kosovës të shkojë në Fondin për Veriun.
Pse drejtori i doganave nuk del me shifra?
Unë e shoh të papërgjegjshme nga ana e drejtorit të doganave të Kosovës që në kohën kur po zhvillohet gjithë ky debat nuk del me shifra të sakta se sa kanë qenë të ardhurat doganore nga pikat kufitare me Serbinë (jo vetëm nga 1 e 31, por edhe nga Merdare e Dheu i Bardhë) që opinioni publik ta dinte se për çfarë shumash bëhet fjalë. Nuk po them se këto shifra po mbahen sekret, por drejtori i doganave nuk është përgjegjës për t’i raportuar vetëm qeverisë apo Kuvendit, por edhe opinionit publik kur është fjala për interesa madhore siç ky rast.
Është e habitshme që asnjë deputet nuk ia ka shtruar këtë pyetje deri më tani Ministrit të Financave.
E keqja që vazhdon
Ndoshta ndokush do të thotë se për 7-8 vite kur Kosova të futet në Bashkimin Evropian, rroli i doganave në buxhetin e Kosovës do të minimizohet dhe kjo çështje do të marrë fund. Mirëpo, për 7-8 vite me projeksione të tanishme të zhvillimit ekonomik bëhet fjalë 2-3 miliardë euro që Kosova t’i alokojë për 4 komuna me maksimumin 40 mijë banorë, në ndërkohë që 50 fishi i banorëve tjerë të Kosovës do të gëzojë vetëm 3 fishin e kësaj shume.
Kjo bënë që entiteti në veri të Kosovës të jetë një super shtet krahasim me pjesën tjetër të Kosovës. 7-8 vite do të jenë të mjaftueshme që nga Mitrovica Veriore të drejtohet ekonomikisht e politikisht e gjithë Kosova.
Haraçi Serbisë apo e keqja që mund ndërpritet
Tani kthehemi rastit më pak të keq. Në rast se mjetet nga doganat në kufirin me Serbinë derdhën aty ku derdhën gjithë doganat tjera, e pastaj prej këtu Qeveria e Kosovës i derdhë në Fondin e Veriut, kjo ka mundësinë që nesër pasnesër kur në pushtet të vijë një qeveri tjetër, kur të shohë edhe opinioni i gjerë në Kosovë, Serbi e Evropë se është krijuar një pabarazi e madhe sociale, të gjejë një arsyetim që të mos e bëjë më këtë punë.
Në anën tjetër, Beogradi zyrtar nuk mund të tërheqë mbrapa njohjen e institucioneve të Kosovës (nëse veç nuk do ta bëjë edhe njohjen shtetit të Kosovës). Madje as edhe nuk do t’i leverdisë të çoj pluhur, sepse opinioni në Perëndim, e ndoshta edhe ai në Beograd, do të thotë: ou prapë ju me Kosovën.
Kështu që paratë e derdhura në ndërkohë, Kosova mund t’i konsiderojë si haraç qe i paguan Serbisë për të marrë njohje prej saj.
Pra në rastin e parë e kemi një të keqe që vazhdon deri në pafundësi nëse nuk ndërpritet me ndonjë luftë, kurse në rastin e dytë kemi një të keqe që mund ta ketë një fund.
Transparenca para opinionit = përgjegjshmëri
Nëse qeveria përfaqëson interesat e popullit ajo duhet të jetë e sinqertë dhe transparente me publikun. Në një rast të tillë çfarëdo kompromisi që bënë mund të konsiderohet se është bërë me qëllimin e mirë. Në të kundërtën, nëse gjërat mbahen fshehtë askush nuk do të besojë se kompromiset janë bërë me qëllime të mira dhe përgjegjësia i mbetët vetëm atyre që janë të involvuar në bisedime.