Mali i Zi do të votojë për të zgjedhur presidentin e ri në 7 prill dhe krahu mbizotërues i politikës malazeze, si zakonisht pret që shqiptarët të votojnë për kandidatin e tij në shkëmbim të premtimeve të zakonshme për Komunën e Malësisë.
Të paktën një aktivist i njohur shqiptaro-amerikan, Xheladin Zeneli mendon se shqiptarët në Malin e Zi nuk mund të lejojnë përsëritjen e talljes së përhershme parazgjedhore me ta.
“Që nga viti 1997 e deri më sot,së paku pesë herë është premtuar jetësimi i Komunës së Tuzit me të drejta të plota nga ana e qeveritarëve malazez, por deri më sot asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur”, shkruan Zeneli në bllogun e tij. “Gjatë fushatave të ndryshme parazgjedhore, në të kaluarën, zyrtarët e partisë në pushtet, duke përfshirë edhe kryetarin Milo Gjukanoviç, kanë vizituar trevën e Malësisë vetëm me një qëllim: që duke premtuar realizimin e komunës, të mblidhnin vota për Partinë Demokratike Socialiste (DPS). Dhe për fat të keq, deri më tani, kjo politikë ka pirë ujë.”
Xheladin Zeneli, që ka botuar së fundi edhe një përmbledhje të shkrimeve të tij në librin “Diaspora dhe Vendlindja” thotë se pavarësisht nga këto premtime Malësia ende është bisht i një komune tjetër. Pas dy dekadash zvarritje nuk ka mbetur më asnjë justifikim, përveçse mosdëshirës për t’i respektuar shqiptarët.
Këtë vit kandidati i PDS-së për president është Filip Vujanoviç. Në këmbim të votës shqiptare, partia në pushtet e Gjukanoviqit premton të zhvillojë më vonë referendumin “konsultativ” për statusin e plotë të komunës Tuzit. Pra edhe premtimi është gjysmak. Në vend të komunës ofrohet një referendum.
Xheladin Zeneli nuk lë jashtë përgjegjësisë edhe faktorin politik shqiptar. “Nuk ka qenë sa duhet i vendosur apo këmbëngulës, unik dhe konsistent”, shkruan ai. Podgorica ka “përfituar nga ndasitë dhe nga mosuniteti i subjekteve politike shqiptare”. Ai vë në dukje rëndësinë e bashkimit të partive shqiptare deri në zgjidhje të kësaj çështjeje.
E veçanta e kësaj analize është që çështja e Komunës së Malësisë vihet në kontekstin e zhvillimeve ballkanike. Pakicat kudo kanë ngritur zërin dhe po tërheqin vëmendje për kërkesat e tyre. Serbët në veri të Kosovës duan autonomi në mos shkëputje. Komuna Lubinje e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, me popullsi shumicë të nacionalitetit serb, afër kufirit shtetëror me Malin e Zi duan referendum për shkëputje që t’i bashkangjiten Malit të Zi !
Në këtë kontekst Malësia është një shembull ekstrem injorimi dhe pasiviteti. Ka mbetur ende duke kërkuar minimale, ndonëse kërkesa e e saj “nuk kërcënon integritetin e shtetit të Malit të Zi dhe është në përputhje me të gjitha ligjet, kartat dhe konventat ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale dhe decentralizimin e pushtetit”
Xheladin Zeneli u bën thirrja shqiptarëve në Malin e Zi, të bashkohen e të mos pranojnë asnjë kusht e referendum, por vetëm realizim të plotë e të menjëhershëm të çështjes pas dy dekadash vonesash të kota. Përndryshme kjo çështje kaq jetike për malësorët do të “do të vazhdojë që edhe më tutje të jetë lojë poltike e Podgoricës”.
Shkrimin e plotë mund ta gjeni në blogun me adresën: http://xheladin-zeneli.blogspot.com
(Illyria)