Në Tiranë u mblodh Komiteti i Monitorimit Komisioni Europian-Shqipëri. Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Europian, Pierr Mirel tha se partitë duhet të tejkalojnë mospajtimet që vendi të ecë përpara në rrugën e integrimit.
Komisioni Europian i kërkoi partive në Shqipëri që të bashkëpunojnë dhe të dëshmojnë vullnet për të përmbushur reformat e integrimit. Drejtori i Zgjerimit Pierr Mirel tha se statusi “kandidat” për Shqipërinë mundësohet vetëm nëpërmjet miratimit bashkarisht të ligjeve.
Zoti Mirel mori pjesë në mbledhjen e një Komiteti Monitorimi, përfshi çështjet e financimeve. Sipas drejtorit Pierr Mirel, janë katër elementët e rëndësishëm për integrimin: “Konsensusi i gjerë është i domosdoshëm, që të gjitha partitë të jenë në gjendje të tejkalojnë vështirësitë në miratimin e ligjeve të nevojshme për të ecur përpara. Të merren përsipër reformat e guximshme sipas kritereve të aderimit, që ne i kemi paraqitur në dokumentin strategjik. Vështirësi për aderimin krijojnë kriteret politike, liria e shprehjes, sundimi i ligjit dhe çështjet dypalëshe”.
Kurse, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se qveria ka vullnet për integrimin, përkundër përgjegjësisë që sipas saj mban opozita për mosmarrjen e statusit ‘kandidat”: “Në se do të kishim pasur status “kandidat”, Shqipëria do të kish përfituar më shumë fonde se në stadin aktual të vendit “kandidat” potencial. Axhenda e integrimit është përcjellë në dëshirën tonë dhe gjuhën e zyrtarëve të Brukselit se duhet të jetë mbarëkombëtare dhe jo fatkeqësisht siç jemi dëshmitarë të tri viteve të fundit, për interesat partiake cinike, mediokre politike që mbivendosin axhendën kombëtare”.
Bashkimi Europian i ka dhënë Shqipërisë 600 milionë euro që nga viti 2007 për investime në infrastrukturë, drejtësi, zhvillimin rural dhe kulturor.
Sakaq, Bashkimi Europian pret që partitë në Shqipëri të mos e ulin ritmin e reformave integruese pavarësisht fushatës zgjedhore. Komisioneri i Zgjerimit, Shtefan Fyle tha se zgjedhjet janë pikë kyçe për demokracinë në Shqipëri. Sakaq, kryeministri Sali Berisha tha se opozita socialiste është përfshirë nga ethet zgjedhore. Ndërsa, kryetari socialist Edi Rama vërejti se vendi është tronditur nga vrasjet e njëpasnjëshme të komisarëve të policisë. Diplomati nga Republika Çeke, Shtefan Fyle theksoi se partitë nuk duhet ta ulin ritmin reformave për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Komisioneri shtoi se fushata zgjedhore nuk duhet të jetë justifikim për shmangien nga reformat. Zoti Fyle priti në Bruksel, Ilir Metën, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeveri. Kurse, kryeministri Sali Berisha tha se kryesocialistin Edi Rama e kanë kapur ethet e zgjedhjeve, andaj po akuzon qeverinë. Zoti Berisha u takua me përfaqësues të Partisë Demokratike mbi përgatitjet zgjedhore: “Ethet e pushtetit e verbojnë në atë shkallë saqë e bëjnë zotërinë të besojë gënjeshtrat e tij dhe në një moment të caktuar, pastaj thotë “kjo Shqipëri është gënjeshtër”! Ky është problemi i tij! Duhet të bindim qytetarët se për ne, interesi i tyre është interesi më madhor i këtij programi dhe i këtij projekti”.
Mirëpo, kryetari socialist Edi Rama theksoi se politikat e qeverisë kanë marrë goditje të fortë sipas tij, me krizën e thellë ekonomike dhe veçanërisht me pasigurinë e jetës dhe vrasjet e njëpasnjëshme të komisarëve të policisë: “Tre komisarë të vrarë njëri pas tjetrit dhe asnjë ndryshim, asnjë masë, asnjë veprim për ta ringritur në këmbë policinë. Madje, sa herë ne ngremë shqetësimin vijnë menjëherë si përgjigje nga Qeveria reagime aq brutale, sa duket qartë që shqetësimi i pushtetit është opozita, nuk është krimi”.
Zoti Rama foli në mbledhjen e deputetëve të Partisë Socialiste.