Bruksel, 11 janar 2022 – Bashkimi Evropian paralajmëroi udhëheqësit e serbëve të Bosnjës se mund të përballen me sanksione dhe me rishqyrtim të ndihmës evropiane, nëse nuk i japin fund nxitjes së tensioneve dhe retorikës nxitëse ndërmjet komuniteteve.
Paralajmërimi pasoi kremtimin e së dielës të ditës së Republikës Serbe, një nga dy entitetet e Bosnjës.
Nëntë janari është dita kur në vitin 1992 serbët e Bosnjës shpallën pavarësinë nga pjesa tjetër e vendit, gjë që u pasua me një luftë të përgjakshme, e cila la pas vetes 100 mijë të vrarë.
Shënimi i kësaj dite ishte shpallur jo kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës. Përgjatë kremtimit u shënuan incidente gjithandej Republikës Serbe, thirrje në mbështetje të kriminelëve të luftës dhe kërcënime ndaj myslimanëve boshnjakë.
“BE-ja dënon me vendosmëri retorikën negative, përçarëse dhe nxitëse të përdorur nga udhëheqësit e Republikës Serbe gjatë festimeve të 9 janarit. Retorika dhe veprime të tilla kanë rritur më tej tensionet midis komuniteteve në gjithë vendin dhe po përshkallëzojnë më tej krizën e vazhdueshme politike”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
BiH: 🇪🇺 condemns inflammatory rhetoric used by #RepublikaSrpska leaders in 9 Jan events. 🇪🇺 regrets support by other partners 4such actions 👉 threat to regional stability. Divisive steps must stop, EU has tools to react: sanctions,review of assistance https://t.co/xCntPh95D1
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) January 10, 2022
Ai nënvizoi se kjo “rrezikon qëndrueshmërinë dhe përparimin e vendit dhe është në kundërshtim të plotë me ardhmërinë e tij evropiane, që mund të bazohet vetëm në një Bosnjë dhe Hercegovinë të bashkuar dhe sovrane”, tha ai.
BE-ja shprehu keqardhjen edhe për mbështetjen e dhënë nga partnerët e tjerë për demonstrative të tilla, që kërcënojnë qëndrueshmërinë rajonale dhe ndikojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Përfaqësues të qeverisë nga Beogradi, ishin pjesë e kremtimeve.
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, një nacionalist pro-rus, ka kërcënuar vazhdimisht se do të tërheqë përfaqësuesit serbë nga forcat e armatosura, nga sistemi tatimor dhe ai gjyqësor i Bosnjës dhe do të krijojë institucione të pavarura serbe.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj Milorad Dodikut për korrupsion dhe kërcënim ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës.
Bashkimi Evropian ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim dhe qëndrimi i sotëm është hera e parë kur është kërcënuar me sanksione.
Pas luftës së viteve të 90-ta, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.
Ende e përndjekur nga ndarjet etnike, Bosnja është në mes të krizës më të thellë politike që nga lufta e viteve të 90-ta, që mori fund më marrëveshjen e paqes që u arrit në Dayton.
(Zëri i Amerikës)