Aktori i ri shqiptaro-amerikan në një film serial që po shfaqet në internet

Alex Dhima nga Bostoni luan rolin e Connor Solloway-it, djalit të një familjeje që mban fshehur një sekret të tmerrshëm – “Family problems” shfaqet çdo të dielë në You Tube

 

Aktori i ri shqiptaro-amerikan Alex Dhima interpreton në serialin “Family Problems” (Probleme familjare) i cili nisi të shfaqet në internet më 17 shkurt të këtij viti në orën 21:00.
Çdo të dielë, në mbrëmje, transmetohet një seri e re e cila mund të shihet pastaj në çdo kohë në You Tube (youtube.com), si dhe mund të gjendet lehtësisht në faqen e serialit në fjalë në Facebook https://www.facebook.com/familyproblemstheseries etj.
Seriali tregon historinë e një familjeje e cila mundohet të mos lejojë që pesha e sekretit të tmerrshëm me të cilën përballet çdo ditë, të vërë për fund dhe të thërrmojë jetën e anëtarëve të saj. Në kohën tonë, jeta me fëmijë që janë në moshën e rritjes është e vështirë edhe pa ndërlikime të kësaj natyre. Imagjinoni sikur përveç problemeve të zakonshme t’ju duhej të bashkëjetonit me sekretin e një vrasjeje dhe të vazhdonit jetën e përditshme me peshën e këtij sekreti, në ndërgjegje dhe në kujtesë.
Seriali “Family problems” pritet të shfaqet në 12 seri (që zgjasin 12-14 minuta secila). Seria e tretë u transmetua të dielën më 3 mars dhe priten të shfaqen dhe nëntë seri të tjera. Kush e ka kryer vrasjen dhe pse është ende një mister. Madje as aktorët vetë nuk e dinë se si do të përfundojë seriali dhe cili është vrasësi. Mesa duket, peshën e këtij sekreti krijuesi i serialit në fjalë Seth Chitwood, ka vendosur ta mbajë për vete e ta ruajë me kujdes.
Alex Dhima, 10 vjeçar, i lindur në Boston nga prindër shqiptarë, interpreton rolin e Connor Solloway-it (Kanor Sallouej), djalit të vetëm të kësaj familje amerikane mbi të cilën rëndon një sekret që do të kishte qenë i rëndë për këdo. Për shkak të moshës së re, Connor-i, në dallim nga motra e tij më e madhe, nuk i rebelohet planit të prindërve për të vazhduar jetën sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Të paktën kjo është ajo që ka dalë në pah deri tani nga tre seritë e para që janë transmetuar. Ky serial është i dyti i realizuar nëpërmjet internetit nga Seth Chitwood, ku është përfshirë dhe Alex-i. I pari ishte “Red Circles” (Rrathët e kuq), fitues i pesë çmimeve të dhëna nga Festivali i serialeve të internetit L.A. Web Series Festival Awards për filmin më të mirë dramatik, për trupën, skenarin, kinematografinë dhe këngën e temës kryesore. Alex-i interpretoi rolin e Ben Kane-it, djalit të një detektivi, të cilin e kishin vrarë.

Alex Dhima

Alex Dhima

Alex-i konkurroi dhe u zgjodh përsëri për të luajtur nga Seth Chitwood, i cili deri tani ka shkruar, filmuar, prodhuar si dhe ka qenë regjizor i disa filmave dhe serialeve në internet. Në vitin 2008, Seth-i bashkëthemeloi kompaninë producente “Angelwood Pictures”, e cila ndër të tjera ka prodhuar dhe serialin “Family Problems”. Seriali po xhirohet në Barrington dhe Providence, Rhode Island.
Mund të jetë me vlerë të dini se ngjarja në film zhvendoset mes tre periudhash të ndryshme kohore 1988, 2012 dhe 2044, në të cilat zbulohet në mënyrë të ngadalshme se çfarë ka ndodhur; respektivisht rrethanat që çuan në vrasje, periudha pas kobit të tmerrshëm dhe zbulimi i misterit. Ndonëse filmi ka dhunë, ajo është më shumë e nënkuptuar sesa e shfaqur haptas, por gjuha e përdorur në film nganjëherë mund të jetë pak e ashpër dhe e parakohshme për fëmijët gjë që e bën të detyrueshme praninë dhe gjykimin e prindërve, gjatë shfaqjes.
Seriali premton mister dhe padurim për të mësuar të vërtetën, thotë në video klipin promocional të serialit, shqiptaro-amerikani Alex Dhima.
Serialet e pavarura në internet rrallëherë tërheqin turma të mëdha shikuesish, por nuk është çudi që ato mund të bëhen një fenomen popullor shumë më shpejt se sa mund të mendohet. Seriali në fjalë, “Family Problems”, ka patur fillim të mbarë. Pas serisë së parë (“Start”) Sondazhi Javor për Filmat Indipendentë e radhiti në vendin e pestë (nga 19 seriale që po shfaqen aktualisht) për periudhën 17-23 shkurt, 2013. Është një fillim shpresëdhënës për suksesin e kësaj serie po akoma më shumë për djaloshin nga Bostoni që po hedh hapat e para në rrugën e artit.