Nga Pirro Dollani
Sa për njëzet veta!
Prof. Dr. Robert Baird Shuman (1929-2013), i cili ndërroi jetë para pak kohësh, ishte një studiues jashtëzakonisht pjellor. Shkrimtari i shquar amerikan, Richard Powers, autori i romanit “Jehona e Kujtesës” që ka qenë njëkohësisht edhe student i tij, shkruan kështu: “R. Baird Shuman botonte sa për dhjetë a njëzet veta të marrë së bashku.” Ai ka botuar mbi 60 vepra: libra studimorë, enciklopedi të letërsisë, pa përmendur mijëra artikuj studimorë.
Shumë nga librat e tij janë ribotuar shpesh herë. P. sh. libri i tij studimor “William Inge” kushtuar dramaturgut W. Inge, fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 23 herë. Po kështu libri me të njëjtin titull mbi dramaturgun tjetër Robert E. Sherwood, katër herë fitues i Çmimit Pulitzer, është ribotuar 10 herë. E lista do të zgjatej e zgjatej me librin mbi një tjetër dramaturg “Cliford Odets”, 14 ribotime, me vëllimin “Nëntë Poetë Zezakë” 3 ribotime, me “Georgia O’Keeffe” e deri te botimet e viteve të fundit, si enciklopedia në 13 volume “Shkrimtarët e mëdhenj Amerikanë” botuar në 2002 e ribotuar 14 herë; R. Baird Shuman ishte jo vetëm kryeredaktor i enciklopedisë, por shkroi vetë me dhjetëra zëra të kësaj vepre. Po kështu, “Enciklopedia e Viseve Letrare”, në tre vëllime, botuar në 2003 është ribotuar 3 herë. Këtu nuk po përmendim se ndërkohë që shkruante e botonte kaq shumë, ai punonte me normë të plotë si profesor në universitetet e famshme Duke University dhe Chicago University dhe ishte njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës “Clearing House”.
Ishte gati e pabesueshme shpejtësia me të cilën ai lexonte. Më kujtohet një episod kur sapo isha njohur me Bobin, siç i “detyronte” të gjithë ta thërrisnin. Bie telefoni dhe dëgjoj zërin e tij.
“Pirro, dua t’më bësh një nder. Nesër në mëngjes do të çoj makinën për ta riparuar. A ka mundësi që të vish t’më marrësh te ofiçina, të shkojmë te zyra jote, pastaj ta mbaj unë makinën dhe të vij të marr mbas pune?”
Të nesërmen, u drejtova për te ofiçina. Ishin një numër makinash që prisnin radhën. Parkova dhe u drejtova te makina e Bobit. I ulur pranë timonit po lexonte një libër të trashë. Në dorë mbante lapsin.
U ula në ndenjësen dhe e pyeta: Interesant? Ai ktheu kokën e u përgjigj: “Më duhet që brenda orës pesë ta kem nisur me faks artikullin për librin.”
Zgurdullova sytë drejt librit afro 500 faqesh dhe shikimi më mbeti te faqja që Bobi po lexonte. Ishte pothuajse në fillim të librit. E dija që njeriu mesatarisht lexon 30-40 faqe në orë dhe, si rezultat, atij do t’i duheshin të paktën 12-14 orë që ta lexonte. Shto këtu edhe 2-3 orë për të shkruar artikullin. Jo vetëm i mendova, por edhe e shpreha mendimin tim, madje me atë tonin shqiptar, sikur i thosha: mos kujton se jam injorant? Bobi me qetësi më tha: duhet patjetër t’ia nis redaksisë para orës 5PM. Erdhi radha të dorëzonte makinën e u nisëm në drejtim të universitetit. Ndërkohë që po zbrisja, më tha se do të vinte në orën pesë për të më marrë. Kur erdhi ora, mbylla zyrën, hyra në ashensor e kur dola jashtë ndërtesës, ai po priste aty. Hapa derën e pasagjerit dhe, para se të ulem, më zyri syri disa faqe të daktilografuara në ndenjësen. I mora në dorë që të mos ulesha mbi to, dhe kur po i vendosja në ndenjësen mbrapa, dëgjova që tha: “Mos i largo, janë për ty.” Ishte artikulli që kishte shkruar për librin. Sapo ia kishte faksuar botuesit.
Kur doli në pension, Bob Shumani çdo vit botonte mesatarisht rreth 200 artikuj në revista e botime shkencore e bibliografike.
Rrëfimtar si pak kush
“Një nga mjeshtërit e rrallë të rrëfimit që kam ndeshur ndonjëherë në jetë. Kujtimet dhe rrëfimet e tij shpesh më bënin të qaja duke qeshur për marrëzitë e njerëzimit që Bobi ishte kaq i dhënë pas tyre. Rrëfimet e tij gjenden në të gjitha romanet e mia dhe mendoj se ai ishte i gëzuar që vodha kaq shumë prej tij,” – shkruan për të Richard Powers.
Unë e familja ime kemi pasur fatin që Bob Shumani të ishte jo thjesht një miku ynë, por pothuajse anëtar i familjes për afro dy dekada. E jo vetëm yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, si në familjen e ish-gazetarit të radios Vladimir e Shanka Cicanit, në atë të poetit Avni e Teuta Mulaj, veterinerin Aleksandër Gogo, etj. E thënë shkurt, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve. Gjatë drekave dhe darkave çasti më i bukur ishte kur Bobi fillonte nga historitë e tij. Ishte një interpretues i shkëlqyer dhe fundet e rrëfimeve ishin befasuese. Mbas një viti që ishim njohur së bashku, ai shkon në Londër për të dhënë një leksion. Hyn në një dyqan që shiste kaseta e CD dhe pyet nëse kanë ndonjë kasetë me këngë shqiptare. Kur shitësi i zgjati një CD me muzikën e kërkuar, (Ishte një CD me këngë të vjetra të quajtura majëkrahu, të mbledhura nga muzikologë për arsye studimore) pagoi dhe u drejtua nxitimthi për në hotel. “Hyra në dhomë dhe as pallton nuk e hoqa, por drejt e te magnetofoni. Vura pllakën e pas një pauze, u dëgjua një klithmë çjerrëse Oh hej dhe pas saj një klithmë tjetër. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte. Dëgjova për disa çaste dhe pastaj e mbylla. Ishte e pamundur ta dëgjoja. Nuk po kuptoja ç’po ndodhte,” – më shkruante në një email që më dërgoi nga Londra. Kur u kthye në Las Vegas, na ftoi për darkë së bashku me dy familje të tjera shqiptare dhe gjatë mbrëmjes e ritregoi historinë e CD-së me atë muzikë të çuditshme dhe e mbylli bisedën me një ton të prerë e seriozitet që e bëri shakanë më të kripur: “Hëëë, thashë me vete, ndërsa dëgjoja ato klithma; ky duhet të jetë shkaku që Pirro është larguar nga Shqipëria!”
Kishte pothuajse neveri për titujt e gradat.
Muajin e fundit përpara se të shuhej përfundimisht, shkoja çdo ditë në spital për t’i qëndruar pranë. Ishte mjaft i heshtur. Nuk nxirrte asnjë ofshamë ankimi ose dhëmbjeje. Kishte vetëm një dëshirë, të largohej sa më shpejt nga kjo botë. Gjëja e vetme që e bënte të humbte durimin ishte shprehja “Do të bëhesh më mirë.” Kur në nja dy raste pashë që infermieret ngaqë e shihnin ashtu të sfilitur, me atë uniformë depersonalizuese të spitalit, i folën sikur të ishte askushi, i revoltuar u thashë. “Do të ishte më mirë që t’i drejtoheni me më respekt, pasi nuk keni të bëni me ndonjë njeri dosido. Ai s’është thjesht Bob, por është Profesor Nderi (Professor Emeritus) i Universitetit të Çikagos. Dr. Shumani ka botuar aq libra sa s’kini vite ju të dyja së bashku.” Ndërsa të dyja infermieret zgurdulluan sytë të habitura, ai ktheu kokën nga unë dhe me një zë të mekur tha: “Jo, emri im është Bob. . . Do të kishte qenë më mirë që disa nga librat të mos ishin botuar fare.”
Kur vazhdoja studimet për letërsi angleze në universitetin e Las Vegasit, shpesh diskutoja me mikeshën tonë të përbashkët (të Bobit dhe timen) Dr. Casey Diana, një tjetër ish-studente e tij, rreth leksioneve, pedagogëve dhe autorëve të ndryshme që studionim në universitet. Dhe kur lëvdoja ndonjë profesor, ajo menjëherë ndërhynte: “Ti nuk e di se si është në të vërtetë një profesor anglishte, derisa nuk ke pasur fatin të ketë dhënë mësim Bob Shumani.” Në korpusin e veprave të tij, një vend të konsiderueshme zënë edhe botimet që kanë të bëjnë me pedagogjinë e dhënies së leksioneve. Dr. Joseph Trahern tregon se “arritja kryesore në ato vite që isha Shef i Katedrës së Anglishtes në Universitetin e Illinoit, ishte fakti që munda të bindja Bobin që të vinte në universitetin tonë si Drejtor i Programit të Anglishtes.” Ai ishte jo vetëm një studiues i shkëlqyer i letërsisë, por edhe një pedagog si pak kush. Dhe, paçka se ç’lartësi arriti në jetë, ai ishte i thjeshtë si edhe një sfidues i çdo lloj hierarkie njerëzore. Ja pse nuk pranonte njeri t’i drejtohej Dr. apo Prof. Shuman.
Atje ku mëngjesi dhe mbrëmja nuk do t’më shqetësojnë më
Shtëpia e tij ishte e mbushur me vepra arti, veçanërisht piktura. Por mua më tërhiqte vëmendjen një kornizë e vockël që kishte një poezi pesë vargjesh, e pabotuar ndonjëherë, me titull “Kërkesë” të Langston Hughes. Në krye të titullit, me një kaligrafi të shkëlqyer, autori kishte shkruar “Për Robert E. Shuman, me sinqeritet”. (Paçka se Langston Hughes ishte afro 30 vjeç më i madh, miqësia e tyre kishte filluar qysh kur Bob Shumani ishte gjimnazist. Në letërkëmbimin e tyre, Langston Hughes disa herë i ka kushtuar atij poezi e Bob Shumani i ka ruajtur me fanatizëm dhe, deri më sot, ato janë të “panjohura”.) Çdo herë që hyja në shtëpinë tij, ndalesha para poezisë dhe përpiqesha të përfytyroja raportet miqësore e krijuese ndërmjet tyre. Ja poezia në një përkthim të lirë:
Kërkesë
Më dërgo 20 dollarë
E disa qindarka.
Do të shkoj atje ku
Mëngjesi dhe mbrëmja
Nuk do t’më shqetësojnë.
Ditët, javët, muajt që R. Baird Shumani ishte i sëmurë, këto vargje nuk më shqiteshin nga mendja. Në mënyrë të pavetëdijshme, dëshira e tij për t’u larguar nga kjo botë, ndoshta lidhej me semantikën e këtyre vargjeve. Më 12 gusht 2013, ai u nis përfundimisht atje ku mëngjeset dhe mbrëmjet nuk do ta shqetësonin më. Iku! U shua! Kurrë s’do të ketë më një Bob Shuman tjetër! Ishte kaq njerëzor e i përkryer saqë të dukej sikur kishte dalë jo nga barku i nënës, por nga fletët e librave. . . dhe atje u kthye përsëri. Pikërisht nga librat e tij, ai do të vazhdojë të shërbejë si model për gjeneratat e reja. Prof. Dr. Donald E. Hall, ish-student i tij dhe tani Dekani i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencës në Universitetin e Lehigh-it, shkruan: “Ai më mësoi të mos lodhem së punuari, të shkruaj çdo ditë e të botoj si të jem një gjenerator.” Dhe nuk është për t’u habitur që Dr. Donald E. Hall është vetë një autor shumë pjellor. Dhe jo vetëm ai. Këtë fat kanë pasur shumë e shumë studentë të Prof. Shumanit. Mesiguri, pa Bob Shumanin vështirë se do të ishin ngjitur kaq lart.