Në gjurmët e një kërcënimi të dikurshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Puthadori shembullor i presidentit Putin

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Një gazetar i njohur rus, Dmitri Kiselovi (1954), gati pesë vjet më parë, bëri një kërcënim publik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për dijeninë e lexuesve të nderuar, Dmitri Kiselovi është drejtues emisionesh televizive, drejtor i përgjithshëm i agjencisë informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia sot) dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i KSHTRM (Kompanisë Shtetërore Televizive dhe Radiopërhapëse Mbarëruse). Në veprimtarinë e vet gazetareske, Dmitri Kiselovi, për puthadorësinë (servilizmin) e tij karakteristike ndaj Putinit, ka rënë në sy jo vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.

Në një emision televiziv përmbyllës të programit “Vjesti njedeli” (Lajmet e javës), asokohe Dmitri Kiselovi pati deklaruar se Rusia është i vetmi vend, i cili “ka aftësinë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv”.  (Citohet sipas: “Dmitri Kiselovi : “Rusia është e aftë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv”. Faqja e internetit “echo.msk.ru”. 16 mars 2014).

Pra, kjo deklaratë e këtij puthadori të regjur të politikës së Kremlinit bëhej në një kohë kur Rusia kreu pushtimin e Krimesë nën maskën e një të ashtuquajturi referendum dhe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë pozicionuar prerë kundër atij pushtimi.

Për mënyrën se si ishte organizuar propaganda e Kremlinit për “të mirat” e pushtimit të Krimesë, mund të gjykohej jo vetëm nga instruksionet e bëra publike për gazetarët e televizioneve. Në të ashtuquajturat “kthina të fshehta”, atyre u jepeshin këshilla për të rrëfyer për “shpërthimin e shfrenuar të krimit” në Ukrainë, për “kacafytjet në rritje për pushtet”, për “kriminalitetin nën maskën e Majdanit” dhe mandej për të reklamuar qetësinë çlodhëse në Krime. Jevgjeni Kiselovi, gazetar rus dhe analist politik që punon në Kiev, ish-drejtor i përgjithshëm i TPR (televizion publik rus) dhe kryeredaktor i gazetës “Moskovskije Novosti” (Lajme të Reja nga Moska), metodat e telepropagandistëve rusë i krahasonte me punën e bashkëpunëtorëve të Jozef Gebelsit. Prandaj edhe emri i Dmitri Kiselovit qe përfshirë asokohe në listën e funksionarëve rusë që e kapnin sanksionet ndërkombëtare.

Në një intervistë që Dmitri Volçek (1964), poet, prozator, përkthyes dhe botues rus, kryeredaktor i sajtit “Radio svoboda” (Radio liria), i ka marrë Juri Kiselovit dhe që e pati botuar në internet, del në pah me tërë spikamën e vet mashtrimi skandaloz i makinerisë propagandistike të Putinit, të përfaqësuar nga Dmitri Kiselovi e kompani, për zhvillimin e ngjarjeve në Ukrainë, në ballafaqim me të vërtetën që pasqyron gazetari i shquar Jevgjeni Kiselov, si dëshmitar i drejtpërdrejtë i atyre ngjarjeve. Pra, kemi të bëjmë me dy gazetarë me të njëjtin mbiemër – Kiselov – por me pikëpamje krejtësisht të kundërta në raport me të vërtetën: njëri noton në detin e mashtrimit, kurse tjetri rrezaton vetëm të vërtetën. Në atë intervistë, Juri Kiselovi pati deklaruar: “Mua më vjen turp të jem qytetar rus” (Citohet sipas: Dmitri Volçek. “Mua më vjen turp të jem qytetar rus”. Intervistë me gazetarin Jevgjeni Kiselov. Faqja e internetit “svoboda.org”. 30 mars 2014).

Dmitri Kiselovi, brenda dhe jashtë Rusisë, ka rënë në sy për servilizmin e tij të pështirë para Putinit. Me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit të programit televiziv me temë “Lajmet e javës”, ai pati përgatitur një koment që zgjati 12 minuta dhe 41 sekonda. Në atë koment, ai deklaroi:

“Për nga përmasat e veprimtarisë, Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i krahasueshëm vetëm më Stalinin”.

Ndërsa në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitri Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë vetëposhtëruese:

“Vladimir Vladimiroviç, mua më keni besnik, çizmet do t’ju pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më keni besnik”. Faqja e internetit “svoboda.org”. 13 dhjetor 2013).

Pas deklaratës së mësipërme kërcënuese të Dmitri Kiselovit në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ca kohë më pas qe publikuar reagimi i zëvendëskryeministrit të Federatës Ruse Dmitri Rogozin (1963), doktor i shkencave filozofike. Në një dalje publike ai pati deklaruar:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, brenda disa orëve, mund të zhdukin deri në 90% të potencialit tonë bërthamor. Gjatë më shumë se dhjetë vjetëve, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpunohet koncepti i një goditjeje globale të rrufeshme. Sipas atij koncepti, parashikohet dhënia e goditjes me armatim jobërthamor në çdo pikë të planetit brenda një ore. Në bazë të rezultateve të lojës luftarake që u zhvillua në Pentagon në fund të vitit të kaluar, me ndihmën e 3,5-4 njësive të armëve të precizionit të lartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në gjendje që brenda gjashtë orëve të shfarosin objektet kryesore infrastrukturore të kundërshtarit dhe t’i heqin atij mundësinë për të rezistuar” (Citohet sipas: Dmitri Popov. “Rusia do ta humbasë luftën me Amerikën brenda gjashtë orëve”. Faqja e internetit “mk.ru”. 28 qershor 2014).

Kërcënimi i gazetarit-puthador të Putinit në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është pasojë e rrënjosjes së “universitetit” të servilizmit politik në Rusi, për të cilin vetë kreu i Kremlinit ka treguar dhe vazhdon të tregojë një kujdes të jashtëzakonshëm për lulëzimin e tij. Në “auditoret” e këtij “universiteti” të servilizmit janë edukuar dhe edukohen jo vetëm breza gazetarësh të shumtë servilë, por edhe politikanë. Madje servilizmi i ndonjë figure politike ndaj agait të Kremlinit, ka arritur deri në përmasa sa skandaloze, aq edhe qesharake.

Le t’u flasim lexuesve me gjuhën e fakteve.

Deputetja e Dumës Shtetërore Elena Mizulina (1954), kryetare e komisionit parlamentar për çështjet e grave, të fëmijëve dhe të familjes, doktore e shkencave juridike, me titullin “profesor”, u propozoi grave ruse të lindin fëmijë me Putinin. Një propozim të tillë ajo e pati bërë më 05 tetor të vitit 2014, në një tryezë të rrumbullakët, kushtuar problemeve demografike në Rusi.

Le të njihen lexuesit me propozimin e saj:

“Thelbi i propozimit tim është i thjeshtë: çdo qytetare e Rusisë do të ketë mundësi të marrë me postë materialin gjenetik të presidentit të Federatës Ruse, të ngelet shtatzanë me spermën e tij dhe të lindë fëmijë. Nëna të tilla do të marrin një asistencë të posaçme nga shteti. Fëmijët e lindur me presidentin, në të ardhshmen do të përbëjnë elitën ushtarake dhe politike të shtetit” (Citohet sipas: “Ushtria e klonimeve të Putinit”. Faqja e internetit “motivnews.com”. 09 nëntor 2014).

Si u komentua asokohe në mjediset ndërkombëtare ky propozim i politikanes ruse?

Në sajtin e “New York Observer” thuhej:

            “Kjo do të thotë se këta “bij putinianë” do të jenë shkurtabiqë dhe tullacë? Mos dashkeni gjë të keni një fëmijë, i cili do të gënjejë, do t’ju futë thikën në shpinë dhe do t’ju rrëmbejë shtëpinë?”.

Radiostacioni amerikan Fox News Radio” transmetonte:

            “Ligjvënësja ruse kërkon të zgjerojë madhështinë e Rusisë nëpërmjet përhapjes së spermës së Putinit”.

Gazeta New York Daily News” njoftonte:

            “Rusia shumë shpejt mund të ketë një ushtri të tërë Putinësh shkurtabiqë”.

Agjencia angleze e informacionit “Inquisitr” shkruante:

            “Kemi dëgjuar se me rrugë postare dërgohen nuse ruse. Prandaj porositë postare për lindje fëmijësh nuk janë kaq joreale. Dërgimi i spermës së Putinit për gratë ruse tani duket i shpifur. Por nëse pas 20 vjetësh do të shfaqet një ushtri e tërë kalorësish tullacë me gjoks të zbuluar, atëherë kemi për ta vlerësuar këtë informacion të gazetës ruse”.

Gazeta zvicerane “Blick” nënvizonte:

            “Politikania ruse kërkon: sperma e Putinit për të gjitha gratë!”.

***

Sa për kujtesë njerëzve pa vetëdije kombëtare, nostalgjikëve të Rusisë në Shqipëri

Propaganda e shfrenuar gebelsiane e Putinit kundër Ukrainës, që zbulonte urrejtjen e Dmitri Kiselovit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më sjell në kujtesë shfaqjen e urrejtjes së tërbuar që mjetet e informimit masiv rus dhe sidomos kanali televiziv shtetëror rus, patën shpërthyer kundër kombit shqiptar, që nga Kamçatka deri në Peterburg, veçanërisht kundër popullit shqiptar të Kosovës, gjatë periudhës që NATO-ja po bombardonte Serbinë në pranverën e vitit 1999. Asokohe, siç njoftonte ambasadori ynë në Moskë, zotëria Shaqir Vukaj, në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë u regjistruan 70 mijë vullnetarë për t’u nisur drejt Serbisë dhe për t’u radhitur në formacionet kriminale serbe për vrasjen e shqiptarëve të Kosovës. Përveç kësaj, personelit të ambasadës sonë në Moskë, përmes postës elektronike, i dërgoheshin kërcënime anonime, në të cilat merrej në mbrojtje barbaria shoviniste e Millosheviçit dhe sulmohej egërsisht etnia shqiptare. Ja njëri nga ato kërcënime, në të cilin shkruhej:

“Shqiptarë të ndyrë! Ju duheni mbyllur në Shqipëri si në kafaz dhe në rast se doni të dilni, duheni vrarë si qen të tërbuar. Gratë tuaja duhen sterilizuar, që të mos mund të lindin më si lepujt. Dhe në qoftë se ju do të vendosni të vini në Kosovën serbe, do të ngordhni. Toka do t’ju helmojë. Kombi juaj duhet zhdukur. Le t’ju marrin amerikanët atje, në Amerikë. Ngordhni sa më shpejt në Rusi. Juve do t’ju therim” (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova. (Shënime të një diplomati)”.Tiranë 2007, f. 415).