Nga Avokati Kieran Both (shqip dhe anglisht: [email protected])
Keni ngecur jashtë shtetit?
Personat që kanë green card.
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i) e ka të qartë që nëse keni green card dhe keni udhëtuar jashtë SHBA-së, në një periudhë kur ata që udhëtojnë duhet t’i nënshtrohen një numri kufizimesh për shkak të Covid-19-ës, është normale të shqetësoheni lidhur me pasojat që mund të keni për shkak të një qëndrimi të tejzgjatur jashtë SHBA-së. Nëse ju është vonuar kthimi nga një udhëtim jashtë SHBA-së për shkak rrethanash të paparashikueshme, siç janë kufizimet në udhëtime gjatë Covid-19-ës, udhëtimi në fjalë vazhdon ta ruajë natyrën e tij të përkohshme dhe USCIS-i nuk do ta shohë vonesën si një abandonim të statusit të banorit të përhershëm të ligjshëm (LPR) sa kohë që ju vetë nuk keni hequr dorë nga plani për tu rikthyer menjëherë sapo ta keni përmbushur qëllimin e vizitës suaj. Në përgjithësi personat me green card që duan të kthehen në SHBA pas një udhëtimi të përkohshëm prej më pak se një viti, mund të përdorin formularin I-551 (të njohur ndryshe si green card) si dokument udhëtimi gjithnjë nëse nuk ka skaduar. Nëse udhëtimi i përkohshëm jashtë SHBA-së ka zgjatur një ose më shumë se një vit, atëherë duhet paraqitur formulari I-327 që njihet si “reentry permit” (leja për të rihyrë) ose viza emigruese SB-1 “për banorin që rikthehet”. Nëse keni qëndruar jashtë SHBA-së për një ose më shumë se një vit pa reentry permit ose përtej datës së skadimit të këtij dokumenti, atëherë nevojitet të kontaktoni ambasadën apo konsullatën më të afërt për të diskutuar lidhur me situatën konkrete. Për më shumë informacion, vizitoni faqen në internet të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Nënshtetasit amerikanë
Ju ka skaduar pasaporta amerikane?
Nëse gjendeni jashtë shtetit dhe ju ka skaduar pasaporta më ose pas datës 1 janar, 2020, mund t’ju lejohet të përdorni pasaportën e skaduar deri më 31 mars, 2022.
Kualifikoheni për të udhëtuar me pasaportë të skaduar nëse janë të vërteta pohimet e mëposhtme:
- Jeni nënshtetas amerikanë.
- Gjendeni aktualisht jashtë shtetit dhe kërkoni të ktheheni në SHBA.
- Po fluturoni direkt drejt SHBA-së apo territoreve të saj, ose gjatë rrugës së kthimit për në SHBA ose në territoret e saj, keni një tranzit të shkurtër, apo duhet të ndërroni avionin në një shtet të huaj.
- Pasaporta e skaduar ka qenë e vlefshme për një periudhë 10 vjeçare. Ose nëse keni qenë 15 vjeç ose më të vegjël kur u pajisët me pasaportë të vlefshme për një periudhë 5 vjeçare.
- Pasaporta e skaduar nuk është dëmtuar.
- Pasaportës së skaduar nuk i janë bërë ndryshime.
- E keni në zotërim pasaportën e skaduar.
Nuk kualifikoheni për të udhëtuar me pasaportë të skaduar nëse:
- Dëshironi të largoheni nga Shtetet e Bashkuara drejt një destinacioni ndërkombëtar.
- Gjendeni aktualisht jashtë shtetit dhe po kërkoni të udhëtoni drejt një vendi tjetër për një periudhë më të gjatë se ajo që nevojitet për të ndryshuar avionin në një aeroport të huaj në rrugë e sipër drejt Shteteve të Bashkuara apo territorit të tyre.
- Pasaporta e skaduar ka qenë me një afat skadimi të kufizuar (më të vogël se periudha normale e vlefshmërisë)
- Pasaporta e skaduar është pasaportë e posaçme (siç janë pasaportat diplomatike, pasaportat e shërbimit apo pasaportat e rregullta “pa tarifë” si ato që u jepen punonjësve të qeverisë amerikane kur udhëtojnë jashtë vendit).
- Pasaporta e skaduar është e dëmtuar.
- Pasaportës së skaduar i janë bërë ndryshime.
- Pasaportën e skaduar nuk e keni në zotërim.
Gjëndeni në SHBA dhe jeni në pritje të pasaportës?
Periudha normale për procesim varion nga 8 deri në 11 javë, kurse proçedura e përshpejtuar (nëse paguani $60 dollarë më shumë) nga 5 deri në 7 javë. Periudha e procesimit nis ditën që agjencia apo qendra që merret me pasaportat merr në dorë aplikimin tuaj dhe jo ditën kur e keni dërguar me postë apo kur aplikuat pranë pikës lokale që pranon këto lloj aplikimesh. Nëse keni në plan të udhëtoni nevojitet të aplikoni të paktën 4-6 muaj përpara datës së udhëtimit. Për shkak të numrit të kufizuar të takimeve (me vetë personin) të vëna në dispozicion për rastet e udhëtimeve urgjente, zyra e pasaportave nuk mund t’ju garantojë një takim të tillë në qendrën apo agjencinë e pasaportave. Kanë përparësi personat rastet urgjente të të cilëve janë çështje jete a vdekjeje.
Nëse keni aplikuar dhe nuk keni marrë pasaportë, mund t’i telefononi qendrës kombëtare të informacionit mbi pasaportat (National Passport Information Center) në numrin 1-877-487-2778 dhe të merrni udhëzime mbi mënyrën se si mund të bëni kërkesë për të përshpejtuar marrjen e pasaportës. Tarifa është $60. Të gjitha kërkesat për proçedurë të përshpejtuar do të trajtohen sipas radhës. Synimi i shërbimit të përshpejtuar është procesimi i aplikimit brenda 35 ditëve nga data kur agjencia e pasaportave mori në dorë aplikimin apo nga data kur kërkuat që në vend të proçedurës së zakonshme t’ju ofrohet proçedurë e përshpejtuar.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]