Uashington, 15 janar 2022 – Një sulm masiv kibernetik të premten bëri që shumë faqe në internet të qeverisë së Ukrainës të dilnin për disa orë jashtë funksionit, ndërsa kishte dhe një paralajmërim: “ Frikësohuni e prisni më të keqen”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se është në kontakt me Kievin, por ende nuk ka identifikuar një përgjegjës për këtë sulm.
Analistët thonë se sulmi kibernetik është në një linjë me sulmet e tjera të kryera nga rusët. Aktualisht tensionet janë rritur edhe më shumë.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi gjithashtu njoftimet e inteligjencës amerikane për një operacion të mundshëm provokues nga ana e Rusisë, sipas të cilave operativë rusë mund të kryejnë një sulm kundër forcave pro ruse në Ukrainën lindore, me qëllim që Moska më pas të justifikojë një tjetër pushtim.
“Ne kemi informacione që tregojnë se Rusia ka paracaktuar tashmë një grup operativësh për të kryer një operacion provokues në Ukrainën lindore. Operativët janë të trajnuar, ata dinë të përdorin eksplozivë për të kryer akte sabotazhi kundër forcave që bashkëpunojnë me ta”, tha Jen Psaki, Sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Bisedimet këtë javë mes Rusisë dhe Perëndimit, që synonin uljen e tensioneve, përfunduan pa marrëveshje. Moska të premten publikoi një video që tregonte tanke dhe trupa të këmbësorisë ruse që kryenin stërvitje pranë qytetit Rostov-on-Don në Rusinë jugore, pranë kufirit me Ukrainën.
Të enjten, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan pranoi se bisedimet përfunduan pa një marrëveshje, por tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë të përgatitur për çdo skenar.
“Ne jemi të përgatitur të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën diplomatike me mirëbesim, por jemi të përgatitur të përgjigjemi nëse Rusia vepron. Gjithçka që mund të bëjmë është të përgatitemi dhe ne jemi gati”, tha ai.
Rusia thotë se ende nuk ka marrë ende asnjë përgjigje përfundimtare për kërkesat e saj, atë që NATO të mos lejojë kurrë anëtarësimin e Ukrainës apo të ndonjë ish-republikë tjetër sovjetike në aleancë.
Me tensionet që po rriten nga dita në ditë, Michael Kimmag nga Fondi Gjerman Marshall i tha Zërit të Amerikës se Uashingtoni duhet të përgatitet për çdo skenar të mundshëm.
“Nuk është vetëm diplomacia nga njëra anë dhe një luftë e drejtpërdrejtë nga ana tjetër. Ka edhe shumë skenarë të tjerë. Sulmet kibernetike janë një mënyrë. Pra janë një duzinë skenarësh që Shtëpia e Bardhë duhet t’i analizojë. Dhe jam i sigurt se ata po i analizojnë me kujdes të gjitha”, thotë Michael Kimmag nga Fondi Gjerman Marshall.
Ndërkohë, senatorët demokratë kanë prezantuar një legjislacion të ri, ku parashikohen sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë dhe sektorit bankar të Rusisë nëse Moska sulmon Ukrainën,
“Është një tregues i qartë i mbështetjes së Kongresit për sanksionet më të fuqishme të mundshme, duke përfshirë sanksione ndaj vetë presidentit të Rusisë, nëse ai shkel më tej sovranitetin e Ukrainës”, thotë Ben Cardin, Senator Demokrat
Senatorët demokratë thonë se një tjetër sulm rus ndaj Ukrainë do të bëhej shkak për krime lufte e shkelje masive të të drejtave të njeriut.
(Zëri i Amerikës)