Raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të normalizohen përderisa në Beograd ka ende zyrtarë të politikës aktuale të cilët e mohojnë masakrën e Reçakut dhe masakrat tjera të kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1988/99 në Kosovë. Prandaj tash e tutje Kosova do të duhej të del me një slogan: “Përgjegjësi penale para dialogut”
Sot bëhen 23 vite nga masakra më brutale e forcave pushtuese serbe kundër popullatës civile të Kosovës. Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes. Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.
Në ceremoninë e kujtimit të kësaj masakre, mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Koasovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se “pranimi i të vërtetës së të kaluarës është vetëm hapi i parë kah drejtësia.Askush të mos harrojë ose mohojë se çka ndodhi këtu ose përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës”, tha Hovenier.
Hovenier citoi ish-Presidentin e SHBA-së, Bill Klinton që në atë kohë kishtë thënë: „Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”.
Në kujtesën e popullit kjo masakër la gjurmë të pashlyera, ajo megjithatë, edhe pasi kan kaluar 23 viteve, përpos dokumentimit që i është bërë këtij krimi, asnjë person nuk është gjetur përgjegjës a ndëshkuar për këtë krim, ndërkohë që hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.
Për rrjedhojë, edhe pas 23 viteve të përfundimit të luftës në Kosovë, kanë ngelur hapur shumë pyetje që kërkojnë përgjigje nga ekspertët e krimeve të luftës, por mbi të gjitha nga politikanët se si ndodhi që Serbia deri më tani nuk ka dalur në bankën e të akuzuarve për masakrat që kanë krye forcat e saj pushtuese në periudhën e viteve 1998/99.
Shoqëria civile, bota akademike, mediat kanë qenë tepër pasivë në procesimin e krimeve serbe në Kosovë.
Serbia gjithashtu ka qenë edhe nxitëse e dy luftërave ballkanike, në vitet 1912 dhe 1913, në të cilat kanë humbur jetën mbi 500.000 shqiptarë të pafajshëm.
Të gjithë ata ekspertë që pretendojnë se Kosova nuk ka të drejtë të padisë Serbinë për gjenocid, megjithatë do të duhej ta dine se ekziston një adresë e cila quhet Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila funksionon aktualisht dhe merret ekskluzivisht me krimet shtetërore kundër civilëve, gjegjësisht me krimet që i bëjnë shtetet e caktuara në territoret e tyre, ose në shtetet tjera. Nga Kosova ka munguar një dosje me prova krimesh serbe nga terreni që do t’i adresohej kësaj gjykate dhe për pasojë Serbia tash e disa vite sillet si e shfajësuar, madje nuk mungojnë përpjekjet që serbët të paraqiten si viktima të, gjoja, reprezaljeve të Kosovës.
Dosja e munguar me këto krime, nuk mund të jetë justifikim për të vazhduar avazin e njëjtë, prandaj jo rastësisht muajve të fundit nga kabineti i kryeministrit Kurti kanë dalur zëra inkurajues për ngritjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë. Kjo madje mund të jetë aktuale pikërisht tani kur mbi krerët institucional të Kosovës po kërkohet të bëjnë edhe më tepër koncesione ndaj Serbisë në prag të referendumit që pritet të mbahet më 16 janar të këtij viti. Çuditërisht nga BE ende po mungon një kërkesë drejtuar Serbisë për marrjen e përgjegjësive penale, materiale, politike e morale për masakrat e kryera në Kosovë gjatë periudhës së viteve 1998/99 dhe për një listë të gjatë dëmesh në prone dhe për dhunën e ushtruar seksuale mbi rreth 20 mijë veta.
Raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të normalizohen përderisa në Beograd ka ende zyrtarë të politikës aktuale të cilët e mohojnë masakrën e Reçakut dhe masakrat tjera të kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1998/99 në Kosovë. Prandaj tash e tutje Kosova do të duhej të del me një slogan: “Përgjegjësi penale para dialogut”, me të cilën do të bëhej e qartë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi mund të ndodhë vetëm atëherë kur do të mbyllen deri ndokund plagët e luftës, të cilat ende kullojnë gjak, sa nga mungesa e përgjegjësisë penale të Serbisë, po aq edhe nga neglizhenca ekstreme e faktorëve politikë, institucionalë, intelektualë, akademikë e mediatikë të Kosovës brenda këtyre 22 viteve të fundit.
Prishtinë, 15 janar, 2022