Tenistit serb Novak Gjokoviq i anulohet viza, pritet të dëbohet nga Australia

Melburn (Australi) 16 janar 2022 – Shpresat e tenistit serb Novak Gjokoviq që të luajë në turneun “Australian Open” u shuan përfundimisht të dielën.

Gjykata Federale e Australisë e mbështeti vendimin e ministrit të Emigracionit të Australisë, Alex Hawke, për anulimin e vizës së Gjokoviqit, për shkak të interesit publik.

Gjokoviq, i cili nuk është vaksinuar kundër COVID-19, do të qëndrojë në paraburgim në Melburn, derisa të dëbohet nga Australia.

Një urdhër dëbimi zakonisht përfshin edhe ndalimin tre-vjeçar të hyrjes së të dëbuarit në Australi.

Novak Gjokoviq tha se ai është “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga vendimi i gjykatës, por tha se e respekton atë.

“Unë e respektoj vendimin e gjykatës dhe do të bashkëpunoj me autoritetet përkatëse në lidhje me largimin tim nga vendi”, tha ai.

Gjokoviq u urdhërua t’i paguajë edhe shpenzimet gjyqësore.

Kolegji i gjyqtarëve nuk dha shpjegime me shkrim për vendimin e marrë. Ato do të publikohen në ditët në vijim.

Viza e Gjokoviqit u anulua së pari në Aeroportin e Melburnit, më 6 janar, disa orë pasi ai mbërriti në Ausatrali për të marrë pjesë në Grand Slamin “Australia Open”. Një zyrtar kufitar ia anuloi vizën pasi vlerësoi se Gjokoviq nuk ishte vaksinuar dhe nuk kishte dëshmi për përjashtim mjekësor nga rregullat për hyrjen e personave të pavaksinuar në Australi.

Ky vendim u anulua nga një gjykatë e Melburnit dhe Gjokoviqit iu kthye viza. Por, çështja i kaloi ministrit të Emigracionit, Alex Hawke, i cili ka diskrecionin të marrë vendimin përfundimtar për çështje me interes kombëtar. Hawke ia anuloi vizën Gjokoviqit për shkak se mbrojtja ndaj pandemisë së kosonavirusit është çështje me interes kombëtar.

Australia ka vendosur masa të ashpra për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

(r.m.)