VERI TALUSHLLARI
Këto ditë të ndërrimit të viteve kam pas në duar disa libra nga dhe për Beratin. Lexova v2 të Trilogjisë së Ylli Polovinës “Në fillim ishte Bardha”, dhe pastaj çfletova po librin e Polovinës ” Shteti Kundër”. Për këtë libër do të doja të bashkëbisedoja pak më gjatë me lexuesin.
Ylli Polovina ka qënë i pranishëm në faqet e kësaj gazete për vite me radhë me shkrime shumë interesante e me një larmi të gjerë temash. Me Yllin nuk kam ndonjë miqësi të veçantë. Fundi i viteve ’90 e deri në gusht të 2001shit, kur me familjen emigrova për në New York, ishim pothuaj fqinjë, por vetëm kaq, se nuk na lidhte as e kaluara e as profesioni. Ai mësues, unë ushtarak, ai beratas e unë i ardhur… Mbase na lidhte një pasion i përbashkët për librin, gazetarinë dhe letërsinë, por rrethet ku shfaqej ky pasion ishin të ndryshëm. E veç kësaj, Ylli këtë pasion kish kohë që e kish kthyer në mision, kish punuar si gazetar, kish botuar shumë analiza politike, artikuj, libra, madje dhe romane.
Si gjithë Shqipëria, dhe ca më tepër ne që lidheshim me fije të dukshme e të padukshme, përjetuam dramën ku Ylli, Bardha, vajzat dhe familja e tij kaluan atë pranverë të tmerrshme të ’96s, kur shteti berishist e burgosi për një… analizë politike (!). Pikërisht atë dramë ai e përshkruan në librin “Shteti Kundër”, por për të do flas pak më poshtë.
Dihet çfarë viti ka qënë për Shqipërinë, shqiptarët dhe demokracinë shqipare viti 1996 dhe sidomos ai pas tij, 1997a! Aty nga 1998a kisha lexuar dy botime të Shtëpisë Botuese të Librit Ushtarak, përkthyer nga anglishtja, sidomos njëri prej tyre, “Maska e Komandimit” e John Kigan, historiani më i shquar ushtarak i botës perëndimore i dekadave të fundit, më la një përshtypje të veçantë. Libri bën një portret fantastik të katër Gjeneralëve të mëdhenj në Historinë Botërore, Aleksandrit të Madh, Wellingtonit-Dukës që mundi Buonapartin në Betejën e Waterloos, Gjeneralit Ulisses S.Grant- fitimtari i Luftës Civile Amerikane dhe Adolf Hitlerit. Autori provon t’i japë përgjigje pyetjes: Ku është vendi i Komandantit Suprem në Luftë? Gjithnjë në Front? Sa në Front dhe në Prapavijë? Gjithnjë në Prapavijë? Sigurisht autori meret me natyrën e Luftës, por objekt kryesor është analiza e Lidershipit.
Duke menduar rreth tij, rastësisht u ndodha në autobuzin qytetës përballë Yllit dhe pa u menduar dy herë e përshëndeta. Ju prezantova, i thashë se e ndiqja publicistikën e tij dhe duke e njohur natyrën e saj do të doja të të jepja me të drejtë kthimi disa botime të veçanta. Dhe vërtet mendoja se sidomos “Maska e Komandimit” do të ishte një gjë e çmuar për të.
Nuk u gabova, pas pak kohe, megjithëse më premtoi që do ta kthente, Ylli më takoi me 3-4 libra të tij në dorë dhe duke qeshur më tha se i ke në këmbim të “Maskës…” Pak më vonë ai botoi dy romane interesante, “Mig-19-97”, për ngjarjet tragjike të vitit 1997 me fokus Aerodromin Ushtarak të Kuçovës ku unë shërbeja, dhe ato ngjarje dhe personazhet, sidomos heroin kryesor, Komandantin e Aerodromit, e njihja mirë; si dhe romanin “Natalja”, një histori dashurie e një studenti shqiptar për pilot në Bashkimin Sovjetik në vitet 1950. Për të dy unë shkrojta në Gazetën “Ushtria” dhe atë të Beratit, “Orakulli i Tomorit”, artikuj reçensues.
Por kaq ishin marrëdhëniet tona. Vite më vonë u bëmë miq në Facebook, por isha i sigurtë që Ylli as më mbante mend. Në një nga vajtjet e mia të fundit në Shqipëri unë e ftova për një kafe dhe biseduam për jetën, gëzimet e hallet, të njohurit e përbashkët, të gjallë e të ikur, për Beratin, Tiranën dhe New Yorkun… Në ndarje i dhashë kopjen e librit tim të vetëm ” Tabllo e Çngjyrosur “, e ai veç dy librave që përmenda më dha dhe disa të tjerë me format elektronik. E ja tani po endem mes tregimit të peripecive të atij arrestimi të padrejtë, por – kryesorja- mes asaj turbullie të mendjes e të ndjenjave që të zgjon abuzimi me fuqinë e një shteti që ne vetë e kemi ndërtuar. I kemi dhënë një fasadë të bukur duke e quajtur “shtet demokratik”, çka do të thotë se në gjithçka e ndaj kujtdo mbizotëron vetëm ligji, por që nuk është kështu në mënyrën si funksionon.
Polovina i bën një analizë të plotë, të thellë e të gjithanshme shtetit që ju kundërvu një gazetari për një shkrim ku vinte gishtin në plagë që do të kishin pasoja për sigurinë kombëtare. (Analiza i kushtohej atentatit ndaj Presidentit Gligorov të Maqedonisë në vjeshtën e vitit1995.) Por kur nga plaga shpërtheu qelb e u derdh gjak njerëzish të pafajshëm, fajtor nuk u bë shteti që ishte symbyllur, mekanizmat shtetërorë që nuk funksionuan, personat përgjegjës nga maja e piramidës shtetërore e poshtë, por faji kërkohej aty ku nuk ishte. Por goditja nuk ishte thjesht për të larguar vëmëndjen nga krimi – bëhet fjalë për shpërthimin te Supermarketi i ” VEFA”-s në fillim të vitit 1996, ku 4 të pafajshëm humbën jetën- por që edhe shtypi të merte një mësim nga shteti. Po kur shteti “demokratik” fillon goditjen e shtypit, asgjë e mirë nuk vjen pas. Dhe ne e dimë ç’ndodhi me shtetin shqiptar vetëm pak muaj më vonë: rënia tragjike e tij dhe ata mijra të vrarë në katastrofën e vitit 1997.
E pra shenjat e rënies së shtetit ishin dhënë; Polovina i tregon ato nëpërmjet përvojës së tij personale, mes të tjerash përmes dëshirës dhe abuzimit të lidershipit shtetëror për të fshehur të vërtetat e dështimit të jetësimit të parimeve demokratike, uzurpimit të drejtësisë, shmangies së debatit dhe mendimit opozitar, dëshirës për të nënshtruar shtypin dhe mediat, krijimin e një klime frike e terrori e kështu me radhë.
Është për të ardhur keq që gjërat kanë lëvizur aq pak në Shqipëri, dhe përsëri, megjithëse vendi është anëtar i NATOs dhe aspiron për t’u antarësuar në BE, megjithëse ka filluar një reformim rrënjësor i sistemit të drejtësisë, gjërat nuk kanë lëvizur mjaftueshëm. Shtypi endé ndjen presionin e shtetit, korrupsioni është në nivele të larta në administratën shtetërore dhe krimi është jashtë kontrollit. Për më keq, personazhet famëkëqij që shkaktuan dramën që Polovina përshkruan në librin e tij, janë endé nëpër këmbë. Deri kur?! Deri kur?! Dhe a dimë ne shqiptarët të nxjerim mësime nga ngjarjet, nga dështimet, nga gabimet? A e kuptojmë ne se dramat, tragjeditë e mëdha të një kombi, fillojnë te dramat dhe tragjeditë personale, të njerëzve të zakonshëm. A e realizojmë ne se shteti demokratik, shteti që ne, nëpërmjet votës i delegojmë pushtet, pikërisht për të mos e keqpërdoruar atë, e aq më pak për të ushtruar shtypje e dhunë pikërisht ndaj votuesve të vet. Polovina për dramën e tij personale, me të drejtë e ve gishtin jo vetëm ndaj shtetit, po edhe ndaj pushtetarëve të kohës, “…mua më arrestoi Sali Berisha…”- shkruan ai, shërbëtorëve të tij të tipit Gjin Gjoni me shokë, por kjo nuk e zbeh as akuzën ndaj shtetit, e as konkluzionet për abuzimin e shtetit ndaj individit dhe shtypit të lirë. Ja, edhe për këtë ky libër i vogël, rreth 160 faqe, ja vlen të lexohet.
NY, Janar 2022.