Ishte vitit 2012, viti i 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe në Kuvend shkonte Rezoluta për Çamërinë. Ashtu si dhe sot për Komisionin Hetimor për Çështjen Çame, edhe atëherë kishte rezistencë të krahëve të politikës që kishin merak mos hidhëronin me këtë Rezolutë fqinjët e Greqisë. I pari që firmosi për këtë Rezolutë ishte shkrimtari Dritëro Agolli. Ai thotë që Rezoluta Çame është e vërtetë dhe duhet votuar nga deputetët, sepse është e drejtë.
Bisedoi: Denion Ndrenika
Në një intervistë të dhënë për Gazetën Kombëtare, Dritëro Agolli shpjegon si e njeh Çamërinë dhe përse mbështet Rezolutën Çame.
Më poshtë botojmë me shkurtime këtë intervistë kaq interesante në formë homazhi për largimin e shkrimtarit të çmuar.
Gazeta Kombëtare: Si e mbani mend ju eksodin dhe genocidin që u bë nga ushtritë zerviste në vitet ’44 – ‘45 ndaj popullsisë çame?
Dritëro Agolli: Ky dëbim zgjati edhe në fillim të 1946-ës, por që nga Çlirimi, në 1944-ën, edhe në 1945-ën, unë i mbaj mend nga gazetat ato ngjarje. Atëherë dilte Gazeta “Bashkimi” dhe po t’i shihni ato numrat e atëhershëm, shteti shqiptar bëri një propagandë shumë të madhe kundër këtij akti. Kështu që ishte një tragjedi e madhe dhe në gjithë ata artikuj, kuptohej që ky ishte një akt jonjerëzor, barbar. Atëherë këndohej dhe një këngë: “Kotokoja me Zervën kërkojnë tokat tona, po neve iu përgjigjemi se s’jemi makarona”. Pra, edhe sistemi në atë kohë nuk ishte kundra, sepse marrëdhëniet nuk ishin dhe aq të mira. Ndonjëherë si gjithë populli shqiptar, ku disa u dënuan dhe padrejtësisht, si Teme Sejko, ndaj unë them që është e drejtë, sepse ky është një fakt historik që nuk e mohon dot asnjeri. Madje, do mendoja që qarqe të veçanta të vendit tonë fqinj duhet ta kenë edhe si një falënderim të popullit shqiptar çam që është atje, sepse një pjesë e madhe e kapedanëve shqiptarë si Marko Boçari, Kostandini dhe Noti Boçari, Koço Zhavella, Jani Gjeli e të tjerë kanë luftuar për Pavarësinë e Greqisë, por edhe për pavarësinë tonë.
Përpara se të ndodhte genocidi, si kanë qenë marrëdhëniet e shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Çamërisë që kishin mbetur më 1913-ën jashtë territoreve shqiptare?
Përpara, shumë kohë përpara, ata kanë pasur një marrëdhënie shumë të mirë me patriotët e Çamërisë, sepse një pjesë e tyre ishin edhe delegatë të Ismail Qemalit në 1912-ën. Po ashtu edhe në luftën e Vlorës, ku mori pjesë patrioti çam Rexhep Çami. Marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, madje disa nga patriotët kanë qenë edhe në Rilindjen Shqiptare, që kanë luftuar për Çështjen Kombëtare. I tillë ishte dhe Hoxha Tahsini, i cili ka qenë i pari, madje ka qenë rektor i Universitetit të Stambollit që ka marrë pjesë në Komisionin për Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Kështu që ka patur njerëz të shquar të asaj kohe, të cilët kanë marrë pjesë në këto aktivitete të mëdha kombëtare. Po ashtu, ka qenë edhe Muhamed Kyçyku, i cili dha kontributet e tij me poemën “Erveheja” që më pas do t’u shërbente studimeve të shumta.
A mendoni se u është dhënë roli i duhur këtyre personave në historinë shqiptare?
Bilal Xhaferri përmendet edhe në historinë e letërsisë shqipe. Ai ka lexuesit e tij, madje edhe nga kritika e letërsisë është çmuar. Edhe kur nuk ishte në Shqipëri, kishte njerëz që e kujtonin, pavarësisht se nuk shkruhej për të. Thuhej që ishte një prozator shumë i mirë dhe një poet i një niveli të lartë artistik. Nuk mundet t’i harrosh në kulturën tonë dhe nuk mund të ndahen. Për kapedanët e Çamërisë ka shkruar Bajroni apo edhe Hygoi, të cilët i kanë përmendur me tone të larta pozitiviteti dhe i kanë çmuar për kontributet dhe vlerat që kanë treguar. Ka shumë e shumë të tjerë që përmenden në historinë tonë, kur flitet për Çamërinë, ku dua të përmend vallen e Osman Takës, një nga vallet më të bukura. Gjithashtu këngët e shumta çame, siç është edhe ajo për Çelo Mezanin, e cila këndohet me një dashuri të madhe, vargjet e të cilit thoshin: “Te pusi i Çelo Mezanit, kur këndoi gjeli i parë, kur këndoi këndezi i ditë Çelua gremisi sitë…” Madje mund të them se personalisht vallen e Osman Takës nuk e kam kërcyer se nuk kam mundur, por këngët çame i kam kënduar. Madje, kur ishim në Devoll, im atë thoshte gjithmonë, kur vinin mysafirë: “T’ia marrim një këngë çamçe…”. Kultura dhe tradita çame kanë pasur një vend të veçantë edhe për sa u takon veshjeve tradicionale. Veshja e tyre ishte e bukur, fustanella ishte 300 palë, madje arrinte deri në 500, me jelekë të qëndisur, me opingat me ato xhufkat e kuqe dhe të zeza. Xhufkat e zeza ishin për pleqtë dhe të kuqet për të rinjtë.
A vazhdon të ruhet tradita çame, a ka njerëz që punojnë për t’i ruajtur ato tradita?
Unë mendoj se vazhdon të ruhet, veçanërisht në këngët e vallet, pasi fustanellat kanë ndryshuar nga ato që mbanin në Greqi, megjithëse fustanella është e jona dhe jo e grekëve. Kanë ndryshuar veshjet, siç ishin edhe qëllotat që bëheshin prej leshi, por ka nga ata që i mbajnë edhe sot, kryesisht pleqtë. Një pjesë e traditës ruhet, por më mirë se çdo gjë tjetër ruhet tradita folklorike.
Lidhur me çamët ortodoksë që jetojnë sot në Greqi, të cilët shpesh mohojnë të flasin shqip, ata, druhen të flasin shqip, apo si?
Unë mendoj që druhen; nuk është se nuk duan ta pranojnë, por druhen. Personalisht kam qenë atje në kohën e pushtimit gjerman, në Revan dhe më kujtohet që ata, revanarët dinin shqip dhe nuk kishin druajtje në kohën e pushtimit fashist, madje ishin shumë mikpritës. Mund të them se në atë kohë u bashkuan partizanët grekë me partizanët shqiptarë. Kishin solidaritet të madh në ato anë. Atëherë nuk vura re ndonjë dallim midis atyre që ishin me fe ortodokse të mos flisnin shqip. Po ashtu, edhe në Kosturë ka plot ortodoksë. Atje im atë ka bërë edhe shkollën dhe nuk kishte gjëra të tilla. Me sa duket, pas Çlirimit u përhap më shumë kjo druajtje, pasi i quajtën bashkëpunëtorë të fashizmit.
A duhet të gëzohen shqiptarët për një Shqipëri të Madhe një ditë?
Më parë duhet të gëzohemi në arën tonë, se ai që punon një arë gëzohet tek prodhimet që jep ajo pronë. Të rregullojmë njëherë këto punët tona, të kemi për të ngrënë, të kemi drita, të mos ketë një varfëri kaq të madhe, ku mbi 60 për qind e popullsisë janë të varfër. Kështu që, kur të rregullojmë këto, ashtu siç thoshin dikur pleqtë: “Kur të kemi një xhaketë, një këmishë të mirë, atëherë mund t’i rregullojmë me një kravatë”. Nuk mund të kesh “kravatë” në kanotiere. Unë nuk jam kundra “kravatës”, sepse unë jam shqiptar dhe dua ta kem Shqipërinë e Madhe, por sot për sot çështja është “sa ke jorganin do të zgjatësh këmbët”, sepse bën akoma ftohtë.
Pak ditë më parë është depozituar në Kuvend Rezoluta për Zgjidhjen e Çështjes Çame, e cila është një nga plagët e hapura të Shqipërisë; Çamëria është plagë e hapur. Çfarë mendimi keni për këtë rezolutë?
Unë e kam lexuar Rezolutën, madje në gazetën tuaj, dhe mund të them se është brenda normave të të drejtave ndërkombëtare. Rezoluta është e bazuar tek të drejtat e njeriut, tek të drejtat e fjalës së lirë, të drejtat e pronës, të drejtat e lëvizjes e të tjera. Kjo Rezolutë kërkon me të drejtë që, për shembull mua të më lejojnë të shoh vendin ku kam lindur. Ashtu siç është edhe elefanti, i cili kur vdes – them “vdes”, sepse nuk më pëlqen t’i them “ngordh” – do të prehet në tokën e tij, atje ku ka lindur. Njeriu, i cili ka një mendje më të zhvilluar, do të shohë atë që ka lënë pas, varret e gjyshërve, të stërgjyshërve, të përkulet atje mbi varre, të marrë një grusht dhé. Këtë të drejtë e kërkojnë edhe vetë dokumentet e Helsinkit; është mëse e domosdoshme që të respektohen të drejtat e njeriut, pasi ne jemi njerëz.
Së fundmi, shumë politikanë marrin prej jush këshilla, mendime dhe meqenëse zëri juaj dëgjohet e ju jeni pro kësaj Rezolute, çfarë thirrjeje, mesazhi u dërgoni 139 politikanëve, pasi zoti Dule është shprehur për votën kundër?
Unë mendoj që vetë Rezoluta, e cila është e vërtetë, u bën një thirrje njerëzve. Kur pajtohem unë, që hedh një firmë mbi të, ky është një veprim që shikohet. Unë nuk kam dëshirë të bëj thirrje, të më dëgjojnë mua, ndaj ai që mendon se kjo Rezolutë është e drejtë, le ta votojë.