Prishtinë, 25 janar 2022 – Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2021 ishte 9.9 për qind.
Ai ka thënë se një ndikim të madh në rritjen ekonomike ka pasur diaspora.
“Me fillimin e pandemisë COVID-19 nga masat e marra nga Qeveria ka bërë që në vitin 2020 ekonomia e Kosovës të ketë rënie prej 5.3 për qind. Me relaksimin e masave kufizuese gjatë 2021-së, kryesisht të ndikuar nga diaspora dhe shumë faktor të tjerë ekonomik bëri që të ketë rritje ekonomike prej 9.9 për qind”, ka thënë Mehmeti për RTK.
Ai ka shtuar se shpenzimet rezidente të diasporës kanë qenë 1.34 miliard euro, ndërsa remitencat kanë arritur mbi 1 miliard euro.
“Me të dhënat e tetorit 2021 që kemi në dispozicion, shpenzimet rezidente të diasporës shënojnë 1.34 miliard euro, me një rritje prej 100 për qind, krahasuar me vitin 2020. Nëse shkojmë te remitencat, ato kanë shënuar një rritje prej 1.05 miliard, me një rritjet prej 18.1 për qind, nëse e krahasojmë me një vit më herët”, ka shtuar ai.
Mehmeti ka thënë se Banka Botërore ka parashikuar që rritja ekonomike më Kosovë për vitin 2022 të jetë 7.1 për qind.
(r.m.)